“Qamilizmi me frak” në mjekësi

Apr 30, 2014 | 12:36
SHPËRNDAJE

EDVIN PRIFTI

  Një projektligj i propozuar nga Ministria e  Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit ka filluar  të diskutohet në Parlament dhe shumë shpejt do të kërkohet po nga Parlamenti aprovimi i tij. Pavarësisht fjalëve shumë europianiste si ligj, amendim, e drejtë, diskutime etj., ky projektligj përbën në vetvete një amendim në 6 nene të tij, ku në 5 nenet e para hiqet fjala konkurs dhe zëvendësohet me fjalën emërim, hiqet fjala zgjedhje dhe zëvendësohet me fjalën vendim i Këshillit të Ministrave, hiqet fjala përzgjedhje dhe zëvendësohet me përcaktim. Neni i fundit përcakton strukturën emëruese në mënyrë vertikale.
Ky projektligj vendos në vëmendjen e tij në mënyre singolare Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, universitet ky i krijuar në janar 2013 në mënyrë vertikale nëpërmjet vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 48 dhe pa vendimin e senatit të Universitetit të Tiranës, pavarësisht raportit studimor të Universitetit të Tiranës i cili kundërshtonte në mënyrë kategorike themelimin e këtij institucioni në mënyrë artificiale, pasi modeli i ndërmarrë ishte një model i vetëm pak universiteteve në vende të ish-BRSS dhe rankimi i tyre ishte jashtëzakonisht i ulët. Pavarësisht kësaj, në kundërshtim me eksperiencën europiane, e cila ka në themelin e saj universitetet gjithëpërfshirëse të sugjeruara nga Shoqata Europiane e Universiteteve si institucione të cilat sigurojnë mirëfinancimin dhe cilësinë e sistemit të lartë arsimor, Universiteti Mjekësor i Tiranës u krijua si një shtojcë afunksionale e sistemit tonë të edukimit të lartë. Aq e pamenduar ishte, sa edhe kur u përkthye në anglisht në (Medical University of Tirana) (MUT), akronimi terminologjik i cili përfaqësohej nga inicialet e fjalëve rezultonte një fjalë e papëlqyeshme.  
Konsekuencat e këtij akti janë mosshpërndarja e diplomave, mosnjohja dhe njehsimi i tyre, bile edhe nga vende si Maqedonia dhe Serbia, probleme financiare dhe moslëvrimi i bursave të studentëve në nevojë, rankimi i Universitetit Mjekësor të Tiranës në vendet e fundit në listën botërore të cilësisë së universiteteve. Nga 1325 universitete në Afrikë, vetëm 17 universitete afrikane klasifikohen me poshtë Universitetit Mjekësor të Tiranës. Autonomia universitare e sanksionuar në Konventën e Lisbonës është prekur nga emërimet direkte dhe nga mungesa e zgjedhjeve.  
Sigurisht që në një institucion me këto problematika, tentativat dhe iniciativat për ta rregulluar duhet të jenë në rend të ditës. Fatkeqësisht ajo çfarë shihet është që vendimmarrjet e nxituara kanë ndikuar në mënyrë negative në këtë institucion. Kjo shihet që nga akti i themelimit të tij, ndërhyrja e ministres aktuale të Arsimit në Këshillin e Profesorëve të Fakultetit, si dhe në këtë projektligj të paraqitur javët e fundit.  
Me ndryshimet e ligjit 9741 u realizua për herë të parë në Shqipëri procesi i konkurrimit për shefat e shërbimeve në QSUT në korrik 2011, dhe rezultati ishte ndryshimi i vetëm 3 shefave shërbimi nga 60 shërbime në sistem. Ishte një hap i cili duhet të ndiqet pa dyshim nga të tjerë, duke aplikuar konkurrueshmërinë dhe përkohshmërinë si të vetmin model i cili do të sillte sistemin e vlerave në qendër të këtij institucioni, përndryshe patriarkalizmi dhe tribalizmi të mbështetur në paaftësinë dhe antivlerën do të shtrihen këmbëkryq në këtë institucion. Çështja nuk shtrohet nëse do të ndërrohen drejtuesit, pasi ky është elementi më pak i rëndësishëm, pasi çdo shef duhet të përballet me arritjet dhe mosarritjet e tij, problem është modeli dhe parimet ku do të bazohemi. Do të ishte shumë e lavdërueshme që këta drejtues të zgjidheshin me konkurse, me borde me profesorë të huaj të kontraktuar për vlerësimin e kandidatëve, vendosja e meritokracisë dhe e vlerave të gjithsecilit, mbështetja të të rinjtë dhe kryesisht prirja te specialistët shqiptarë të nivelit të lartë që punojnë në institucione universitare jashtë vendit, hapje e këtyre vendeve edhe për profesorë të huaj etj., duke rritur rigorozitetin dhe seriozitetin e procedurave konkurruese. Në këtë mënyrë do të bëhej në mënyrë korrekte qarkullimi dhe zëvendësimi i elitave si e vetmja mundësi për të siguruar dhe garantuar ardhmërinë e edukimit mjekësor në vend, duke prodhuar mjekë të nivelit europian, dhe jo specialistë të deformuar nga pikëpamja profesionale, sikurse ka ndodhur këta 20 vjet, të cilët pothuajse të gjithë kanë qenë të detyruar të kryejnë formimin e tyre për periudha të caktuara në Europë dhe gjetiu, dhe pavarësisht kësaj, besimi i publikut vazhdon të jetë i ulët.     
Ndërkohë që pritej e kundërta dhe pikërisht forcimi i konkurrueshmërisë dhe zëvendësueshmërisë në këtë institucion, u projektua bunkerizimi i tij i plotë nëpërmjet 6 neneve të kërkuara për ndryshim. Grushtin e fundit që i jepet konkurrueshmërisë në Fakultetin e Mjekësisë e jep ky projektligj i cili vendos që rektori emëron dekanët, këta emërojnë shefat e departamenteve dhe shefat e departamenteve emërojnë shefat e shërbimeve. Për hir të së vërtetës është identik me periudhën e Universitetit të Tiranës para vitit 1990, por me të vetmin ndryshim, që në atë kohë elitat e emëruara ishin nën kontrollin e organizatës bazë të Partisë, e cila seriozisht kujdesej për cilësinë e njerëzve, ndërkohë që tani do të jenë nën kontrollin korruptiv të atij që emëron, apo të tribalizmit lokal. Ky nen bazohet në nenin 23 të ligjit aktual të arsimit të lartë, i cili është neni me i kundërshtuar me forcë nga ELA (European Association of Educational Laë and Policy) si një nen i cili është në kundërshtim total me autonominë dhe demokracinë universitare europiane. Ata do të shpreheshin që ky nen ofron një standard të dyfishtë dhe mundëson që një institucion akademik që në fillim të tij të vendoset në mungesë të plotë të autonomisë dhe lirisë akademike.
Justifikimi më absurd që jepet është që duam të ndërtojmë departamentet, struktura këto që kanë ekzistuar 5 vjet më parë dhe që ekzistojnë edhe sot, veçse emri ka ndryshuar dhe është kthyer në shërbime. Ndërkohë që mjekësia moderne shkon drejt superprofilizimit të saj, duke krijuar mikro departamente, mikro institute për të siguruar njohuri më të thella në fusha të caktuara të shëndetësisë, propozuesit mendojnë që të kthehemi te kirurgët që bëjnë të gjitha interventet dhe te mjekët që bëjnë gjithçka. Shërbimi është departament dhe anasjelltas, dhe qofshin edhe 100 apo më shumë shërbime, kjo i shërben vendit për të thelluar njohuritë në fushat tepër të ngushta. E kundërta nuk është gjë tjetër veçse rikthim në një të kaluar, gjë që do të sjellë veçse një kohë të humbur, por mbase kështu ka ecur gjithmonë Shqipëria, një hap para dhe tre prapa, duke krijuar pirueta dhe labirinte të pakuptimta, që sigurisht kanë sjellë tepër regres dhe këtë realitet fodullësh dhe prapambetje që përjetojmë. Shkenca nuk mund të vlerësohet nga profanët. E vërteta është që Fakulteti i Mjekësisë në tri vitet e fundit ka botuar studime të mirëfillta në Amerikë dhe në Europë, aq sa nuk kishte botuar në periudhat e mëparshme. Ky është indikatori i vetëm vlerësues.
Qëllimi i vetëm është që nëpërmjet disa justifikimeve absurde të ndërrohen dekanët e zgjedhur pasi këta nuk u shkojnë për shtat grupimeve tribale në QSUT, si dhe disa shefa shërbimesh. Sipas dikujt, Fakulteti i Mjekësisë është një strukturë e re. Ky është preludi i katastrofës intelektuale që po afrohet. Fakulteti i Mjekësisë është struktura 62-vjeçare, nga më të vjetrat në sistemin universitar në Shqipëri. Me këtë logjikë, edhe Universiteti i Tiranës është një strukturë e re pas ndarjes nga Fakulteti i Mjekësisë dhe Infermierisë që ndodhi në janar 2013, ose po me këtë logjikë, Partia Socialiste është një parti e re pas ndarjes me LSI, apo Partia Demokratike është një parti e sapoformuar pas ndarjes me Frymën e Re Demokratike. Institucionet akademike, politike, publike ruajnë emrin dhe traditën e tyre pavarësisht ndarjeve apo rimodelimeve që pësojnë. Interpretimi apo keqinterpretimi do të hapë një rrugë të paprecedent, e cila do të sjellë vetëm elemente negative në zhvillimin e mëtejshëm. Ndryshimet ligjore të propozuara:
1. Prekin rëndë autonominë universitare të sanksionuar në Konventën e Lisbonës, ku vendi ynë është pjesëmarrës dhe firmëtar, duke anuluar çdo proces zgjedhor apo konkurrencial.
2.  Zhdukin konkurrencën duke bllokuar dhe bunkerizuar në mënyrë përfundimtare qarkullimin e elitave dhe vendosjen e sistemit të vlerave në qendër të një institucioni universitar unikal në vendin tonë.
3.  Trajtojnë trupën pedagogjike të Universitetit Mjekësor të Tiranës në mënyrë të diferencuar nga trupa pedagogjike e universiteteve të tjera të vendit, të cilat kanë të sanksionuar në ligjin e arsimit të lartë kriteret e përzgjedhjes për pozicionet drejtuese universitare, ndërkohë që për Universitetin Mjekësor të Tiranës do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, duke e vendosur këtë staf akademik në pozita jo të barabarta dhe inferiore me strukturat e tjera universitare.  
4.  Bllokojnë plotësisht prurjet e individëve të shkolluar në Perëndim me kapacitetet e tyre profesionale aq të domosdoshme për vendin. Gjithashtu nepotizon gjithë sistemin e punësimit të të rinjve në Universitetin Mjekësor të Tiranës, shkollat e specializimit dhe doktoranturat, pasi do të aplikohet modeli (më emëro që të të kthej favorin). Kjo do të sjellë një supertheksim të nepotizmit dhe marrëdhënieve familjare të ngushta brenda të njëjtit institucion, duke e theksuar edhe më shumë këtë aspekt negativ të Fakultetit të Mjekësisë.
5.  Mungesa e autonomisë universitare nuk është i justifikuar as edhe për një ditë, dhe jo më për një fazë tranzitore, përndryshe do të bëhemi dëshmitarë të rrënimit përfundimtar të universiteteve tona.
6.  Do të sjellin një model shumë të vjetër të organizimit të institucionit akademik të Fakultetit të Mjekësisë, duke bërë që p.sh. një gastroenterolog të drejtojë shkencërisht një kardiolog. Kjo është absurde. Apo e anasjella.
7.  Do të krijonin një precedent tepër të rrezikshëm, pasi çdo forcë politike apo individ që do të kishte pushtetin në të ardhmen do të vendoste sipas precedentit apo “casus” të këtij projektligji, duke aplikuar arbitraritetin në vend të autonomisë. Alma Mater Studiorum parashikonte që në shekullin XIII që universiteti do të ishte i pavarur nga çdo pushtët politik, religjioz apo monarkik. Të shikojmë se si do ta implementojmë këtë të drejtë të shekullit XIII në shekullin XXI, dhe me pas të kuptojmë diferencën e largët që antropologjikisht kemi me anëtarësimin në Komunitetin Europian.
Ndërkohë që Fakulteti i Mjekësisë është një institucion akademik unikal në vendin tonë me një histori 62-vjeçare, i cili duhet të konsiderohet si një institucion i rëndësisë së veçantë për vendin, dhe lojëra të tilla me pretekstin “reformues” nuk duhet të luhen. Këto manovrime që ngjajnë aq agresive sikurse “qamilizmi”, i cili eliminonte çdo njeri që kishte pak shkollë, ka veshur frakun parisien në mënyrë që të jetë i pranueshëm për “standardet europiane” dhe tashmë tenton të godasë inteligjencën akademike mjekësore, duke tentuar vendosjen në pushtet të klaneve të caktuara, të cilat funksionojnë në mënyrë mafioze për të vendosur pushtetin absolut, i cili duhet vetëm për një qëllim, qëllim në funksion të të cilit janë të gjitha ato lëvizje apo vendime që kanë të bëjnë me interesa financiare. Pikërisht kjo formë orientale e agresivitetit ndaj vlerave, e veshur me një hipokrizi të theksuar, për të tentuar humbjen e gjurmëve, do të çojë në anulimin e atyre pak arritjeve në fushën e edukimit dhe kërkimit shkencor, për më tepër kur për këto dy elemente flasin profanët edhe kur këta janë të emëruar dhe jo ekspertët që vendi ynë disponon. Çdo njeri mund të kontrollojë kontributet shkencore dhe akademike të gjithsecilit prej nesh, dhe strukturat shtetërore akoma më shumë, për të identifikuar zbrazëtinë intelektuale të të emëruarve në Universitetin Mjekësor dhe të kuptojë pse emërimet janë grushti më i tmerrshëm që mund t’u bëhet aftësive, cilësisë, virtytit dhe meritokracisë. Konica dhe Noli, pasi këta tentuan iluminizmin te ne, do të tmerroheshin që edhe pas njëqind vjetësh prej ideve të tyre, ne do të ishim po aty ku ishim, vetëm të veshur më mirë, por përsëri të zbrazët në vlerësimin e vlerave dhe meritave.  
Çështja e mbarëvajtjes së edukimit mjekësor duhet të gjykohet në kuadër të reformimit dhe rimodelimit të ligjit të arsimit të lartë, i cili do ta shikojë këtë problem në një kuadër më të plotë dhe ku sipas gjykimit tim, Universiteti Mjekësor duhet të shkojë drejt shkrirjes dhe kthimit në një universitet gjithëpërfshirës. Të gjitha këto problematika të renditura zgjidhen duke e vendosur Fakultetin e Mjekësisë aty ku i takon, si një pjesëz e rëndësishme e një universiteti gjithëpërfshirës disiplinash ku do të farkëtohet inteligjenca e ardhshme e vendit, aty ku fjala “urbis studiorum” të kthehet në realitet dhe funksional për interesin dhe ardhmërinë e popullit “Plebis maxime intererat tutam ubique”.
*Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura