Rama: Ja sa do t’i rrisim pagat e policëve

Jan 31, 2013 | 11:54
SHPËRNDAJE
Rama gjatë tryezës për çështjet e Policisë shqiptare

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi dje gjatë një tryeze për çështjet e Policisë shqiptare, rikthim të rendit përmes masave që kjo parti do të marrë. Duke folur në një takim ku merrnin pjesë ish-punonjës të Policisë së Shtetit tashmë të liruar, Rama tha se do të bëjë një luftë frontale ndaj krimit në 300 ditët e para të qeverisjes së socialistëve. “Vetëdija se krimi ka marrë një epërsi është një vetëdije shumë e përhapur sot në opinionin publik. Opinioni publik është shumë i tkurrur për shkak të pasigurisë. Prandaj unë besoj se hapja e një lufte frontale dhe rivendosja e autoritetit të shtetit në të gjithë territorin e Republikës, përmes Policisë së Shtetit, duhet të jetë prioriteti themelor i 300 ditëve të para të qeverisjes tonë”, tha Rama. Përveç politizimit të Policisë së Shtetit, për të cilën kryesocialisti ka akuzuar drejtuesit e Ministrisë së Brendshme, Rama ka vërejtur probleme dhe me trajtimin financiar të Policisë së Shtetit. “Ka humbur tërësisht respekti për uniformën, respekti për Policinë e Shtetit. Është një çetë atje në majë që e drejton Policinë sipas kushtrimit të partisë. Sigurisht, kjo reformë do të shoqërohet me një plan të detajuar për trajtimin. Duke filluar nga uniforma, nuk diskutohet. Uniforma më qesharake. Sot operacionet shiten. Ky është fakt. Sot, lidhjet për të cilat flet raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, garantojnë dështim operacionesh të njëpasnjëshme. Ky është fakt. Shikoni pak raportin e pagave të punonjësve civilë në Policinë e Shtetit, sepse kur flasim për punonjës civilë në Policinë e Shtetit, nuk flasim për njerëz që rrinë në zyrë dhe luajnë ‘solitarin’, siç luan Flamur Noka kur s’e telefonon Kryeministri”, tha Rama.
Pagat
Kreu i opozitës tha se pagat aktuale të punonjësve të Policisë së Shtetit janë lëmoshë. “Trajtimi financiar i Policisë së Shtetit është lëmoshë. Policia sot ka trajtimin më të ulët financiar në të gjithë rajonin. S’po flasim për Europën, po flasim për Kosovën, për Bosnjën, po flasim për Maqedoninë apo edhe Malin e Zi. Sot policët shqiptarë taksohen më shumë se të gjithë policët e rajonit, sepse janë të vetmit policë që paguajnë më shumë taksa se sa ata ‘kokat e mëdha’ të kupolës së inkriminuar të Ministrisë së Brendshme. Edhe më shumë taksa se sa vetë ministri i Brendshëm koka vetë”, tha Rama. Bazuar në programin e PS për një “Rilindje shqiptare”, Rama tha se rritja e pagave për punonjësit e Policisë do të kapë masën 70%. Rritje të pagave, sipas tij, do të kenë të gjitha nivelet e hierarkisë së Policisë së Shtetit, por premtoi se asnjë prej tyre që është i kualifikuar dhe në detyrë nuk do të hiqet nga puna kur socialistët të vijnë në pushtet. “Një reformë strukturore rrënjësore duke vendosur në themel parimin që çdo shqiptar i kualifikuar me paratë e këtij populli apo me kontributet e partnerëve, që ka motivimin dhe integritetin për të punuar nën uniformën e policit, duhet të ketë shansin që të punojë nën uniformën e policit apo në rolin e ekspertit të Policisë sipas meritës, dhe jo sipas teserës apo sipas rrugëve të klientelave që krijohen menjëherë sapo një forcë politike vjen në pushtet. Asnjë punonjës policie, asnjë drejtues policie, asnjë drejtues i lartë policie që ka këtë kualifikim dhe që është sot e gjithë ditën në polici nuk duhet të ketë asnjë lloj frike se Partia Socialiste sa të marrë qeverinë do t’i vërë shqelmin. Jo!”, premtoi Rama gjatë tryezës ku merrnin pjesë ish-policë në lirim.

Premtimet e PS për pagat e Policisë
Inspektori i Policisë

Paga aktuale  31 920 lekë
Premtimi i PS 570 mijë lekë.

Kryeinspektori
Paga aktuale 338 400 lekë
Premtimi i PS 632 mijë lekë

Nënkomisari
Paga aktuale 505 mijë lekë
Premtimi i PS 727 mijë lekë

Kryekomisari
Paga aktuale 737 mijë lekë
Premtimi i PS 880 mijë lekë

Drejtuesi
Paga aktuale 859 mijë lekë ë
Premtimi i PS 1 milion e 12 mijë lekë

Drejtuesi i parë
Paga aktuale 1 milion e 48 mijë lekë
Premtimi i PS 1 milion e 113 mijë lekë

Zv.drejtori i Përgjithshëm
Paga aktuale 1 milion e 58 mijë lekë
Premtimi i PS 1 milionë e 280 mijë lekë

Drejtori i Përgjithshëm
Paga aktuale 1 milionë e 240 mijë
Premtimi i PS 1 milionë e 470 mijë

PS: Ligjet nuk frenuan krimin
Për kryesocialistin, edhe pse opozita ka votuar ligje në Parlament, numri i krimeve nuk është ulur. “Të mos harrojmë se midis vitit 2011 dhe vitit 2012 ne kemi punuar në Parlament për të miratuar ligje, për të forcuar norma në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Kemi forcuar norma dhe ashpërsuar masa për dhunën në familje. Rezultati: 19 gra të vrara në vitin 2011, 27 gra të vrara në vitin 2012. Shqipërisë nuk i mungojnë ligjet, i mungon ligjshmëria. Shqipërisë nuk i mungojnë tri ligjet për t’u bërë europiane, Shqipërisë i mungojnë tri pushtete. I mungon pushteti legjislativ, i marrë peng nga Ekzekutivi. I mungon Ekzekutivi i marrë peng nga korrupsioni. I mungon Gjyqësori i marrë peng nga Ekzekutivi dhe korrupsioni”, tha Rama.

“Tri polici rrugore, më shumë aksidente”
Kryesocialisti Rama e cilësoi strukturën e kontrollit rrugor të korruptuar. “Sot ka 200 drejtorë që vetëm drejtohen, se nuk drejtojnë gjë. Drejtohen në drejtim të paditur. Ne do ta ndryshojmë këtë strukturë. Sot ka tre lloj policish që merren me trafikun. Njëra është lart, tjetra është poshtë, njëra është te komshiu, te Ministria e Punëve Publike. Kuptohet që përplasen me njëra-tjetrën se kush do marrë ryshfetin. Prandaj Shqipëria sot ka numrin më skandaloz të aksidenteve në raport me vetveten dhe në raport me të gjithë rajonin”, tha Rama, duke premtuar reformim të këtij shërbimi kur socialistët të vijnë në pushtet pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura