Rama: 300 mijë vende pune nga pushimi i pushtetarëve

Mar 31, 2013 | 11:13
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ftuar dje sërish Kryeministrin Sali Berisha për t’u përballur në një debat televiziv për çështjen e punësimit në vend. Kreu i opozitës në rrjetin social Twitter ka reaguar për deklaratat e maxhorancës, se në katër vitet e shkuara janë hapur 200 mijë vende të reja pune. Një shifër e tillë hidhet poshtë nga Instituti i Statistikave, për të cilën Rama raporton se gjatë katër viteve janë shkurtuar rreth 51 mijë vende pune. “Keni hapur 200 mijë vende punë, si thoni ju apo keni humbur në 4 vjet 51 mijë, si thotë INSTAT-i juaj? Lë të bëjmë një debat e ta shohim këtë”, u shpreh dje Rama. Duke komentuar Konventën për punësimin e Partisë Demokratike, Rama tha se pas 23 qershorit do të krijohen 300 mijë vende të reja pune nga heqja e pushtetarëve dhe militantëve të PD-së nga administrata. Shefi i opozitës e quajti me tej Konventën e punësimit të së djathtës si një tribunë ku vetëm shahet dhe sulmohet opozita. “Konventë programi për punësimin, ku puna e vetme është sharja e opozitës! S’kanë faj, vetëm këtë punë dinë dhe për këtë punë janë punësuar. Pushimi nga puna më 23 qershor i këtyre pushtetarëve parazitë antiopozitarë do të hapë rrugën për 300 mijë vende të reja pune”, tha dje kreu i opozitës.

PROGRAMI

Kreu i opozitës në reagimet e tij deklaroi se demokratët kishin tetë vite në pushtet për të krijuar vendet e reja të punës dhe për të sjellë mirëqenien. Sipas Ramës, maxhoranca më 23 qershor ka kohën për të ikur dhe se të gjithë fushatën po e ngre në bazë të kopjimit të programit të PS-së. “Vetëm orën nuk kanë kopjuar për konventën e programit. Sa më shumë kopjojnë, aq më fort vulosin programin tonë. Të tjerat janë veç kopjim i programit tonë, kishin 8 vjet t’i bënin, po tani po i mësojnë prej nesh. 23 qershori, koha për të ikur”, u shpreh dje Rama.

FTESA PËR SHËNDETËSINË

Disa ditë më parë, Edi Rama ka ftuar kreun e qeverisë për të debatuar rreth alternativave që ofron e majta për sistemin e shëndetësisë. Ftesa e Ramës mbeti pa përgjigje, pasi Kryeministri Berisha nuk është shprehur publikisht për pranimin apo jo të ftesës për debat publik. Disa ditë më parë, Edi Rama ka shkruar në faqen e tij të Twitter-it: “Pse të mos bëjmë një debat publik për shëndetësinë dhe për kush duhet të kërkojë ndjesë jo vetëm infermiereve, por të vdekurve dhe të gjallëve? Një kardiolog në pushtet, që rrënoi shëndetësinë dhe Kryeministri që takson më shumë infermieret se veten, duhet të ikë me vrap e të fshihet”.

FATION BINJAKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura