Rama: Asgjë s’është e lehtë mes vendeve të Ballkanit. Kancelari Kruz: Vëmendja te bashkëpunimi rajonal

Nov 20, 2018 | 9:17
SHPËRNDAJE

ARISTIR LUMEZI/ Kryeministri Rama u shpreh besimplotë se vendet e Ballkanit Perëndimor do të arrijnë të tejkalojnë problemet që kanë në interes të qytetarëve të tyre.

auto_auto_edi_rama_sebastian_kurz_-_r15276834571527686147

Pjesëmarrës në forumin “Ekonomia takohet me politikën”, zhvilluar në Vjenë, Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp së bashku me Kancelarin e Austrisë Sebastian Kurz dhe komisionerin e BE për Zgjerimin, Johannes Hahn, falënderoi Kurz për qasjen europiane drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kryeministri u shpreh i sigurt se, pavarësisht problemeve, qytetarët shqiptarë do të marrin atë që meritojnë.

“Ne jemi shumë të përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal dhe jemi shumë mirënjohës për punën mbikëqyrëse të komisionerit Hahn dhe e dyta, që jemi duke u përballur me sfidat e bashkëpunimit dhe kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’u japim qytetarëve tanë atë që meritojnë.

Për ta përfunduar, jam personalisht dhe në emër të të gjithë shqiptarëve, mirënjohës ndaj kancelarit Kurz për qasjen e tij të qartë në lidhje me perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit dhe gjithashtu për betejën e tij të vendosur për të hapur për Kosovën procesin e liberalizimit të vizave, që shpresoj shumë se do të konkretizohet të paktën pas zgjedhjeve europiane”, u shpreh Kryeministri Rama.

Capture-21

KANCELARI

Kancelari austriak Sebastian Kurz, pasi theksoi lidhjen e fortë të Austrisë me Ballkanin Perëndimor dhe duke u mbështetur në të, u shpreh se pikërisht për këtë arsye vendi i tij po mbështet rrugën e vendeve ballkanike. Ai tha se Austria po përqendrohet tanimë në tri çështje me rëndësi: e para, rruga e rajonit drejt BEsë; e dyta, bashkëpunimi i domosdoshëm rajonal dhe e treta, zgjidhja e konflikteve bilaterale.

“Austria është një partner i rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne kemi një lidhje të fortë historike, ekonomike, politike, kulturore dhe njerëzore me këtë rajon, ndaj mendojmë se BE-ja do të jetë e plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtare. Për këtë arsye, mbështesim vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt BE-së dhe jemi fokusuar veçanërisht në këtë rajon gjatë Presidencës sonë të BE-së. Sot kemi mundësi të përqendrohemi në tre çështje me rëndësi, e para rruga e rajonit drejt BE-së, e dyta bashkëpunimi i domosdoshëm rajonal dhe e treta, zgjidhja e konflikteve bilaterale.

Siç e dini, zgjerimi i BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor është një prej përparësive kyçe të Presidencës austriake dhe pikë së pari jemi shumë të lumtur që kemi zgjedhur këtë si përparësi dhe e dyta, jo vetëm që e kemi zgjedhur, por që kemi bërë hapa konkretë në këtë drejtim dhe, edhe takimi i sotëm është një provë i këtij angazhimi të qartë të qeverisë sonë”, tha Sebastian Kurz, Kancelari i Austrisë. Kurse komisioneri Hahn, u shpreh se një prej tematikave që u trajtua në takimin e liderëve të Ballkanit Perëndimor ishte puna për krijimin e një zone ekonomike rajonale, si parakusht për integrimin e mëtejshëm në tregun e përbashkët europian.

“E rëndësishme është që të rritet volumi tregtar midis vendeve dhe mund të shohim që për herë të parë, nga 2016 në 2017, u verifikua një rritje e lehtë që është premtuese, por duhet t’iu them që në 10 vitet e fundit volumi tregtar i vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian është dyfishuar në 46 miliardë euro, e kjo tregon sa potencial ka në këtë rajon, sidomos duke mbajtur parasysh që këto vende kanë një mesatare rritjeje dy herë më të lartë se mesatarja e BE-së”, tha komisioneri për Zgjerimin, Hahn.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura