Rama jep alarmin: Po premtohet teza për maturantët në këmbim të votës, por kini kujdes…

Jun 5, 2017 | 10:43
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama i ka bërë thirrje të gjithë maturantëve që të refuzojnë ofertat që u vijnë për tezat e maturës shtetërore në këmbim të votës.

Duke folur nga Poliçani, Rama bëri thirrje për një bashkim të madh drejt PS-së dhe asnjë votë për partitë e vogla të cilat copëtojnë shtetin.

rama gjirokaster

Pjesë nga fjala e Ramës

Në 25 qershor do marrim një vendim shumë të rëndësishëm për Shqipërinë që duam, për skuadrën që duhet të drejtojë punët e këtij vendi. Në 25 qershor duhet të shkojmë në zgjedhje jo tifozë partish, por si shqiptarë familjarë që duan të gjithë së bashku që Shqipëria të ndahet nga një histori e gjatë edhe e mundimshme e shtetit të copëtuar, në republika partish që në emër të forcave që kanë për shkak të votës ndajnë shtetin dhe zyrat e shtetit mes tyre duke e bërë të pamundur reformimin e mëtejshëm të shtetit.

Ne duam një votë masive, prandaj PS ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Më ndihmoni, na ndihmoni me një votë masive që ne të bëjmë shumëfish punën që kemi bërë. Sot në mëngjes lexova me trishtim një lajm që maturantëve ka filluar tu ofrohet kopja e tezave të provimit të maturës shtetërore në këmbim të parave dhe kartave të identitetit të familjarëve të tyre. Kushdo që e ofron këtë është në mashtrim. Tezat e maturës shtetërore janë super sekret dhe askush nuk mund ti nxjerrë në pazarin e votave. Të gjithë ata që gjenden para kësaj oferte mashtruese se jo vetëm duhet ta refuzojnë por të kuptojnë se mjafton një ofertë e tillë që shkel dinjitetin e prindërve tuaj për të refuzuar ofertuesin.

Të bëjmë sa më shumë mendje për një votë kuqezi, për ta çuar Shqipërinë një orë e më parë në BE dhe për të ngulur në oborrin e BE-së, flamurin e Skënderbeut dhe Ismail Qemalit. Një amanet grave dhe vajzave të Poliçanit sepse besoj që është e patolerueshme, është e pajustifikueshme dhe është krejtësisht e pagëlltitshme që në shekullin e 21 një parti që pretendon të bëjë një Republikë të Re të sjellë në Berat një listë vetëm me burra, pa asnjë grua, pa asnjë vajzë. Në këtë pikë duhet të bashkohen të gjitha gratë, nënat dhe motrat pavarësisht bindjeve politike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura