Jetëshkrimet. Qeveria, 13 ministra dhe Rama të lindur në Tiranë

Sep 13, 2013 | 9:25
SHPËRNDAJE

Biografia zyrtare me bashkëshortet e fëmijët. Peleshi e Bushati me
“Medalje ari”. Cani me karrierën më të gjatë në qeverisje.

Në programin qeverisës për katër vitet e ardhshme janë botuar dhe jetëshkrimet zyrtare të anëtarëve të kabinetit të ri. Kryeministri dhe 13 ministra kanë lindur në Tiranë, dy në Skrapar, nga një në Shkodër, Durrës, Gjirokastër, Korçë dhe Krujë. Zv.kryeministri Niko Peleshi ka mbaruar gjimnazin në Korçë me medalje ari. Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka mbaruar Fakultetin e Drejtësisë 1999 me medalje ari. Në to, duke nisur që nga Kryeministri Rama, është tentuar të jepen momentet më të rëndësishme për karrierën e çdo ministri, edhe duke lënë në harresë ndonjë element.

Kreu i qeverisë, Edi Rama, nuk ka përmendur në asnjë rresht diplomimin universitar apo pasuniversitar, por ka nisur direkt me karrierën. Ndërsa shumë nga ministrat e nisin jetëshkrimin e tyre edhe nga shkolla e mesme. Erion Veliaj ka harruar të përmendë që ka krijuar dhe drejtuar Partinë G99 duke kandiduar në 2009 me siglën e saj. Në të gjithë listën e gjatë të ministrave, Shkëlqim Cani duket njeriu me përvojë më të mirë qeverisëse, duke pasur një sërë institucionesh dhe detyrash të larta që ka mbajtur gjatë karrierës së tij.

Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka më shumë kualifikime nga të gjithë ministrat dhe angazhime me organizata dhe projekte të ndryshme. Shumica e ministrave kanë gradën shkencore të “Doktorit të Shkencave”, ndërsa ministrja e Arsimit ka master në një universitet privat në Shqipëri. Aristir Lumezi

EDI RAMA
Kryeministër Ka lindur në Tiranë më 4 korrik 1964. Ai është i martuar me zonjën Linda Rama dhe kanë dy fëmijë, Gregun dhe Rean. Edi Rama ka një karrierë të larmishme në arte, sport, mësimdhënie, publicistikë dhe politikë. Ka qenë pedagog i pikturës në Akademinë e Arteve, lojtar i ekipit kombëtar të basketbollit, autor i librave “Refleksione” në bashkëpunim me Ardian Klosin, botuar fill pas rënies së diktaturës, dhe “Kurban”, botuar në vitin 2011. Po ashtu, Edi Rama ka botuar edhe dy libra arti me krijimet e tij, në bashkëpunim me artistin e njohur Anri Sala, si edhe është autor e pjesëmarrës i shumë ekspozitave nëpër botë. Përfshirja e Edi Ramës në jetën publike dhe politike zë fill me lëvizjen për demokraci që rrëzoi regjimin komunist në Shqipëri, ku ai ishte një nga zërat më të spikatur publikë, por edhe një drejtues i njohur i lëvizjes studentore në Akademinë e Arteve. Pas një largimi disa vjeçar jashtë Shqipërisë, ku iu përkushtua jetës artistike, por kritik aktiv në shtyp i qeverisjes së parë post-komuniste, Edi Rama hyri në politikë si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në vitin 1998. Gjatë periudhës që drejtoi këtë ministri ai fitoi mbështetjen dhe vlerësimin e publikut shqiptar për mënyrën kreative dhe të efektshme të promovimit të artit dhe kulturës në Shqipëri. Në vitin 2000 Edi Rama kandidoi për Bashkinë e Tiranës me mbështetjen e Partisë Socialiste, duke shënuar një fitore të thellë ndaj rivalit të tij. Pas fitores ai ndërmori një fushatë transformimi dhe rigjenerimi të kryeqytetit, duke rikthyer hapësirat publike të pastruara nga ndërtimet pa leje, duke shtuar hapësirat e gjelbra dhe përgjithësisht, duke sjellë një vizion dhe frymë të re administrimi të punëve të kryeqytetit. Nën lidershipin e Edi Ramës, Bashkia e Tiranës u kthye në një institucion modern evropian. Projektet e tij për futjen e ngjyrës në hapësirën publike përmes fasadave të rrënuara të banesave popullore të periudhës komuniste, rehabilitimi i shtratit të Lumit Lana, shtimi i parqeve dhe hapësirave të gjelbra në kryeqytet dhe rindërtimi me standarde të reja projektimi i rrjetit rrugor të Tiranës, janë vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ku mund të përmenden World Mayor Award (2004) dhe European Hero Award i revistës Time. Edi Rama u rizgjodh sërish Kryetar i Bashkisë Tiranë në vitin 2003 dhe 2007 dhe për 11 vjet drejtoi kryeqytetin e Shqipërisë. Në vitin 2005, Edi Rama u zgjodh Kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, të cilën e udhëhoqi gjatë viteve të vështira në opozitë dhe në fitoren plebishitare të 23 qershorit 2013.

NIKO PELESHI
Zëvendëskryeministër Niko Peleshi ka lindur në Korçë më 11 nëntor 1970. Ai është i martuar me znj. Amarda Peleshi dhe kanë tre fëmijë Aleksian, Stivin dhe Johanin. Ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin Inxhinier Elektronik. Në vitin 1989 ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë me Medalje të Artë. Z. Peleshi ka patur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës, si dhe në vitet (2001-2004) ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë. Karriera politike e Z. Peleshi fillon në Tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion përreth 1 vit. Në vitin 2005, zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të Shkurtit 2007 zgjidhet Kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-s. Prej vitit 2012 është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2013 zgjidhet anëtar me të drejta të plota i Komitetit të Monitorimit të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze. Flet rrjedhshëm gjermanisht dhe greqisht.

MIMI KODHELI
Ministre e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka lindur në Tiranë më 11 shtator 1964. Ajo është e martuar me Lekën dhe kanë një djalë, Mikelin. Znj. Kodheli është Doktorante e Shkencave Ekonomike nga Universiteti i Veronës, Itali, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, prej vitit 2007. Ka një Master në Administrim Biznesi nga Universiteti i Lincoln, Nebraska, SHBA në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës prej vitit 2000 si dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, Dega Financë në vitin 1986. Znj. Mimi Kodheli ka hyrë në politikë në vitin 2002, kur edhe u bë Nënkryetare e Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2005, ajo u emërua Prefekte e Qarkut të Tiranës dhe në vitin 2009 u zgjodh Deputete e Kuvendit të Shqipërisë duke mbajtur pozicionin e Nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë dhe Financës përgjatë gjithë legjislaturës. Që prej vitit 2007 e në vazhdim është Anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Ajo është trajnuar në fusha të ndryshme si ato të tregjeve ndërkombëtare dhe të letrave me vlerë, tregjet e punës dhe të investimeve, trajnim për ndërmarrjet të vogla e të mesme, ekzaminim dhe menaxhim bankar. Ajo ka marrë pjesë në një program të Departamentit Amerikan të Shtetit të titulluar “Gratë në Politikë” si dhe atë të titulluar “Politikat e Sigurisë Kombëtare”- Qendra Europiane e Sigurisë, Marshall. Znj. Kodheli zotëron gjuhën angleze dhe italiane, si dhe njeh mjaftueshëm gjuhën frënge dhe spanjolle.

SAJMIR TAHIRI
Ministër i Brendshëm Saimir Tahiri u lind më datë 30 tetor 1979 në Tiranë. Është i martuar me Fatlindën dhe ka një djalë me emrin Drini. Vazhdon studimet për mbrojtjen e Gradës Doktor Shkencash, në fushën e së Drejtës Parlamentare në Shqipëri. Ka përfunduar studimet Master për të Drejtë Publike pranë Departamentit të së Drejtës Publike në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Është diplomuar për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Në vitin 2009, zgjidhet përfaqësues në Parlament i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, në Legjislaturën e XVIII të tij. Gjatë kësaj legjislature ka mbajtur funksionin e Nënkryetarit të Grupit Parlamentar. Që prej vitit 2011, Saimir Tahiri zgjidhet dhe ushtron detyrën e Kryetarit të Partisë Socialiste për Tiranën. Gjatë periudhës 2009-2013 ka qenë Anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Që prej vitit 2008 mban titullin Avokat. Në vitet 2006- 2008 ka qenë pedagog i jashtëm pranë Fakultetit të Drejtësisë dhe në disa institucione arsimore të larta. Ka njohuri shumë të mira të gjuhës angleze dhe italiane.

DITMIR BUSHATI
Ministër i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati lindi në Shkodër më 24 mars 1977. Ai është i martuar me znj. Aida Bushati (Gugu). Ata kanë dy fëmijë, Hera dhe Martin. Z. Bushati është zgjedhur deputet në Qarkun e Tiranës në 2009-n dhe u rizgjodh sërish në të njëjtin qark në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013. Ai ka shërbyer si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Integrimin Europian (2011-2013) dhe anëtar i Komitetit të Përbashkët Parlamentar BE-Shqipëri (2009-2013). Prej 2011, ai është zgjedhur Anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë. Z. Bushati është diplomuar me medalje të artë nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999). Ai ka kryer studimet për Master në të Drejtën Ndërkombëtare Publike (LL.M.) në Universitetin e Leidenit, Holandë (2001). Z. Bushati ka qenë përfitues i bursave të programeve të ndryshme të studimit dhe kërkimit si: TEMPUS, NUFFIC, Victor Felsom, Kokalis. Ai ka qenë kërkues shkencor në të Drejtën Ndërkombëtare Publike pranë Institutit TMC Asser, Hagë, Holandë (2003) dhe kërkues shkencor në Çështjet Europiane, pranë Universitetit të Athinës, Greqi (2000). Ai ka kryer një sërë specializimesh për çështjet ndërkombëtare në disa institucione prestigjioze si: Universiteti i Harvardit; Akademia e së Drejtës Ndërkombëtare në Dallas, SHBA; Akademia Universitare Abo, Finlandë. Përpara përfshirjes në politikë, z. Bushati ka qenë aktivist i shoqërisë civile. Ai ka drejtuar Lëvizjen Europiane në Shqipëri. Ka ushtruar gjithashtu funksionin e Drejtorit të Përafrimit të Legjislacionit në Ministrinë e Integrimit Europian, duke qenë njëkohësisht pjesë e ekipit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA); këshilltar i Zëvendëskryeministrit për Çështjet Europiane; këshilltar ligjor në Gjykatën Kushtetuese; Zyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë; Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Hagë, Holandë. Z. Bushati ka shërbyer si analist i Freedom House (2007-2008) për Raportin “Kombet në Tranzicion” (Nations in Transit); reporter kombëtar për Shoqatën Europiane të së Drejtës Ndërkombëtare (ESIL); koordinator kombëtar i Fondacionit për Shoqëri të Hapur (OSF) për monitorimin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian (2006-2008). Ai ka shërbyer si konsulent në projekte të ndryshme të BE, BB, USAID, GIZ, OSI, Fondacionit Friedrich Ebert, IOM, SNV. Z. Bushati gjithashtu është lektor në të Drejtën Europiane dhe Procesin e Zgjerimit të BE-së pranë institucioneve të ndryshme universitare e kërkimore në Shqipëri e Kosovë. Ai ka botuar punime shkencore dhe artikuj në fushat e lidhura me procesin e zgjerimit të BE-së, të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe të Drejtën Europiane. Z. Bushati është zotërues i gjuhës angleze dhe italiane e njohës i frëngjishtes.

KLAJDA GJOSHA
Ministre e Integrimit Europian Klajda Gjosha lindi në Tiranë më datë 28 korrik 1983. Ajo është e martuar me z. Ardian Gjoni. Znj. Gjosha u diplomua në vitin 2006 me titullin Master në degën Studime Europiane në Universitetin e Reading në Mbretërinë e Bashkuar. Në vitin 2005 përfundoi studimet Bachelor në degën Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Universitetin e Reading, në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu në vitin 2002, znj. Gjosha përfundoi shkollën e mesme në nivelin e avancuar pranë Kolegjit Strode në Mbretërinë e Bashkuar. Znj. Gjosha ka shërbyer si Zëvendësministre e Ministrisë së Punës, çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (2012-2013). Prej vitit 2012 ajo është Nënkryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Kryetare e Forumit të Gruas të LSI-së dhe Anëtare Kryesie e kësaj partie. Znj. Gjosha ka ushtruar disa funksione drejtuese në institucione të tjera si: Bashkia e Tiranës, Drejtoria Rajonale e Punësimit Tiranë dhe Agjensia Kombëtare e Turizmit. Gjithashtu, znj. Klajda Gjosha ka kryer disa trajnime dhe internshipe pranë disa organizmave si: Agjencia Ndërkombëtare e Bashkëpunimit Japonez, Parlamenti Europian, pranë zyrës së znj. Doris Pack, Bruksel. Ajo zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe në nivel mesatar gjuhën italiane.

SHKËLQIM CANI
Ministër i Financave Shkëlqim Cani ka lindur më 6 maj 1956 në qytetin e Tiranës. Ai është i martuar me znj. Merita Cani. Që nga vitit 2003, zoti Cani mban titullin “Profesor”. Në vitin 1991 fitoi gradën shkencore “Doktor në Ekonomi”, Universiteti i Tiranës, për studime të specializuara në fushën bankare. Në periudhën (1981- 1983) ka përfunduar Kursin e Plotë Pasuniversitar të Tregtisë Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Studimet universitare i përfundoi në vitin 1980, në Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dega Financë. Karriera e tij politikë fillon në vitin 1991 si Zëvendëskryetar i Këshillit të Ministrave. Deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në Legjislaturën XII (1991- 1992) dhe në Legjislaturën XIII (1992-1996), ku ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financës. U zgjodh Deputet në Legjislaturën e XV në vitin 1997, ku ka qenë anëtar i Komisionit të Lartë Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe Privatizimit, por që e dorëzoi mandatin për shkak të emërimit Guvernator i Bankës së Shqipërisë (1997-2004), ku për këtë periudhë, ka mbajtur edhe detyrën e Guvernatorit të FMN-së dhe MIGA-s për Shqipërinë. U zgjodh Deputet në Legjislaturën e XIX në vitin 2013. Z. Cani ka kryer detyra të rëndësishme shtetërore, si: Anëtar i Komisionit Ndërministror të Politikave Ekonomike (1998-2004); Anëtar i Klubit të Guvernatorëve të Bankave Qendrore të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe të Ballkanit dhe Zëvendëskryetar i këtij Klubi; Zëvendëskryetar i Komitetit Qeveritar të Borxhit të Jashtëm (1997-2004); Kryetar i Bordit të Bursës së Tiranës (1997-2002); Anëtar i Bordit Ekzekutiv të Lion’s Club (1994-1997) Drejtor i Përgjithshëm i Bankës Tregtare të Shqipërisë (1990-1991); Drejtor i Departamentit të Jashtëm dhe Anëtar i Bordit i Bankës së Shtetit Shqiptar (1985-1990). Në vitin 1994, nga kolegji Heidelbergense Tiffinae, Ohioensis, SHBA, ka fituar certifikatë për studime në fushën politike dhe në politikat qeveritare (Qershor) dhe certifikatë të studimeve në Administrim Biznes (Maj). Në periudhën Janar – Mars 1989 ka ndjekur kursin e thelluar për politikat e analizës së kreditit, kuadrin ligjor dhe institucional të garancive financiare të eksportit pranë Deutsche Bundesbank dhe KfW, Gjermani. Kurse në periudhën Shkurt – Maj 1985 ka ndjekur kurs për politikat dhe instrumentet bankare pranë Laenderbank, Vjenë, Austri. Njeh shumë mirë gjuhën angleze. Ka njohuri të gjuhëve italiane, frënge, gjermane dhe ruse.

EDMOND HAXHINASTO
Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto lindi në Tiranë më 16 nëntor 1966. Ai është i martuar me znj. Enkeleida Haxhinasto dhe kanë një vajzë, Elizën. Eshtë diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, në degën Anglisht, në 1989. Në 1996 mori titullin Master në Administrim Biznesi për nivelet Ekzekutive, në Slloveni, ndërsa, në vitin 2000, kreu Master në Politikë Publike, nga Shkolla “Woodrow Wilson” e Universitetit Princeton, në SHBA. Në vitin 2004 ishte ndër themeluesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku ka mbajtur pozicionet e Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar si dhe postin e Zëvëndëskryetarit. Z. Haxhinasto është anëtar i Kryesisë së LSI, Sekretar Politik për Qarkun e Elbasanit. Gjatë viteve 2009 – 2010 ka shërbyer si Zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transporteve. Më pas gjatë periudhës 2010-2012 ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Nga viti 2012, deri në vitin 2013, ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. Nga Janari 2011 deri në Prill 2013 ka mbajtur postin e Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë. Ai ka shërbyer në disa detyra të tjera të rëndësishme si: Përfaqësuesi i Qeverisë në Grupin e Menaxhimit të Emergjencave të ngritur për situatën e Refugjatëve kosovarë në Shqipëri, Këshilltar Diplomatik i Kryeministrit të Shqipërisë, i Ngarkuar me Punë i përhershëm në Ambasadën Shqiptare në Beograd. Z. Edmond Haxhinasto zotëron shumë mirë anglishten dhe italishten.

EGLANTINA GJERMENI
Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni ka lindur në qytetin e Krujës në vitin 1968. Ajo është e martuar me z. Marian Gjermeni dhe kanë 2 fëmijë, Erik dhe Megi. Aktualisht znj. Gjermeni mban titullin e Doktorit të Shkencave në Punë Sociale. Titullin Master në Punë Sociale e mori në Universitetin Grand Valley State University në Michigan, SHBA në vitet 1997-1998. Studimet pasuniversitare për degën Punë Sociale i kreu në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës në vitet 1993-1994. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë në degën Histori, në vitet 1986 – 1990. Në vitin 2009 Eglantina Gjermeni u zgjodh për herë të parë deputete e Partisë Socialiste në legjislaturën e XVIII të Kuvendit të Shqipërisë. Rizgjidhet në mandatin e saj të dytë në legjislaturën e XIX në zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në vitin 2013. Në vitin 2011, znj. Gjermeni zgjidhet si Anëtare Kryesie e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Gjatë mandatit të saj të parë si deputete, ka qenë anëtare e Komisionit të Shëndetit dhe Çështjeve Sociale. Për dhjetë vite me radhë ka drejtuar në mënyrë të suksesshme Qendrën “Aleanca Gjinore për Zhvillim”. Është një nga ekspertet më të njohura në vend për fushën e barazisë gjinore dhe çështjeve sociale. Znj. Gjermeni është autore e shumë botimeve dhe publikimeve në këtë fushë brenda dhe jashtë vendit. Përgjatë karrierës së saj znj. Gjermeni ka marrë pjesë dhe është kualifikuar në një sërë trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në tematika si: Barazia Gjinore, Menaxhim Projektesh, Lidership, Gratë në Politike. Çështjet Sociale, të organizuara nga institute prestigjoze ndërkombëtare si: Qendra e Trajnimit ILO në Torino, Qendra e Trajnimit për Zhvillimet Gjinore në Holandë, Grand Valley State University në SHBA, Central European University në Hungari, Fondacioni Soros, etj. Prej vitit 1995 vijon të jetë Pedagoge pranë Departamentit të Punëve Sociale, në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës. Zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe atë italiane.

ARBEN AHMETAJ
Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj ka lindur më 28 qershor të vitit 1969 në qytetin e Gjirokastrës. Ai është i martuar me znj. Albina Mançka, dhe ka dy vajza, Livia dhe Kejsi. Z. Ahmetaj mban titullin Doktor i Shkencave në fushën e Sigurisë Energjitike, Siguri Ndërkombëtare, prej Universitetit të Bukureshtit (2005-2009). Ai është diplomuar prej Universitetit të Tiranës për Gjuhë Angleze, i Specializuar në Literaturë Amerikane dhe Angleze, në vitin 1991. Ka kryer në vitin 1996, Master për Tregti Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Patterson, Universiteti i Kentucky, SHBA. Z. Arben Ahmetaj është Anëtar i Parlamentit Shqiptar, i zgjedhur në Legjislaturën XVIII-XIX Qarku Korçë- Gjirokastër. Është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtar në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Në karrierën e tij të mëparshme ka mbajtur rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Integrimit Europian, (2004-2005) dhe rolin e Zëvendësministrit në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, (2003- 2004). Ka kryer Funksionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Tatimeve të Shqipërisë dhe ka qenë përgjegjës për hartimin e politikave të reja dhe të legjislacionit të ri (Kodi i ri fiskal, akcizat dhe legjislacioni i ri për taksën e drejtpërdrejtë). Në vitet 1992- 1993, ka kryer funksionin e Këshilltarit të Ministrit të Financave si dhe asistent i thesarit të SHBA. Gjithashtu z. Ahmetaj ka marrë pjesë dhe ka kryer projekte studimi me Universitetin e Georgetown, Edmund Walsh School of Foreign Service, Washington, SHBA, Universiteti Harvard, Menaxhimin e Konflikteve në Kohën e Teknologjisë së Informacionit (Athinë). Ai është autor i një sërë punimesh shkencore. Ai zotëron shumë mirë gjuhët angleze, italiane, greke, si dhe është njohës i gjuhës ruse.

LINDITA NIKOLLA
Ministre e Arsimit dhe Sportit Lindita Nikolla lindi në Tiranë më 22 tetor 1965. Ajo është e martuar me z. Ligor Nikolla dhe ka një vajzë që quhet Livia. Në korrik 2010 ka kryer studimet Master në administrim publik, drejtimi: pushtet ekzekutiv pranë Albanian University dhe në vitin 1989 ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti i Tiranës. Ajo ka hyrë në politikë në vitin 2003. Gjatë viteve 2003-2006, është zgjedhur si Këshilltare e Këshillit të Njësisë Bashkiake Nr.1, Tiranë. Është zgjedhur për dy mandate në periudhën 2007- 2011 dhe 2011-2013, Kryetare e Njësisë Bashkiake Nr.1 Tiranë. Në zgjedhjet e 23 Qershorit 2013 zgjidhet deputete e qarkut të Tiranës. Nga shtatori i vitit 2007 znj. Nikolla është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste. Në vitin 2006 ka përfunduar Akademinë për Udhëheqësi dhe Reformë pranë Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim (NDI) në Tiranë dhe në Qershor të vitit 2008 ka kryer Akademinë mbi Policimin Komunitar dhe Qeverisjen Vendore në Universitetin e Pitsburgut, SHBA. Znj. Nikolla ka kryer gjithashtu një sërë kualifikimesh në menaxhimin e shkollës dhe mësimdhënien e matematikës, si dhe për fuqizimin e gruas në vendimmarrje. Znj. Nikolla zotëron gjuhën angleze dhe njeh gjuhën frënge dhe italiane.

NASIP NAÇO
Ministër i Drejtësisë Nasip Naço lindi në Skrapar më 5 prill 1961. Ai është i martuar me znj. Theodhora Naço, dhe kanë dy fëmijë: Betina dhe Franko. Ai është diplomuar për Drejtësi në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës në 1992. Në vitet 2008-2009, ai ka qenë Sekretar Politik i LSI-së, për Qarkun e Beratit. Në legjislaturën e XVIII, zgjidhet deputet i Qarkut te Beratit, për Grupin Parlamentar të LSI-së, dhe në periudhën 2009-2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Në vitet 2011-2012 ai ushtron detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në Korrik 2012. Z. Naço ka ushtruar disa detyra të rëndësishme shtetërore si: Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Berat, Drejtor i Shërbimit Informativ në Ministrinë e Brendshme, Prokuror pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Shef Sektori kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve kundër Personit, pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës. Z. Nasip Naço ka marrë pjesë në disa seminare dhe kurse trajnuese, të organizuara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nga Shkolla e Magjistraturës dhe jashtë vendit në Itali, Poloni, SHBA, Danimarkë, Gjermani, me tematika të ndryshme në fushën e së drejtës penale e procedurës penale, të përmbarimit gjyqësor, të policisë, etj. Ai është njohës i gjuhës angleze dhe italiane.

MIRELA KUMBARO
Ministre e Kulturës Mirela Kumbaro Furxhi ka lindur në Tiranë në vitin 1966. Ajo është e martuar me z. Aleksandër Furxhi dhe është nënë e dy fëmijëve, Sara dhe Tom. Ajo mban titullin Profesore e Asociiuar, të fituar në vitin 2012 në Universitetin e Tiranës, në fushën e gjuhësisë. Në vitin 2009 ka mbrojtur titullin Doktor i Shkencave në fushën e Studimeve Përkthimore pranë Universitetit të Tiranës. Ka mbrojtur Diplomën për Master në përkthim dhe komunikim ndërkulturor në vitin 1994, në E.S.I.T – Paris III, Universiteti i Sorbonne-Nouvelle, në Paris, Francë. Ka kryer studimet universitare dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në fushën e letrave frënge, në vitin 1988. Znj. Mirela Kumbaro Furxhi nuk vjen nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile ku ka kontribuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale. Znj. Kumbaro është përkthyese, publiciste dhe eksperte ndërkombëtare për projekte ndërkulturore dhe për programe kërkimore universitare, të ndërmarra nga organizatat ndërkombëtare si Bashkimi Europian, Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë. Ajo zotëron shumë mirë frëngjishten dhe italishten, si dhe mjaftueshëm anglishten.

DAMIAN GJIKNURI

Ministër i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri lindi më 25 maj 1972, në qytetin e Tiranës. Ai banon në Tiranë dhe është i martuar me Rovena Gjiknuri (Agolli) me të cilën ka një djalë të quajtur Aleks. Ai është i diplomuar në Drejtësi në vitin 1994, në Universitetin e Tiranës dhe zotëron gradën Master në Politikat Publike dhe Ligj të lëshuar nga “NPS School” të Monterey, Kaliforni, SHBA (2004) dhe Kolegji i Ligjit Londër, Britani e Madhe (1996). Ai ka kryer edhe disa studime pasuniversitare në Qendrën për Politikat e Sigurisë në Gjenevë (2000) dhe të Drejtë Ndërkombëtare në Universitetin e Leidenit, Holandë (1994). Gjatë aktivitetit profesional ka kryer dhe kurse të ndryshme profesionale në institucione të ndryshme arsimore dhe profesionale në SHBA dhe BE, në fushat e sigurisë, mjetet speciale te hetimit, hetimi penal, kontratat publike, koncesionet, politika publike, ligjet zgjedhore etj. Z. Gjiknuri është anëtar i Partisë Socialiste që nga viti 2005 dhe është zgjedhur deputet në qarkun e Elbasanit (Gramsh) në vitin 2009 dhe 2013. Ai është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste dhe Sekretar për Çështjet Zgjedhore që nga viti 2011. Më parë, në vitin 2007 ai u zgjodh Nënsekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore dhe bashkëautor i Kodit Zgjedhor 2008. Gjiknuri ka qenë anëtar i Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë 2009-2013, si dhe bashkëkryetar i Komisionit të Reformës Zgjedhore 2011- 2012. Përpara zgjedhjes si deputet në vitin 2009, Z. Gjiknuri ka punuar si drejtues i një zyre ligjore dhe këshilltar ligjor për reformat rregullatore ekonomike në vend dhe rajon, financuar nga BE, USAID, GTZ, etj. Deri ne vitin 2005, Z. Gjiknuri ka ushtruar funksione të ndryshme publike si: Drejtor i Kabinetit të Ministrit të Rendit Publik (2005), Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes (2001-2005), Drejtor i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Marrëveshjeve në Ministrinë e Rendit Publik dhe koordinator kombëtar për çështjet e drejtësisë dhe të brendshme, për negociimin e hapjes së negociatave me KE (1999-2001), Drejtues i Planizim-Drejtimit në SHISH (1998), Gjyqtar i Shkallës së Parë (1995-1996), jurist në institucione të ndryshme (1994-1995). Ai zotëron shumë mirë gjuhën angleze dhe mirë gjuhën italiane.

ERION VELIAJ
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj lindi në Tiranë më 17 dhjetor 1979. Studimet Bachelor i ka kryer për Shkenca Politike në Grand Valley State University në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian. Ai hyri në politikë pas një angazhimi të gjatë në shoqërinë civile, organizata ndërkombëtare dhe media. Në vitin 2003, z. Veliaj themeloi lëvizjen “MJAFT”, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare e që në vitin 2004 mori dhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Erion Veliaj drejtoi lëvizjen “MJAFT” deri në nëntor të vitit 2007. Më pas Veliaj iu bashkua Iniciativës për Stabilitetin Europian, një organizëm kyç në promovimin e zgjerimit të BE-së. Në vitin 2011, Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër. Veliaj flet shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane, si dhe njeh mirë gjuhët gjermane dhe frënge.

MILENA HARITO
Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike Milena Harito u lind më 4 tetor 1966 në Tiranë. Ajo është e martuar me z. Isidor Shteto dhe ka dy fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Në vitin 1997 ka mbrojtur Doktoraturën në Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit në Universitetin Paris VI, në Francë. Diplomën e Masterit në të njëjtën fushë (DESS – Diplôme d’études supérieures spécialisées) e ka kryer pranë të njëjtit universitet, Paris VI, në vitin 1993. Ndërsa studimet e larta pesëvjeçare i ka kryer në Tirane, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, me rezultate të shkëlqyera, nga viti 1984 në vitin 1989. Ka përfunduar studimet parauniversitare me medalje ari në shkollën e mesme të përgjithshme “Sami Frashëri” në Tiranë. Karrierën e saj znj. Harito e ka filluar në Institutin e Informatikës në Tiranë si bashkëpunëtore shkencore në vitin 1989, për ta vazhduar më pas në Francë që nga Prilli i vitit 1991 deri në Shtator 1992, pranë një ndërmarrjeje private në fushën e informatikës. Pas doktoraturës, u punësua në qendrën më të madhe kërkimore ne Evropë në fushën e telekomunikacioneve, CNET, pranë operatorit France Telecom, në Paris. Karrierën e mëtejshme e vazhdoi brenda operatorit France Telecom-Orange, në drejtorinë e strategjisë e ngarkuar me marrëdhëniet me rregullatorin francez dhe evropian, më pas si drejtore departamenti në disa sektorë që nga inovacioni deri tek implementimi i produkteve. Znj. Harito u zgjodh deputete në Parlamentin Shqiptar në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Znj. Harito flet shumë mirë frëngjishten dhe mjaft mirë anglishten dhe italishten.

ILIR BEQAJ
Ministër i Shëndetësisë Ilir Beqaj u lind në Tiranë më 18 shkurt 1968. Është i martuar me znj. Adriana Beqaj dhe ka një vajzë, Deborah. Në vitin akademik 1999-2000, ka kryer studimet pasuniversitare për Administrim Ndërmarrje, në Institutin Francez të Menaxhimit pranë Universitetit Politeknik Tiranë. Ka kryer studimet e larta universitare në Universitetin e Tiranës, në periudhën 1985-1990, ku është diplomuar për informatikë. Në vitet 1990-1993 ka punuar në Bankën e Shqipërisë në detyrën e specialistit të informatikës e gjithashtu gjatë viteve 1993-1994 ka punuar në Njësinë e Informacionit Fiskal po në këtë Bankë. Gjatë periudhës 1994-2006, z. Beqaj Ka punuar në Institutin e Sigurimeve Shoqërore në detyra të ndryshme. Gjatë viteve 2003-2006 ka punuar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit. Është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë në Qarkun e Shkodrës në legjislaturën 2009-2013. Në zgjedhjet e fundit Parlamentare të 2013-s zgjidhet deputet i Kuvendit të Shqipërisë i Qarkut Durrës. Prej 2007-s është anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Në periudhën 2007-2011 ka kryer detyrën e nënsekretarit për programin në Partinë Socialiste. Nga viti 2011 është anëtar i Kryesisë së kësaj partie, si dhe Sekretar për programin në Partinë Socialiste. Zotëron shumë mirë gjuhët e huaja angleze, frënge dhe italiane.

LEFTER KOKA
Ministër i Mjedisit Lefter Koka lindi në qytetin e Durrësit më 4 gusht 1964. Ai është i martuar me znj. Brunilda Koka me të cilën ka edhe tre fëmijë: Arbin, Rinën dhe Anën. Z. Koka ka përfunduar studimet universitare pranë Fakultetit Ndërkombëtar të Shkencave Juridike në Strugë. Në vitin 2000, pas një angazhimi të gjatë në sektorin privat, z. Koka zgjidhet Anëtar i Këshillit Bashkiak të Qytetit të Durrësit. Gjatë periudhës 2003-2007, z. Koka ka qenë Kryetar i Bashkisë Durrës e gjatë së njëjtës periudhë shërbeu edhe si anëtar i Këshillit të Qarkut Durrës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009, z.Koka përfaqësoi votuesit e Qarkut Durrës në legjislaturën e XVIII të Parlamentit Shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Si deputet në legjislaturën e XVIII të Parlamentit Shqiptar, z. Koka shërbeu njëkohësisht si Kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe si anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Nga viti 2009 e në vazhdim z. Koka ka shërbyer si Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, dega Durrës dhe si anëtar i kryesisë qendrore të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, z. Koka u rizgjodh si përfaqësues i Qarkut Durrës në legjislaturën e XIX të parlamentit shqiptar, nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Z. Koka është njohës shumë i mirë i gjuhës italiane dhe njohës i gjuhës angleze.

EDMOND PANARITI
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave Edmond Panariti lindi në Tiranë më 1 qershor të vitit 1960 dhe është i martuar me znj. Narin Panariti, me të cilën ka dy djem, Klajd dhe Bjorn Panariti. Prof.Dr. Edmond Panariti, ka përfunduar studimet universitare në Universitetin Bujqësor të Tiranës, në vitin 1984. Ai mban gradën shkencore “Doktor i Shkencave” dhe titullin Profesor. Prof. Edmond Panariti ka kryer Studime të thelluara pasuniversitare gjatë viteve 1989- 1992, pranë Shkollës Politeknike Federale (ETH) dhe Universitetit të Zyrihut në Zvicër. Në vitet 1995-2000, është fitues i dy bursave Fulbright për kërkim shkencor dhe ligjërim në Universitetet e Kentakit dhe të Misisipit në SH.B.A. Në vitet 1994-1998 dhe 2004, kryen studime të thelluara pasuniversitare në Universitetin Veterinar të Hanoverit në Gjermani. Z. Edmond Panariti, ka një karrierë të gjatë profesionale në Institutin e Kërkimeve dhe Fakultetin e Mjekësisë Veterinare. Edmond Panariti, ka shërbyer si drejtues projekti në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe aktualisht është Profesor titullar në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë. Z. Panariti, është anëtar i kryesisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim që prej vitit 2004. Ai ka mbajtur funksionet e Kryetarit të Komitetit Drejtues Kombëtar dhe të Sekretarit për Bujqësinë dhe Mjedisin. Në vitin 2011, Prof. Panariti zgjidhet anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe më pas emërohet Zëvendëskryetar i Bashkisë së Tiranës. Në vitin 2012, emërohet Ministër i Jashtëm i Shqipërisë dhe njëkohësisht mbajti edhe postin e Presidentit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Prof. Edmond Panariti flet rrjedhshëm gjuhët angleze, gjermane, frënge dhe italiane.

ILIRJAN CELIBASHI
Ministër për Marrëdhëniet Ilirjan Celibashi u lind më 2 tetor 1969 në Çorovodë, Skrapar. Ai është i martuar me znj. Ardiana Celibashi dhe kanë një vajzë, Telma. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës dhe në përfundim të tyre, në vitin 1992, u diplomua “Jurist”. Në Korrik të vitit 1992, ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Fier, e më pas u emërua Kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë, Mallakastër, funksion të cilin e ushtroi deri në Janar të vitit 1998. Gjithashtu, ai ka shërbyer si gjyqtar pranë Gjykatës së Apelit, Durrës. Në Tetor 1998, u emërua Zëvendësministër i Rendit Publik. Në periudhën 2001- 2006, ai u zgjodh Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Nën drejtimin e z. Ilirjan Celibashi, KQZ përgatiti dhe administroi zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2001 dhe 2005, si dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2003. Në zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë, të 23 Qershorit 2013, z. Celibashi u zgjodh deputet i Qarkut të Fierit, për Partinë Socialiste. Z. Ilirjan Celibashi ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe seminaresh për specializim në fushën e së drejtës. Ai ka qenë pjesëmarrës dhe referues në takime dhe aktivitete të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si gjatë periudhës kur ai ushtronte funksionin e gjyqtarit, po ashtu edhe në periudhën kur ai ishte Kryetar i KQZ-së. Z. Celibashi, zotëron shumë mirë gjuhët angleze dhe italiane.

BLEDI ÇUÇI
Ministër Shteti për Çështjet e Qeverisjes Vendore Bledi Çuçi lindi në Tiranë më 14 nëntor 1970. Ai ka një djalë, Endi Çuçi. Ai përfundoi studimet pasuniversitare (Master) për menaxhim në Universitetin Hasselt në Belgjikë (1998); studimet e larta për Drejtësi në Universitetin e Tiranës (1995) dhe studimet në shkollën e mesme të përgjithshme “Petro Nini Luarasi” në Tiranë (1989). Z. Çuçi ka shërbyer në disa funksione drejtuese ndër të tjera, si Kancelar i Gjykatës së Rrethit Tiranë në vitet 2000-2001. Ka qenë Këshilltar i Ministrit, Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Integrimit dhe Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Pushtetit Vendor deri në fund të vitit 2005. Gjatë kësaj kohe z. Çuçi ka qenë edhe përfaqësues i qeverisë shqiptare në Komitetin për Demokracinë Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, Strasburg (2003-2005); anëtar i Grupit Negociator të Shqipërisë lidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe Komunitetit Europian (2003-2006) dhe anëtar i Bordit të Drejtorëve të Institutit për Trajnimin e Administratës Publike në Shqipëri (2003-2005). Gjatë viteve 2006-2010, ai ka punuar si ekspert i pavarur për çështje të administratës publike, të reformës në drejtësi dhe të kuadrit ligjor për biznesin në programe të financuara nga USAID, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar (DfID), Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe BE-së Shqipëri dhe Kosovë. Në vitet 2010-2011, z. Çuçi ka qenë Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës për Autonominë Vendore. U aktivizua me strukturat drejtuese të PS-së që prej vitit 2007, kur u zgjodh anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së dhe kryetar i Komisionit të Asamblesë për Çështjet e Pushtetit Vendor. Ai u rizgjodh anëtar i Asamblesë së partisë edhe në vitin 2011. Në vitet 2011-2012, z. Çuçi ishte ekspert i PS-së në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Që prej Shkurtit 2012, ai mban detyrën e Nënsekretarit për Çështjet Zgjedhore në PS.

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

19 KOMENTET

Comments are closed.