Rama ftesë kryebashkiakëve të rinj, të zgjedhurit e PD të përçarë. Disa do shkojnë, të tjerët jo

Jul 3, 2015 | 8:10
SHPËRNDAJE

Kryeministri Edi Rama ka ftuar në një takim konsultues për pushtetin vendor të gjithë kandidatët fitues në 61 njësitë e reja vendore. Kryebashkiakët e rinj janë njoftuar që takimi do të zhvillohet në selinë e Kryeministrisë ditën e hënë, në orën 12:00, ndërkohë që me interes do të jetë qëndrimi që do të mbajnë ndaj kësaj ftese vendorët e djathtë.

Kryeministri Rama

Një pjesë e tyre të kontaktuar nga “Panorama”, kanë konfirmuar se nuk kanë marrë asnjë ftesë nga Kryeministri Rama, ndërsa të tjerë konfirmojnë se nuk do të jenë pjesë e këtij takimi edhe nëse do të marrin ftesë. Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, e kontaktuar nga “Panorama”, ka theksuar se nuk është në dijeni të këtij takimi që Kryeministri pritet të zhvillojë, pasi nuk ka asnjë ftesë prej tij.

Ndërkohë që kryebashkiaku i Kamzës, një prej vendorëve më të akuzuar nga Kryeministri Rama gjatë fushatës zgjedhore, bën të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit, edhe në rast se do të marrë një ftesë.

“Nuk kam dijeni për këtë takim që ju thoni. Kryeministri nuk më ka çuar asnjë ftesë, por edhe nëse më çon ndonjë ftesë, unë nuk do të jem në asnjë takim të thirrur prej tij”, shprehet Mziu. Ndërkaq, tjetër qëndrim kanë ndaj këtij takimi kryebashkiakët e së djathtës në Lezhë dhe Kukës.

Drejtuesi i ri i Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj, konfirmon ftesën e marrë nga Kryeministri Rama, madje pranon se është i gatshëm edhe të jetë pjesë e këtij takimi. “Kam marrë një telefonatë nga kabineti i Kryeministrit dhe më kanë thënë për një takim të tillë. Parimisht nuk kam asgjë kundër dhe nëse do të jetë në shërbim të komunitetit të cilit unë përfaqësoj, do të jem pjesë e tij”, deklaron Frrokaj.

Të njëjtin qëndrim për këtë takim ndan edhe kryebashkiaku i ri i Kukësit, Bashkim Shehu. Ish-deputeti deklaron se ende nuk ka marrë një ftesë për këtë takim, por nëse do të ftohet nga Kryeministri, ai do të jetë pjesë e çdo vendimmarrjeje që merret në funksion të banorëve që e zgjodhën në krye të bashkisë.

Kjo mbledhje e kërkuar nga Kryeministri Rama, që pritet të ketë në qendër të diskutimeve implementimin e ri të reformës territoriale, shihet si një mënyrë për t’u dhënë fund aludimeve të kreut të opozitës, i cili garantonte se pas zgjedhjeve kreu i qeverisë nuk do të bashkëpunonte me të zgjedhurit e PD-së.

Bashkim Shehu: Nuk kam asnjë ftesë nga Kryeministri për një takim të tillë. Ndoshta kjo ftesë do të ketë mbërritur në zyrën e kryetarit aktual të bashkisë. Por nëse do të kem një ftesë reale nga Kryeministri, do të jem i pranishëm në atë takim. Unë përfaqësoj një popullatë të caktuar, e cila më besoi të jem në krye të bashkisë, dhe për aq kohë sa jam zgjedhur nga ata, unë do t’i përfaqësoj në çdo takim ku bëhet fjalë për investime apo të mira në funksion të tyre.

Voltana Ademi: Nuk kam marrë asnjë ftesë nga Kryeministri Rama dhe institucioni i tij. Nuk jam në dijeni të këtij takimi, ndaj edhe kaq mund t’ju them për të.

Xhelal Mziu: Nuk kam dijeni për këtë takim që ju thoni. Kryeministri nuk më ka çuar asnjë ftesë, por edhe nëse më çon ndonjë ftesë, unë nuk do të jem në asnjë takim të thirrur prej tij.

JUXHIN MUSTAFARAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura