Rama: Reforma në drejtësi do bashkojë shtetin me qytetarët

Sep 26, 2015 | 14:30
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama foli ne seancën e posaçme për zbatimin e Axhendës së zhvillimit post 2015, në Samitin e Kombeve të Bashkuara, ku merrnin pjesë liderë botërorë nga të gjitha shtetet anëtare.

ramaSipas Rames, axhenda kurajoze është rruga për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global.

Kryeministri theksoi se për Shqipërinë qëndrueshmëri do të thotë përforcimi i shtetit të së drejtës dhe vlerave demokratike shoqërore 

“Kjo axhendë e re, kurajoze, ambicioze e një transformimi global është angazhimi ynë që t’i çojmë njerëzit nga përjashtimi tek gjithëpërfshirja. Nga varfëria tek rruga e begatisë, nga pasiguria tek parashikueshmëria dhe zgjidhjet, për të lëvizur nga një bashkëpunim i thjeshtë në një partneritet global. Është pakti i një gjenerate që i ka kthyer sytë nga e ardhmja në një botë që shkon përpara me një hap më të shpejtë. Është një marrëveshje e re globale me premtimin solemn që askush nuk duhet lënë mbrapa”- tha Rama.

Sipas tij, axhenda e re është universalisht e zbatueshme dhe ka të bëjë me të gjithë ne, të gjitha vendet.

“Më lejoni të shpjegoj shkurtimisht pse, çfarë do të thotë për ne qëndrueshmëria për të tashmen dhe vitet në vijim. Do të thotë të përforcojmë shtetin e së drejtës, të forcojmë vlerat tona demokratike shoqërore, të thellojmë harmoninë e gjerë shoqërore. Këto janë themelet e rrugës sonë të zhvillimit dhe garancitë e kohezionit tonë social. Kohezion social, bashkëjetesë dhe bashkëpunim fetar janë ndër pasuritë kryesore të shqiptarëve kudo që ata jetojnë, jo vetëm në Shqipëri. Shqipëria ka qenë, është dhe do të mbetet një shembull bashkëjetese, sepse kjo bazohet në një pjesë të vërtetë dhe të prekshme të historisë.”- tha Rama.

Në vijim, Kryeministri theksoi mes të tjerash se Reforma në Drejtësi që po ndërmerret do të bashkojë më shumë shtetin me qytetarët. 

“Ne jemi duke ndërmarrë një reformë transformuese në drejtësi, një proces jetësor që do ta bashkojë më shumë shtetin me qytetarët, do t’i japë drejtësisë kuptimin e saj të vërtetë dhe do të ketë një ndikim më të thellë dhe pozitiv mënyrën sesi vendi do të shkojë përpara në vitet në vijim.”

Teksa iu referua vlerës më karakterizuese të shqiptarëve në shekuj, harmonisë fetare, Kryeministri u shpreh se ky shembull, u vlerësua frymëzues nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri.

Rama vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si domosdoshmëri për jetesën në paqe dhe harmoni, u shpreh se kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.

“Shqipëria zhvillohet brenda një rajoni, Ballkanit, i cili akoma po përpiqet të gjejë vendin e tij të begatë në Europën e Bashkuar. Megjithatë, ende në pritje për t’u kualifikuar si anëtarë të BE-së, ne jemi duke bërë gjithçka që mundemi, ndërmjet nismave konkrete, për të sjellë më afër gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të rrisim bashkëpunimin në çdo fushë të jetës. Dihet botërisht se sa më shumë bashkëpunojmë me njëri tjetrin, sa më shumë bashkëndajmë, sa më shumë jemi të ndërlidhur, sa më shumë e njohim dhe e pranojmë njëri-tjetrin, kemi më shumë shanse që të jetojmë dhe të punojmë së bashku në paqe dhe harmoni. Sigurisht, kjo gjë është thelbësore për qëndrueshmërinë.”- tha ai. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura