“Qeverisje që shfaqin tendenca autoritare, kërcënojnë…”, Presidenti Meta me mesazh të fortë, çfarë kujtohet si sot 45 vite më parë

Aug 1, 2020 | 17:51
SHPËRNDAJE

presidenti meta

Në 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit, Presidenti Ilir Meta thekson se parimet e tij, “janë po aq të rëndësishme edhe sot, veçanërisht në kushtet kur parimet demokratike dhe liritë themelore në shumë vende të hapësirës së OSBE-së, kërcënohen nga qeverisje që shfaqin tendenca autoritare që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve”.

Teksa nenvizon faktin qe Shqiperia ka Kryesinë e Radhës së OSBE-së, jep mesazhin e forte qe vendi yne “ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të udhëheqë me shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend”.

Postimi i Presidentit Meta:

Dita e sotme shënon 45-vjetorin e nënshkrimit të Aktit Final të Helsinkit. Duke sanksionuar parimin e respektimit të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut në themel të marrëdhënieve ndërshtetërore, Dekalogu i Helsinkit ndihmoi në fundin e Luftës së Ftohtë dhe çlirimin e Europës Lindore nga totalitarizmi komunist.

Parimet e Aktit Final janë po aq të rëndësishme edhe sot, veçanërisht në kushtet kur parimet demokratike dhe liritë themelore në shumë vende të hapësirës së OSBE-së, kërcënohen nga qeverisje që shfaqin tendenca autoritare që nuk i shërbejnë interesave të qytetarëve.

Ky jubile i rëndësishëm, duhet të na bëjë më të ndërgjegjshëm se, liritë dhe të drejtat e njeriut nuk mund të merren si të mirëqëna e të paprekshme. Për mbrojtjen të tyre duhen përpjekje e vigjilencë e përhershme.

Nëse asokohe Shqipëria komuniste ishte i vetmi vend europian që e denoncoi procesin e Helsinkit, ky përvjetor e gjen vendin tonë në krye të punëve të OSBE-së.

Me marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së, Shqipëria ka detyrimin dhe përgjegjësinë që të udhëheqë me shembullin e saj në respektimin e parimeve të Helsinkit, veçanërisht në fushën e forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit dhe zgjedhjeve të lira dhe konkurruese në vend.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura