Qeveria i “përulet” Rusisë për vaksina përmes Arabisë! Si u injorua oferta e ambasadorit rus

Mar 23, 2021 | 14:27
SHPËRNDAJE

Mbërrijnë 10 mijë doza të vaksinës ruse, “Sputnik V”, dhuratë nga Arabia.

rama-vaksina-ruse-sputnik

Pasi mbylli çdo shteg dhe konsideroi provokim ofertën e ambasadorit rus për të sjellë në Shqipëri vaksinën, Kryeministri Rama “është detyruar” të bëjë një hap pas. Kësaj here jo vetëm nuk i është thënë jo dhuratës, por mandej është falënderuar Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara për dërgesën. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Qeverisë tha se shumë shpejt do të mbërrijnë sasi të tjera të konsiderueshme vaksinash, por pa dhënë më shumë informacion nëse përfshihen këtu vaksinat ruse dhe kineze. “Mbërrijnë 10.000 vaksina ‘Sputnik’, dhuratë nga Princi i Kurorës së Emirateve të Bashkuara, miku i çmuar Muhammed Bin Zayed. Së shpejti, shuma të konsiderueshme vaksinash të tjera do të pasojnë, duke na krijuar mundësinë të rrisim fuqishëm numrat e vaksinimeve ditore, për të dalë së shpejti nga tuneli i gjatë i kësaj lufte të egër”, ka shkruar Rama.

DËRGESA

Për të pritur dërgesën me vaksinat ruse, në aeroportin “Nënë Tereza” ishte ministrja e Shëndetësisë, Manastirliu, dhe ministri i Rindërtimit, Ahmetaj, të cilët vlerësuan ndihmën e Emirateve të Bashkuara, ndërsa u shprehën se priten doza të tjera vaksinash nga negociatat që po zhvillohen. “10 mijë dozat e vaksinës ‘Sputnik’, donacion i Emirateve të Bashkuara Arabe tashmë kanë mbërritur dhe do të shtrijmë edhe më gjerë vaksinimin. Do të vijojmë të sigurojmë akoma më shumë vaksina, në mënyrë që sa më shpejt të jetë e mundur të fillojmë vaksinimin masiv të popullatës dhe të parapërgatitemi për të qenë më të lehtësuar edhe për turizmin”, tha Manastirliu. Sputnik V nuk është një vaksinë e certifikuar nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA). por sipas ministres, “komiteti i Iminizimit dhe gjithë strukturat, të cilat merren me certifikimin, sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, tashmë kanë dhënë prej disa javësh garancinë për vaksinat, që ofrojnë siguri dhe efikasitet.

VENDIMI

Kujtojmë që pak ditë më parë qeveria miratoi një vendim të ri, më anë të të cilit i dha “dorë të lirë” ministres së Shëndetësisë dhe ministrit të Rindërtimit për zhvillimin e negociatave me shtetet që prodhojnë vaksina, pa përjashtuar askënd.

I vetmi kusht është që vaksinat duhet të jenë të certifikuara nga trupa përkatëse në vendin e prodhimit të tyre, duke lënë të hapur mundësinë që Shqipëria të negociojë direkt edhe me ato shtete, që më parë i kishte përjashtuar si mundësi, Rusinë dhe Kinën.

“Akt normativ për dhënien e autorizimit ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe ministrit të Shtetit për Rindërtimin për zhvillimin e negociatave me prodhuesit, me distributorë të autorizuar, me qeveritë ose institucionet e autorizuara prej tyre, të vendeve që prodhojnë ose distribuojnë vaksina anti-Covid, për të siguruar këto vaksina, të cilat janë të certifikuara nga trupa certifikuese në vendin e prodhimit të tyre”, thuhet në dokument. Ndërkohë, lidhur me ecurinë e vaksinimit, që prej 11 janarit dhe deri më tani janë kryer në total 46,515 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Nga këto janë kryer 27,334 vaksinime për personelin shëndetësor dhe stafet mbështetëse, 7,753 vaksinime për të moshuar dhe 11,428 vaksinime për arsimtarët.

Si u injorua oferta e ambasadorit rus për vaksina

Në fillim të vitit, ambasadori rus i bëri ftesë të hapur qeverisë përmes këshilltarit të Kryeministrit, Endri Fuga. Në një status ku ky i fundit i ankohej Bashkimit Europian se Ballkani Perëndimor është lënë i vetëm në këtë sfidë, Ambasada e Rusisë shprehu gatishmërinë për të sjellë në Shqipëri vaksinën ruse “Sputnik V”.

Por për Kryeministrin Rama ftesa ishte një provokim qesharak. “Kam menduar se ka qenë një meme ajo që pashë. Pasi për një shtet serioz është e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Kur them provokim, nuk i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus. Nuk është mirë që Rusia të bëhet qesharake nëpërmjet këtyre postimeve. Shpreh keqardhjen për këtë”, tha Rama në fund të vitit që shkoi. Por disa muaj më vonë, kreut të qeverisë i është dashur të gëlltisë këtë deklaratë. Sinjali i parë për kthimin e vëmendjes nga vaksinat lindore ishte gati 10 ditë më parë, kur përmes një vendimi qeveria i çeli rrugën edhe vaksinave të pacertifikuara nga Agjencia Europiane e Barnave (EMA).

Por dje nisma ligjore është bërë konkrete. Për sjelljen e vaksinës ruse ‘Sputnik V’ është kërkuar ‘ndihma’ e Arabisë Saudite. Të hënën, në aeroportin ‘Nënë Tereza’ kanë mbërritur 10 mijë dozat e para të vaksinës ruse duke shkrirë edhe akujt mes dy vendeve të krijuar, prej deklaratës së Kryeministrit Rama në fund të vitit që shkoi. Prej disa ditësh, kreu i qeverisë flet për sasi të mëdha vaksinash që pritet të mbërrijnë, por pa dhënë detaje nëse bëhet fjalë për vaksina perëndimore apo vaksina nga lindja. Javën e kaluar, edhe ambasada kineze shprehu mbështetjen në sigurimin e vaksinave nga Kina.

“Hyrja e vaksinës kineze në Shqipëri ka të bëjë me një sërë problemeve teknike. Në qoftë se pala shqiptare ka interes për vaksinën kineze, mund të kontaktojë direkt me kompanitë përkatëse kineze, ambasada kineze është e gatshme të japë asistencë të nevojshme. Gjithashtu, kemi kënaqësi të shohim që Shqipëria të sigurojë sasi të mjaftueshme të vaksinës nëpërmjet rrugëve të ndryshme dhe kemi dëshirë për të ofruar mbështetje të nevojshme”, tha ambasada kineze për “ABC news”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura