Qyteti i një mbi një dritareve ju thërret, tri ditët që do “ndezin” Beratin

Jul 12, 2018 | 14:01
SHPËRNDAJE

Legjenda thotë se vëllezërit Tomorr dhe Shpirag hidhen në dyluftim për dashurinë e një zane dhe të dy vdesin.  Edhe sot Tomorri i tregon dritës së diellit gropat që gjenden në të, ndërsa Shpiragu vijat e thelluara, e lotët e zanës thuhet se u kthyen në lumin Osum që sot e kësaj dite gjarpëron qytetin permes.

berat2

I tillë është Berati i magjishëm edhe sot. Qyteti i një mbi një dritareve ku duket sikur shtëpitë janë të pikturuara mbi një telajo. Mbi një telajo hodhi natyra ngjyrat e tërë botës, që me kalimin e shekujve edhe zbehen sakaq, po kurrë nuk shuhen. Nuk shuhen sa të jenë beratasit e urtë e dashamirës të mysafirëve dhe të dashuruarit e përhershëm të qytetit të gurtë.

berat1

Pikërisht këto ishin ato që na impresionuan pesë vite më parë kur ngjizi ideja e “Festivalit MultiKulturor Berat”. Atëherë kur kuptuam se qyteti i një mbi një dritareve, të jep realisht 1001 arsye për të qënë aty. Turizmi kulturor ka një rëndësi madhore në zhvillimin ekonomik të Beratit. Prani objektesh të cilat i përkasin kulturave shumë të ndryshme që kanë ndikuar në historinë e qytetit, nga lashtësia, tek Mesjeta Bizantine, te komplekset otomane dhe deri te rrënojat e lëna pas nga koha e komunizmit. Berati ruan gjurmët e kulturave dhe religjoneve të ndryshme, objektet e të cilave gjenden fare pranë njëra-tjetrës, nga islami helvetizmi te kristianizmi apo te legjenda se aty është varrosur një profet hebre.

berat

Të gjitha këto, ja vendosën emrin MultiKulturor, festivalit tonë. Berati i larmishëm, për një audiencë po aq të larmishme sa edhe synon, turistë nga të gjitha anët e botës. “Festivali MultiKulturor Berat” vazhdon rrugëtimin në datat 19/20/21 Korrik 2018 në Edicionin e tij të V, me arte pamore, trashëgimi kulturore dhe muzikë nga tabani folkloristik shqiptar.

Një nga pasuritë kryesore të Shqipërisë, është pikërisht folklori muzikor. Gjurmët e lashtësisë së muzikës folklorike shqiptare janë provuar që prej shekujve XIV-XIII p.e.s. Në objekte të ndryshme arkeologjike – skulptura, basoreliefe, terrakota, etj. – janë përfiguruar qartë vegla popullore, që përdoren deri në ditët tona, valltarë, këngëtarë, kostume karakteristike, etj. Një pjesë të kësaj pasurie, prej të dyja anëve të Shkumbinit, do të presë Berati shumë-shekullor në datat 19, 20 dhe 21 Korrik, një improvizim që të çon thellë në histori, për të njohur dasmën e rrallë shqiptare, për ta përmbyllur në një mbrëmje atmosferike, në tingujt e muzikës së Shpat Dedës. Ku tjetër ?! Në këtë edicion të pestë të Festivali Multikulturor Berat, #UneJamTrashegimi

Gjithcka fillon me komunikimin për shtyp të Festivali MultiKulturor Berat në mjediset e Muzeut Etnografik, që përkon edhe me anuncimin për marrjen e  Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian nga shteti Austriak, me praninë e kreut të misionit diplomatik të Austrisë në Shqipëri, si bashkëudhëtarë të Festivalit MultiKulturor Berat. Vijohet me një performancë artistike nga një bend muzikantesh austriake.

Në orën 21:00 largohemi nga mjedisi i Muzeut Etnografik, me përcjelljen e nuses beratase për ta pritur krushqit e sazet përmetare, në një inskenim me muzikë dhe rituale prej dasme shqiptare, për të vazhduar në shesh me Pleqtë e Krujës dhe Asamblin Popullor të Beratit.
Tre ditë e kryesisht netë, me axhendë të ngjeshur artistike, presin të pranishmit, vendas, vizitorë të Festivalit, turistë e të ftuar special. Mbrëmja e dytë kushtuar mërgimit, vjen emocionuese nga grupi i Himarës dhe nga ai i Gjirokastër, për të vazhduar me grupin e Fierit në përmbyllje të mbrëmjes. Në përmbyllje të këtij edicioni vjen më datë 21 korrik, nata e “atdheut”me muzikën baritore të Fyejve të Gramshit dhe iso polifonike nga grupi i Gjirokastrës. Në një mbrëmje atmosferike në oborrin e Teqesë Helvetive, nën tingujt e muzikës së përzgjedhur të Shpat Dedës, ky edicion i V-të, do të mbyllë harmonikisht siparin e aktiviteteve, për të rinovuar takimin me publikun për vitin e ardhshëm.

Qyteti i një mbi një dritareve ju thërret. Në datat 19/20/21 korrik, të gjithë në Berat.
Nuk ke si të mungosh!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura