“Llumi në polici dhe drejtësi na turpëroi për një gardh”- Rama mesazh ndërtuesve: Askush nuk do gëzojë një metër pa leje! Prokurorët mbyllin çështjet me para

Sep 28, 2022 | 7:59
SHPËRNDAJE

VALENTINA MADANI/ Kryeministri Edi Rama u përcolli dje mesazhin e qartë ndërtuesve se nuk do të gëzojnë asnjë metër ndërtim pa leje. Pikërisht çdo ndërtim pa leje, Rama e konsideron një problem që duhet zgjidhur dhe për këtë arsye ai përmendi se qeveria ka miratuar ligjin për konfiskimin e objekteve shumëkatëshe që kanë metra pa leje, të blerjes së tyre nga pronari apo dhurimit.

-640-0-edi-rama-pallate-tirane-ndertim-564

Kreu i qeverisë siguroi se nisma e qeverisë nuk do të ndalet, ndërsa paralajmëroi se do të shtrëngohet akoma më shumë politika për të luftuar këtë fenomen. Në takimin e djeshëm me përfaqësues të biznesit për bilancin e sezonit turistik veror, Edi Rama u shpreh se politika për të ndëshkuar ndërtimet pa leje do të bëhet akoma më e rreptë. “Akoma kemi probleme me ndërtimet.

Kemi shumë ndërtime me leje që respektojnë lejen në volume, por jo gjithmonë nuk e respektojnë në aspektin e arkitekturës, cilësisë. Pa i përmbushur këto të dyja, pa mbyllur përfundimisht historinë e ndërtimeve pa leje dhe ngacmimin e territorit jashtë lejeve dhe planeve dhe pa rritur cilësinë e ndërtimeve që janë për turizëm, lëmë mangët një komponent shumë të rëndësishëm. Për këtë arsye do shtrëngojmë akoma më shumë politikën e ndërtimeve pa leje dhe askush nuk ka për ta gëzuar një metër katrorë tepër jashtë lejes dhe do ta zgjedhin vetë çfarë do bëjnë; do t’i dhurojnë, do t’i blejnë me çmimin e tregut plus të indeksuar, apo do t’ju konfiskohet fare.

Për aspektet penale të çështjes, ato janë punët e tyre të drejtësisë, nuk janë të qeverisë”, deklaroi kreu i qeverisë. Konfiskimi i ndërtimeve pa leje do të zhvendoset në bregdet. Kryeministri Edi Rama u betua se me operacionin e radhës të ndërmarrë përgjatë 10 viteve të qeverisjes së tij do t’i jepet fund paligjshmërisë në ndërtim. Sërish problemin në luftën pa rezultatet e pritshme kundër cenimit të territorit, e sheh te Policia dhe prokurorët që para drejtësisë nuk çojnë shkelësit e mëdhenj të ligjit. Rama foli edhe për rastet kur qytetarë të zakonshëm në qytet apo në fshat janë dërguar nga Policia dhe Prokuroria për ndjekje penale për një dritare apo mur mbajtës pa leje.

Për këtë të fundit i referohet rastit të Vlorës kur e moshuara përfundoi në gjyq për kotecin e pulave. Në këtë pjesë, Kryeministri përmendi “llumin në polici dhe në prokurori”. “Jemi ndjerë më shumë se një herë të turpëruar për faj të llumit që gëlon në sistemet e drejtësisë, dhe llumi në drejtësi bashkë me llumin në Policinë e Shtetit dhe inspektorate e ka shumë të lehtë të çojë me ndihmën e prokurorëve të zellshëm që kur vjen puna te ndërtuesit e mëdhenj e mbyllin me para çështjen, njerëz që kanë ndërtuar pa leje një gardh, një mur, gjysmë shtese në fshat, dhe raste flagrante janë bërë dhe publike.

Një kotec, një mur mbajtës, një avlli, dritaret e famshme të Bojken Lakos që të të nxjerrë dhe bojën botërisht, dhe e kanë të pamundur që të veprojnë ndaj kateve pa leje në mes të Tiranës që janë shumë më pak seç kanë qenë. Raporti është më shumë se sa 1 me 10. Kur ne kemi nisur këtë betejë që nuk ka pasur pallat në Tiranë që kishte ndonjë metër pa leje. Mësimi që kemi nxjerrë është që këta me prokurorët e korruptuar e zgjidhin siç e zgjidhin edhe ata që nga një anë tatimet i çojnë në prokurori për evazion dhe nga ana tjetër dali pa lagur. Atëherë kjo është zgjidhja që ne kemi gjetur. Asnjë metër nuk do ta gëzojnë dot. Ka filluar dhe kontrolli përgjatë bregdetit”, theksoi Edi Rama.

“Turgut Ozal”, Rama nuk tërhiqet: S’më bën presion askush

Kryesia e PS-së caktoi mbrëmë drejtuesit e rinj në tri qarqe për fushatën e zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen vitin e ardhshëm.

Forumi i socialistëve në mbledhjen e djeshme ndryshoi drejtuesit e Vlorës, Shkodrës dhe Kukësit. Në Vlorë është larguar Arben Ahmetaj dhe në vend të tij do të jetë Blendi Klosi. Në Kukës largohet Safet Gjici dhe do të jetë Pandeli Majko. Ndërsa në Shkodër, është larguar Edona Bilali dhe në vend të saj do të vendoset Elisa Spiropali. Kryeministri këto ndryshime i quajti pa peshë për qytetarët, por që do të jenë në funksion të partisë, duke quajtur skuadër, ku secili ka role të ndryshme.

“Janë ndryshime të natyrës organizative që nuk kanë asnjë peshë, nuk janë organizime qeverie, nuk ka rëndësi të hyjmë në emra, të gjithë jemi shërbëtorë të këtij misioni, kjo është një skuadër dhe si çdo skuadër ka role të ndryshme se po të bënin të gjithë të njëjtën gjë s’do ishte skuadër”, theksoi Rama. I pyetur nga gazetarët nëse do të ketë primare, Rama u përgjigj duke qeshur: “Jo, faleminderit!” Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka nisur procedurën për dekretimin e datës së zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat pritet të mbahen në 2023-shin.

KONFISKIMET

Kryeministri Edi Rama deklaroi se akuzat ndaj tij për lejimin e ndërtimeve pa leje nuk janë të vërteta, pasi ka qenë vullneti i tij dhe i qeverisë për rënien e ndërtimeve pa leje në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë këtyre 9-viteve. Rama tha se nuk ka asnjë biznesmen në Shqipëri që t’i kërkojë atij një qindarkë që i ka marrë për favorizime në ndërtim. “Mua personalisht nuk ka biznesmen dhe ndërtues në Shqipëri që thotë se 1 qindarkë e punës së tij është në xhepat mi”, theksoi Rama.

Kryeministri fajin për ndërtimin e kateve pa leje ia faturoi sistemit të drejtësisë dhe atyre prokurorëve dhe gjyqtarëve që ai i cilësoi si llumi i drejtësisë. “Nëse janë 26 kate dhe janë bërë 14 pa leje. Bëjnë 40 kate. Tani është natë dhe syri nuk sheh natën. Ditën numëroi dhe do shikosh që nuk janë 40 kate. Unë nuk jam as inspektori i ndërtimit as shefi i Policisë dhe mbi të gjitha nëse sot ne jemi 1 me 10 në raportin me ndërtimet pa leje është si pasojë e vullnetit, tim, e vullneti të kësaj qeverie dhe Bashkisë së Tiranë. Problematika e ndërtimeve pa leje burimin e ka në llumin e drejtësisë”, deklaroi Rama.

VENDIMI

Kryeministri Edi Rama reagoi sërish pas akuzave për mbylljen e shkollës “Mehmet Akif”. Pas mbledhjes së Kryesisë së PSsë, Rama u pyet nëse ka pasur ndërhyrje nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayip Erdogan, të cilën Kryeministri e mohoi kategorikisht. Kreu i qeverisë deklaroi se nuk mund t’i bëjë askush presion për vendimet që merr, pasi ai është kryeministri i Shqipërisë i zgjedhur nga qytetarët shqiptarë.

“Mjafton t’iu referoheni fakteve, pastaj përrallave, keni kohë për t’iu referuar përrallave. Gjërat që i bëj, i bëj për ato qëllime që unë them. Merrni dhe shihni dokumentacionin, pot ë ishte një çështje politike dhe një mbyllje politike, pse do merreshim ne me një kolegj vajzash, ku ka shumë struktura të tjera atje që nuk i ka ngacmuar askush. Siç kemi vepruar për çdo subjekt, kemi vepruar dhe në këtë rast. Do ishte shkelje nga Ministria e Arsimit nëse nuk do të ishte vepruar në këtë rast. Spostimi i godinës nuk është bërë pa asnjë miratim. Kjo është shumë e thjeshtë. Këtë ka vërtetuar vendimi i djeshëm i gjykatës. Donin të paguanin prapa. Nëse doni ta vishni këtë me qëllime të errëta, mua nuk më bën askush presion pasi unë jam kryeministri që më kanë zgjedhur shqiptarët. Unë këtu mund të bëj gabime, por janë gabime që nuk vijnë nga qëllimi i keq, por nga një gjykim që mund të mos jetë i duhuri për atë gjë.

INSTALACIONI

Edi Rama nuk e konsideron vepër arti, instalacionin që do të ndërtohet në ambientet e Kryeministrisë. Teksa iu përgjigj akuzave të opozitës se në kohë krize kanë ndërtuar në kryeministri një instilacion me vlerë 3.7 milion euro, Rama tha se qeveria nuk ka shpenzuar asnjë lloj qindarke për instilacion. Sipas tij bëhet fjalë për një projekt energjie të rinovueshme që do shtrihet në çdo institucion.

“Qeveria nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për asnjë instalacion në mjediset e Këshillit të Ministrave. Qeveria ka ndërmarrë një program të energjisë së rinovueshme diellore që do shtrihet në të gjithë institucionet. Nuk bëhet fjalë për një vepër arti. Është një projekt energjie të rinovueshme të kombinuar me një mikroklimë për mjediset e punës. Do jetë aty për vite të tëra, nuk është bërë për mua. Teoria që duhen ndalur të gjithë investimet se kemi një situatë krize, është teori për të manipuluar njerëzit. Nga investimet vijnë të ardhurat e tjera, pasi rritet ekonomia dhe rritet kapaciteti për të shpërndarë. Këtu bëhet fjalë për krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaroi z. Rama.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura