“Quaderni” i Koçi Petritit, kalendari tjetër i poetit

May 18, 2015 | 12:29
SHPËRNDAJE

YMER ÇIRAKU

    Mbi vëllimin poetik të botuar pas vdekjes së autorit

“Përcjell sinqeritetin e paqtë e të patrazuar të krijimtarisë në fillimet e rrugëtimit poetik”

Përurimi i një libri të ri, i organizuar jo në gjallje të poetit, dëshmon qartazi se krijuesit e letrave kanë privilegjin që t’i kapërcejnë e t’i përmbysin kalendarët e njohur të jetës, duke mbetur mes njerëzve, edhe kur ata nuk jetojnë më fizikisht mes tyre. Këtë ndjesi krijoi edhe prezantimi i librit “Quaderni” i K. Petritit, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, pranë Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (UT), për poetin dhe pedagogun e ndarë nga jeta plot një vit më parë.
Duhet të sjellim në vëmendje se ky libër është nisur e përgatitur për botim nga vetë autori, qysh në gjallje të tij. Pra, është tërësisht vullneti i tij i mbramë – i tretur nëpër shenjat e teksteve të përfshira brenda këtij botimi.
Ky libër i sapobotuar, që ende ka aromën e bojës tipografike, zë fill nga dy fletore, pra, nga dy radhonj me kapakë të zinj, të cilat, autori i tyre pati rastin t’i ritakojë vetëm pas shumë vitesh. As më shumë e as më pak, ato janë krijime moshatare me ato të librit tashmë mjaft të njohur të këtij poeti, “Lirika të majit”, të cilat, me sa duket, nuk mund të përfshiheshin dot në atë botim të fillim viteve `60-të. Ato ishin si të thuash libri tjetër, apo dytësi, apo shemra, që mohohej ose lihej mënjanë prej të zot, por jo prej modeleve/gjedheve stilistike kundërshtuese apo refuzuese që mund të shfaqnin mes tyre. Përkundrazi, ato kishin të njëjtin regjistër konceptual dhe estetik e nuk ishin veçse zgjatim i njëra-tjetrës nga pikëpamja e frymës dhe vizionit poetik, porse poezia (ta quajmë ajo e fletoreve), i shfaqte më me delikatesë e më puro-poetikisht spektaklet liriko – impresioniste të natyrës dhe të jetës në përgjithësi. Në rastin e këtij libri, jemi para formatit metaforik të fletores, që përtej imazhit të atij shkollari të etur e të drojtur para botës, ku pret të hyjë, përcjell sinqeritetin e paqtë e të patrazuar të vetë krijimtarisë së poetit – në fillimet e rrugëtimit poetik, fanepsur vetëm për një çast si e tillë, e të patakuar pastaj kurrë më dot prej tij. Kjo marrëdhënie e krijuesit me veprën e tij është krijuar jo prej dashjes apo si zgjedhje e lirë estetike, por prej rrethanash të tjera, sigurisht jashtë vullnetit të tij.
Ashtu sikundër i shohim të derdhura edhe në poezinë e këtyre fletoreve, poetit ia kishte ënda ta kujtonte shpesh përmallshëm me miqtë e tij fëmijërinë buzë gjolit me tërfil e qumështore, gështenja dhe zëmbakë uji, oreshka dhe çepallka, me pelikanë dhe lejlekë, rosa e pata, këndeska e shapka, çurka e cërre, shkurta e porpollokë, drozela e gërguj, peshk e ngjalë, të mbuluara këto me velin e mistiktë të legjendës së kaut që pëlliste nën kënetë… Për ta risjellë sado pak këtë akuarel toke, uji e qielli, po citojmë një pjesë nga poezia Këndeska e kënetës këlthet – endur me një tingëllim muzike, përmes aliteracionit dhe fjalësit onomatopeik aq të pasur:
Në mëngën e gjolit, ku çurka shpesh vijnë,
Marr grepin e pres fillikat,
Kur hëna si çupë, që fsheh me turp gjinë,
Lëndinat me nur i spërkat.
Kli-kliu, kli-kliu, me britma të brishta
Këndesk‘ e kënetës këlthet
Kalimthi shkund shapka shavar e shelgjishta,
Unë ëndërrat mes ujrave tret…
Por kjo poezi e të tjera si kjo, nuk mund të bëheshin dot pjesë e receptimit për lexuesin, sigurisht jo për faj të tyre. Sikundër pohon vet autori në një nga rrëfimet brenda këtij libri, koha për letërsinë po kthehej dita ditës në udhë travajesh, apo e shtruar gjembash (sipas një shprehjeje kuteliane). Nis te shkrimtarët ai mekanizmi i brendshëm modifikues për temat e ashtuquajtura të mëdha, tema të ditës, për artikulimin qartazi të frymës së angazhimit social e politik. Nga poet i virgjër i lirikave, rrëfehet në mënyrë të sinqertë autori, fillova të përpunohem e të kultivohem, jo në kuptimin e shkollimit, por në atë të kërkesave të kohës… Mund të pohojmë se e tërë poezia e K. Petritit e ka të pranishme një përmasë të dyfishtë poetikash, stilesh e zhanresh, që po të huazojmë përcaktimin e një studiuesi në një kontekst tjetër (A.Plasari), ato shfaqen të kërleshura si dy gjarpërinj në vallëzim. Këta simbole totemikë, në këtë rast, përcjellin furinë e betejës/konkurrimit dhe harmoninë e kontrasteve, të përcaktuara këto, sa brenda rrethanave të një kohe reale/kalendarike, aq edhe përmbi to – universalisht, pra, në jetë të jetëve.
Libri “Quaderni” është konceptuar si triptik (tripjesësh) ku hyjnë: poezitë e pabotuara të fletoreve, një antologji e krijimeve të botuara nëpër kohë të ndryshme, si dhe një antologji eseistike – do të thotë: shkrime e vlerësime nga autorë të ndryshëm për poetin. Pjesë të ndërfutura të librit janë edhe përcjellja autoriale (me titull dikotonimik Viti i Bardhë dhe Viti i Zi), intervista, si dhe disa shënime të autorit, ku fton dhe intrigon lexuesin rreth laboratorit krijues. Këtu përfshihen dhe një radhë fototekstesh në dorëshkrim, marrë prej atyre dy fletoreve, të cilat rrinë bri poezive gjegjëse të shtypshkruara.
Edhe në formatimin/kompozimin e lëndës së këtij libri, të ashtuquajturën betejë (mes spontanitetit e lirisë së poetit dhe sjelljes apo rendit sistematik/ skrupuloz të zakonit të studiuesit) duket se e fiton poeti. Dhe kjo duket se shkon në harmoni me funksionin e këtij libri, për ta ruajtur e për ta sjellë sa më autentik profilin e këtij poeti. Do të gjykonim se kemi të bëjmë me nga ato raste, kur libra të tillë, janë metodika të vërteta për të kryer studime të natyrës p.sh të sociologjisë letrare. Të kujtojmë në këtë rast djaloshin e zbritur nga një periferi fshati të largët – drejt Korçës, qytetit aq të njohur të liceut e të serenatave. Pastaj shpirti i të riut gjimnazist robëruar nga fletorkat e poezive. Dhe rrugëtimi drejt kryeqytetit, që dukej aq i largët, për të kontaktuar me ndonjë gazetë letrare ku të dorëzonte një grusht poezish e pastaj drejt një realiteti krejt të kundërt, të përmbysur, te dera e burgut për të takuar babain dhe pas tij për të takuar të vëllain, që ndodhej në një burg tjetër akoma më të largët. Ndërkaq, në shpirt do të gulçonte edhe për vëllain tjetër, atë që kishte vdekur nga një lëngim i gjatë, prej sëmundjes që kishte marrë viteve të luftës si partizan (!)
Kjo ishte ajo loja absurd, ku endej njeriu e poeti, në kalvarin e përpjekjeve për të siguruar një të drejtë studimi, pastaj për një vend pune dhe sqarime nëpër zyra për të mos u penguar të botonte. Janë të pranishme në faqet e librit kontakte e miqësi me poetë e shkrimtarë të shumtë, të profileve e prej dekadave të ndryshme. Ashtu sikundër ndeshen figura të ndryshme zyrtarësh, shefa kuadri, drejtorë, inspektorë, të niveleve lokale e qendrore, e deri ministra e zv.kryeministra, të cilët, në fakt krijojnë galerinë e piramidës zyrtare të kohës – në raportet e epërme dhe përcaktuese me krijuesin shqiptar në përgjithësi e jo vetëm me poetin në fjalë. Pra, libri është referencë e fortë edhe për njohjen e atyre raporteve që kishte krijuar sistemi i kohës me letërsinë, ku liria krijuese ishte jo pak e deklaruar/e trumbetuar, por sigurisht, e arbitruar prej parimeve kanonike.
Për poezinë e këtij autori janë prononcuar me shkrime e vlerësime një varg krijuesish e kritikësh të njohur si J. Bllaci, Xh. Spahiu, Dh. S. Shuteriqi, A.Papleka, A. Plasari, R. Musliu, B. Kuçuku, A. Jakllari, V. Koreshi, P. Jorgoni, D. Agolli, A. Vinca, K. Velça, R. Elsie, R. Brahimi, V. Zhiti, M. Zeqo, e të tjerë. Është vlerësuar sidomos verbi lirik dhe harmonia e brendshme stilistike e kësaj poezie.
Gjithsesi K. Petriti e ka të vetëndjerë një lloj strukture prej palimpsesti – letrar e përtej letrar, që shfaq mbi vete poezia shqipe e kësaj gjenerate, ku dhe ai ishte pjesë e saj. Prandaj, këtë mesazh kujtese e ka merak ta derdhë, deri edhe te strofa e fundit e krejt librit, duke ngulmuar që ta dëshmojë e të mos humbasë apo të tretet në morinë e teksteve të tjera, pra, që ai mesazh të përcillet e të dëgjohet qartazi:
… E vargu i nëmur që poeti
S‘e lindi por e shpifi,
Mbi shpinë të vargut tjetër mbeti
Kufomë e gur Sizifi.
Brenda këtij pengu/përgjegjësie krijuese, poeti arriti ta ruajë gjithsesi territorin e poezisë së tij xhenuine, pikërisht të asaj poezie, që A. Pipa ishte i mendjes, sikundër shkruante në një nga studimet e tij të fundit, se e meritonte për nga energjia shprehëse dhe intensiteti konciz, ta përfshinte në antologjinë e tij të ngushtë hipotetike – të mbarë poezisë shqipe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura