Rama, darkë me pesë ambasadorë të vendeve arabe

Oct 14, 2013 | 9:13
SHPËRNDAJE

Rama gjatë takimit me ambasadorët në Kryeministri
Në vilën 31 me diplomatët e A.Saudite, Katarit, Kuvajtit, Libisë dhe Egjiptit. I gatshëm të presë në çdo ministri këshilltarët e tyre.

Kryeministri Rama ka shtruar një darkë me ambasadorët e vendeve arabe në Tiranë, në vilën qeveritare Nr.31. Të pranishëm në këtë darkë kortezie ishin ambasadorët e Arabisë Saudite, Katarit, Libisë, Egjiptit dhe Kuvajtit. Gjithashtu darka është zhvilluar në prezencën e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, zv.kryeministrit Niko Peleshi, por dhe teologut të njohur të besimit mysliman, Ermir Gjinishi, i cili prej disa muajsh bën dhe këshilltarin e Edi Ramës për çështjet që shqetësojnë Komunitetin Mysliman në Shqipëri.

Gjinishi njihet për akuzat e forta të tij ndaj Komunitetit Mysliman, veçanërisht për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë, duke përkrahur qëndrimin e shoqatave ambientaliste. Gjatë darkës, Kryeministri Rama u ka thënë ambasadorëve se “miku im, Ermiri, do të jetë shumë shpejt një njeri me detyrë të rëndësishme në stafin tonë”.

DARKA
Ashtu si dhe në rastin e Turqisë, Kryeministri Rama ka mirëpritur ardhjen e këshilltarëve nga këto vende nga fusha të ndryshme, që do të instalohen pranë çdo ministrie. “Ministri përkatës do të jetë në dispozicion të këshilltarëve për çdo gjë që do të kenë nevojë në bashkëpunimin tonë”, mësohet t’u ketë thënë Rama ambasadorëve të këtyre vendeve. Ai ka kërkuar pjesëmarrjen e kompanive nga vendet e tyre që të marrin pjesë në punët publike që do të nisë qeveria e tij. Mësohet se Kryeministri Rama u ka kërkuar ambasadorëve që të afrojnë në Shqipëri kompani jo të mëdha për investime, pasi Shqipëria nuk ka potenciale për vepra qindra-milionëshe euro.

Ndërsa ambasadori i Katarit ka hedhur idenë e pjesëmarrjes së kompanive shqiptare në ndërtimet e infrastrukturës për Botërorin 2020, që do të zhvillohet në këtë vend, ndërsa Kryeministri Rama i ka cilësuar kompanitë shqiptare të ndërtimit dhe rrugëve në nivele nënmesatare dhe jo për këto nivele që u kërkohet. Ndonëse darka është zhvilluar vetëm pak ditë pas vendimit të qeverisë për anulimin e lejes së objektit polifunksional pranë Xhamisë së Namazgjasë, mësohet se gjatë darkës nuk është folur për këtë çështje.

Duket se maxhoranca dhe Kryeministri kanë gjetur zgjidhje me Komunitetin Mysliman në lidhje me lejen për ndërtimin e xhamisë, gjë që u duk qartë edhe në reagimin zyrtar të këtij Komuniteti. Në qendër të bisedës mësohet se kanë qenë investimet dhe ndihmat që këto vende, që konsiderohen mjaft të pasura, mund t’i ofrojnë Shqipërisë, e cila është deklaruar nga qeveria e re se ka gjetur arkën e shtetit bosh. Aristir Lumezi/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura