Qeveria mbyll Ambasadat në katër shtete

Jul 31, 2014 | 9:13
SHPËRNDAJE

Qeveria ka vendosur mbylljen e katër ambasadave të Shqipërisë. Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë të Jashtme është votuar për mbylljen e selive diplomatike në Malajzi, Portugali, Bosnje-Hercegovinë dhe Indi. “Me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi: Mbylljen e Përfaqësisë Diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në vendimin e qeverisë të miratuar ditën e djeshme.

Mbylljen e ambasadave e paralajmëroi pak ditë më parë edhe sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko. Në një raportim në Komisionin e Punëve të Jashtme ai tha se përfaqësitë e kompletuara diplomatike do të ruhen në vendet kryesore dhe në shtetet që konsiderohen si partner strategjik, kurse në shtetet e tjera do të ketë ambasadorë, por që do të jenë rezidentë në Tiranë dhe vizitat e tyre të punës do t’i kryejnë 3-4 herë në vit në shtetet në të cilat do të duhet të përfaqësojnë Shqipërinë.

“Ky proces nuk po ndodh vetëm në shërbimin tonë të jashtëm, por të gjitha vendet anëtare të BEsë po rishikojnë përfaqësitë e tyre, riorganizimin dhe rishikimin e shërbimit të jashtëm jo vetëm në planin financiar, sesa në planin e përcaktimit të prioriteteve dhe mbështetjen e tyre me burime njerëzore dhe financiare. Nga ana tjetër, më duhet të them se do të përdorim më mirë se tani praktikat ndërkombëtare, sikurse janë ambasadorët rezidentë. Pra, jo domosdoshmërisht mund të kesh një përfaqësi sepse ka kosto jo të vogël, por mund të përdorësh praktika që shumë vende i përdorin, p.sh. rolin e ambasadorit rezident”, theksoi Qirko. PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura