Qeveria nis shkurtimet, Cani: Pensionet nuk preken

Jul 1, 2015 | 13:58
SHPËRNDAJE

Qeveria brenda dy javësh pritet të bëjë të qartë zërat që do të preken në buxhet nga rishikimi që do t’i bëhet planit. Mosrealizimi i të ardhurave sipas parashikimeve të bëra, ku arkës i mungojnë miliona dollarë duket se do të ketë shkurtime në disa zëra. Në konferencën e përbashkët me përfaqësues të FMN-së, guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko dhe ministrin e Ekonomisë Arben Ahmetaj, kreu i Financave dha në detaje dytre zërat e parë për të cilët panorama është e qartë.

NDRYSHIMET

Shpenzimet kapitale do të realizohen në masën e parashikuar në buxhet, kjo edhe për të mos e goditur më tej ekonominë. Të paktën kështu tha dje kreu i Financave. “Ne jemi të bindur që Qeveria do të mund ta mbajë buxhetin nën kontroll dhe deficiti i projektuar do të realizohet deri në fund të vitit dhe sidomos nuk do të preken shpenzimet kapitale.

Tashmë duhet të dimë se edhe reformat strukturore kanë filluar dhe kuptohet që do të vijojnë të japin, me më shumë intensitet, efektet e tyre pozitive”, tha kreu i Financave. Më tej ai shtoi se nuk do të ketë prekje të parave të parashikuara në zërin e politikave të reja të pensionit. Pra, qeveria pritet të bëjë indeksim ose rritje të pensioneve. Edhe pse situata e të ardhurave nuk ka qenë më e mira, Cani u shpreh se nuk do të preken pensionistët. Një zë në rënie do të jetë ai i interesave ku parashikimi ishte dukshëm më i lartë, sesa situata reale. FMN Shefi i misionit të FMNsë në Shqipëri, Nadeem Ilahi, tha dje se kahu i vetëm nga i cili mund të shohë Shqipëria për korrektim fiskal është ai i të ardhurave dhe kjo jo domosdoshmërisht kërkon rritje të taksave. Sipas tij, mund të ketë zgjerim të bazës tatimore.

“Siç e kam përmendur edhe më përpara, në krahasim me vende të tjera të botës, Shqipëria ka një nivel më të ulët të shpenzimeve buxhetore, e shprehur kjo në përqindje të PBB. Prandaj kjo e bën shumë të vështirë rregullimin fiskal në formën e uljes së shpenzimeve buxhetore, çka do të thotë që duhet parë nga kahu i të ardhurave, që jo gjithmonë është e thënë që të bëhet përmes rritjes së normës së tatimeve të ndryshme, por mund të bëhet duke zgjeruar normën tatimore. Kjo është pjesë e diskutimit të misionit të buxhetit”, tha Ilahi në fjalën e tij.

ENERGJIA

Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte i pari që i kërkoi me ngulm qeverisë, në atë kohë e sapoardhur në pushtet, që të rriste tarifat për energjinë dhe të ulte humbjet. Dje shefi i misionit të FMN-së u shpreh se kjo reformë ka ecur në rrugën e duhur, por qeveria duhet të jetë e vendosur për ta çuar deri në fund. “Zbatimi i reformës në sektorin energjetik ka qenë i mirë dhe do të lehtësojë barrën mbi financat publike këtë vit. Vjedhja e energjisë elektrike është zvogëluar ndjeshëm dhe reformat në shoqëritë shtetërore të energjisë elektrike po ecin sipas planit. Mbajtja e angazhimit për reformën është kritike për të siguruar që sektori nuk do të varet më nga mbështetja buxhetore”, tha Ilahi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura