Rama fton të rinjtë të jenë pjesë e politikës

Jan 31, 2013 | 19:01
SHPËRNDAJE
Rama duke folur para te rinjve

TIRANE- Në një aktivitet organizuar nga Forumi Rinor i socialistëve për sportin, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka bërë thirrje të rinjve që të jenë të angazhuar në politikë, duke e parë atë si mundësinë për të bërë të mundura gjëra që duken të pamundura.

“Unë kam besuar dhe sot e besoj tërësisht që politika është mundësia që i jepet një njeriu të zakonshëm, jo për tu bërë politikan, por për të bërë të mundura bashkë me të tjerë gjëra që vetëm nuk i ben dot kurrë. Një njeri i vetëm mund të bëjë disa gjera për veten, por nuk mund të ndryshojë mjedisin, dhe as rrugën që i kanë përcaktuar të tjerët në punën që bën.”- tha Rama.

Kreu i socialistëve foli gjithashtu për rëndësinë e futjes së sportit në shkolla, ku gjeti rastin edhe për të thënë se vetë ai, sportin e la kur ia mori tërësisht mendjen politika, sipas tij, jo politika si politikan apo si anëtarë i një partie, se në atë kohë kishte vetëm një parti, dhe i rrinte larg asaj partie, se nuk i duronte dot as erën,  por politika si një pasion i brendshëm, i çdo njeriu që dëshiron të bëjë diçka që gjerat të ndryshojnë.

Ai tha se PS me programin e saj synon që të rinjtë të mund të ushtrojnë aktivitete sportive, jo për tu bërë profesionist, por për ta pasur sportin pjesë të kulturës së tyre familjare.

Në fund, Rama i ftoi të rinjtë e pranishëm që ti shkruanin në numrin e tij të telefonit, 0662030272, për të ecur bashkë në rrugën drejt dhënies fund të rrënimit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura