“Qëndrimi i tij s’ka qenë i mirë, ka zhvilluar aktivitete armiqësore”/ Survejimi i gjeneralit Rrahman Parllaku, publikohen dokumentet: Gjatë kohës që vuante dënimin në Burrel…

Apr 19, 2024 | 16:22
SHPËRNDAJE

Sot në 105 vjetorin  e lindjes të Rrahman Përllaku,  ish- gjeneral, partizan në luftën antifashiste, hero dhe komandant, por edhe i dënuar në komunizëm, arkivi AIDSSH kujton përmes 9277 faqe dokumenteve disa fakte mbi dënimin dhe survejimin  e tij.

𝐑𝐫𝐚𝐡𝐦𝐚𝐧 𝐏𝐚𝐫𝐥𝐥𝐚𝐤𝐮

Sipas biografisë së përgatitur nga Ish-Sigurimi i Shtetit shtetasi Rahman Parllaku, i datëlindjes 1918, lindur në fshatin Novosej të Kukësit, familja e tij ka qenë e internuar në rrethin e Durrësit, rrjedh nga një shtresë e varfër fshatare, i përjashtuar nga partia dhe i dënuar me 25 vjet heqje lirie “…për organizim k/revolucionar dhe veprimtari komplotuese antiparti”, me arsim të lartë ushtarak.

Me datë 14.12.1974 si ushtarak i lartë është marrë në përpunim aktiv 2A “për veprimtari komplotuese” nga Dega e Sigurimit të Ushtrisë. Nga përpunimi i tij del se : “ ..objekti gjatë kohës, nën drejtimin e armikut Beqir Balluku dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ka zhvilluar veprimtari armiqësore kundër vijës politike të partisë në ushtri. Ka marrë pjesë aktive në përpunimin e materialit armiqësor me tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Me funksionimin që kishte në ushtri është përpjekur të shpërndajë këtë material dhe ta aprovonin.” Gjatë kohës që vuan dënimin në repartin 321 Burrel, “qëndrimi i tij nuk ka qenë i mirë, ka zhvilluar aktivitet armiqësor më formën e agjitacionit e propagandës, duke ju kundërvënë vijës politike të partisë”.

Në dosjen formulare nr. 3210, e përbërë me 372 faqe, dokumentet janë ndërtuar  mbi bazën e përgjimit të shtetasit të survejuar Rrahman Parllaku, në ambientet e burgut të Burrelit, të  kryera me e T.O.. Pra është vepruar ndryshe me shtetas të tjerë të cilët në të shumtën e rasteve ndiqen para arrestimit të tyre. Gjithashtu është evidentuar se shtetasi Rahman Parllaku është përgjuar si i dënuar së bashku me shtetas të tjerë të burgosur si “Kiço Ngjela, Lipe Nashi etj”, në burgun e Burrelit.

Përgjimin me T.O. vijon mes “të dënuarve antiparti si Gjergj Titani, Bardhyl Belishova, Maqo Çomo, Fadil Paçrami, Rahman Parllaku, Kiço Ngjela etj.”.  më së shumti janë përgjuar bisedat e zhvilluara nga “të dënuarit antiparti Kiço Ngjela, Rahman Parllaku, Spartak Ngjela”.

Arkivi mes dokumente ka evidentuar dhe Dosja Hetimore – Gjyqësore Nr. 12739, e cila është e përbërë gjithsej me 9277 faqe të skanuara dhe në trajtë digjitale. Kjo dosje përmban dokumente rreth zhvillimit të gjyqit ndaj shtetasit Rahman Parllaku etj. ku ai u  dënua me 16 vjet e tri muaj i vuajti në burg (nga dhjetori i vitit 1974 deri më 17 mars të vitit 1991.

Rrahman Përllaku nga viti 1943 e deri në vitin 1973 ai mbajti detyra të larta në forcat ushtarake gjatë luftës Nacional-Çlirimtare dhe më pas luftës detyrën e zëvendësministrit për Përgatitjen Luftarake të Ushtrisë. Gëzonte  titullin “Hero i Popullit” , dekoruar me 9 urdhra e tri medalje të luftës dhe 3 urdhra të shërbimit ushtarak. Parllaku ishte edhe deputet i Kukësit në Kuvendin Popullor për 7 legjislatura rresht, që nga viti 1945 deri në vitin 1973.

Gjykata e Kasacionit vendosi, më 20 korrik të vitit 1994, prishjen e vendimit të 5 nëntorit të vitit 1975 të Gjykatës Ushtarake, që i cilësoi fajtorë ushtarakët e lartë, dhe pushimin e akuzave.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura