Rama- presidentit bullgar: Na hapni rrugën të flasim me BE, ne jemi europianë. Dramatike dhe qesharake të shohësh BE-në…

Sep 2, 2021 | 9:34
SHPËRNDAJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk ka asnjë të ardhme pa Ballkanin Perëndimor, prandaj i kërkoi Bullgarisë që të heqë veton për hapjen e negociatave me BE-në të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

rama borisov

Gjatë fjalës së tij në forumin në Bled të Sllovenisë për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Rama i ka kërkuar Presidentit Bullgar, Rumen Radev, që vendi i tij të hapi rrugën e integrimit pasi siç tha ai ne jemi europianë. Kryeministri i Shqipërisë deklaroi se nëse BE-ja do të vazhdojë me këtë qasje, nuk do jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Rama i cilësoi dramatike dhe qesharake diskutimet për të ardhmen e Europës ku vendet e Ballkanit nuk ftohen.

“BE-ja është Samuel Becketti ynë, ne po presim Godonë. Nuk e di kush është Vladimiri apo kush Ekstragoni, unë apo Zorani, por sigurisht që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë si këto dy karaktere në dramën e Becketti-t. E bukura e kësaj është se Becketti mund të shfaqet në Bashkimin Europian përmes ngjyrave e kombeve të ndryshme, së fundi është Bullgaria, por ne jemi këtu për të luftuar. Pse për të luftuar?

Sepse ne nuk po kërkojmë licencë për të qenë europianë, ne jemi europianë. I jam shumë mirënjohës Kryeministrit këtu dhe Presidentit sigurisht, sepse më në fund, në këtë diskutim për të ardhmen e Europës, ne u ftuam. Natyrisht është një takim anësor, nuk është kryesori, pasi është shumë dramatike dhe shumë qesharake të shohësh Bashkimin  Europian të angazhohet në diskutime për të ardhmen e Europës dhe ne nuk ftohemi.

Së paku, për mirësjellje të ndryshojnë emrin e ardhmja e Bashkimit Europian, sepse nëse është e ardhmja e Europës, ne jemi Europë dhe nuk ka asnjë të ardhme të Europës pa Ballkanin Perëndimor brenda Bashkimit Europian. Nëse Bashkimi Europian do të vazhdojë kështu, nuk do jetë mirë për ne, por do të jetë edhe më keq për BE-në. Kjo jo sepse po i jap Ballkanit Perëndimor të gjithë atë peshën me të cilën e kemi parë njëri-tjetrin kur  ishim të izoluar.

Më falni që po tregohem kaq ballkanik, por kjo është gjëja e mirë e të qenit europian nga Ballkani,  sepse nuk e humbet asnjëherë ndjenjën e humorit edhe brenda tragjedisë. Këtu në Bled, ne mund të marrim ca nga koha që nuk na e kanë dhënë në diskutimin për të ardhmen e Europës për kaq gjatë. Nga njëra anë na thuhet se na duan. Na doni? Mirë. Nuk na thonë që ju duam dhe ne. Na thonë se jeni të rëndësishëm për ne. Na  thonë se një ditë do martohemi me ju, por deri atëherë, as nuk flasim dot bashkë, por as nuk iu flisni dot të tjerëve.

Natyrisht, kjo kërkon të sprovojë dhe testojë karakterin e  besnikërinë tonë, por nuk funksionon kështu. Askush nuk po vjen në vete. Ne nuk po flasim të bëhemi anëtarë. Kur ne të bëhemi anëtarë, Macron që është më i riu do jetë duke shkruar kujtimet. Po flasim për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit. Unë do të përfitoj nga rasti dhe do t’i kërkoj Presidentit të Bullgarisë. Ju lutem ju bullgarët mos  jeni kaq tipikë të BE-së, bëhuni ballkanas. Hapni rrugën. Çfarë po përpiqeni të shpëtoni? Hapini rrugën bisedimeve, na lini të flasim me ta dhe pastaj ju mund të bëheni ballkanikë dhe të dilni e të vini pengesa dhe të bllokoni, por hapni rrugën”, tha Rama.

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, i është përgjigjur në sy kryeministrit shqiptar duke thënë se nuk është roja që nuk i lejon për të hyrë në BE, prandaj mbetet e hapur dhe çelësi është në dorë të vendeve pretendente. Radev ka ftuar në dialog Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave, pasi sipas tij, Bullgaria është partnere në këtë proces.

“Duke folur për procesin e anëtarësimit, duhet të ndajmë diçka mes përgjegjësive të BE-së dhe përgjegjësive tona dypalëshe ballkanike. Bullgaria nuk është roja që nuk ju lë te reja, por partneri juaj. Ka dy rrugë, rruga më e gjatë është të bëhet turne në të gjitha kryeqytetet europiane për të bindur partnerët e aleatët për të bindur Bullgarinë. Ka dhe  një rrugë tjetër, shumë e shkurtër e fitimtare. Ne jemi të  hapur, jemi gati, ju ftojmë në dialog. Po çelësi është në dorën tuaj, varet prej jush, meritat tuaja. Themeli në vetvete mbështetet në vlerat  europiane dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Besoj do të vazhdojmë dialogun”, tha Radev.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura