Rama: Kam besim të plotë te LSI, s’do zhgënjejmë asnjeri

May 31, 2013 | 11:56
SHPËRNDAJE
Gjatë mitingut të PS dje në Koplik

Kryetari i Partisë Socialiste prezantoi dje në qarkun e Shkodrës kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 23 qershorit. Rama e nisi ditën me takime në Bushat, Oblikë, Velipojë, për ta mbyllur me një miting prezantues në bashkinë e Koplikut në Malësinë e Madhe. I pyetur se sa besim ka te bashkëpunimi me LSI-në, Rama u shpreh i sigurt në këtë koalicion, ndërsa tha se është i bindur se pas katër vitesh nuk premton se do ta bëjë Shqipërinë si Zvicra.
“Kam besim të plotë te LSI-ja, se po të mos kisha besim, nuk do ta kishim bërë këtë Aleancë për Shqipërinë Europiane dhe jam i bindur se nuk do të zhgënjejmë asnjeri. Përsa i përket programit, unë e thashë se kemi një program më të detajuar që një forcë politike ka pasur në këta 22 vjet përpara zgjedhjeve. Nuk është një program që të rreshtojmë dëshirat e njerëzve dhe atë që kanë qejf të dëgjojnë e më pas të marrim votën e të ikim secili në punë të vet, por është një program për qeverisje. Jemi shumë të qartë se çfarë do të bëjmë në 100 ditët e para, në 300 ditët e para dhe në mandatin e parë, jemi shumë të bindur se pas katër vitesh Shqipëria nuk do të jetë Zvicër, por do të jetë një vend më i mirë”, tha Rama. Duke parë mbështetjen që gjeti në bashkinë e Koplikut, kryesocialisti tha se në qarkun e Shkodrës, i cili ka qenë vazhdimisht bastion i PD, ka humbur hegjemonia e Berishës dhe Topallit. “Në këto territore që deri dje kanë qenë besnikërisht me PD, hegjemonia e tyre ka marrë fund dhe pushteti i tyre do të marrë votën e ndëshkimit për një rrënim të vazhdueshëm, që nuk mund të vazhdojë më. Sepse shqiptarët nuk mundet më të mbajnë në kurriz një pushtet i cili flet gjithë ditën për ta dhe punon gjithë ditën për vete. Një pushtet i cili premton dhe gënjen, premton dhe zhgënjen, premton dhe harron”, tha Rama. Sipas liderit të së majtës, “vota e 23 qershorit nuk është thjesht një votë për një parti apo një tjetër, por është një votë për dy mënyra të ndryshme të jetuari”. Në përgjigje të ironisë së Kryeministrit Berisha për autobusin e PS-së, Rama tha: “Thotë mavi, që në turqisht do të thotë blu, flamuri i PD. Ta mësojë se nuk e kanë fajin ngjyrat, por ata që nuk i njohin ngjyrat. Ata që i ngatërrojnë ngjyrat. Që duan ngjyrat për ta, kur populli jeton bardhezi. Thotë autobusi, autobusi. Më mirë në autobus me kolegë e me miq, apo me antiplumb e me 200 roje e me benz të blinduar? Si thoni ju, më mirë me një autobus të marrë me qira si njerëz të zakonshëm të këtij vendi, për të treguar se Shqipëria mund të rilindë, apo me jelek antiplumb, makinë të blinduar e me sheshe të mbushura me rrogëtarë të shtetit, që i detyrojnë të mbushin sheshet se ndryshe i largojnë nga puna?”.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura