Pyetësori i UN Women: Këshilltaret kanë prioritet pjesëmarrjen në politikë dhe vendimmarrje

Dec 12, 2017 | 22:27
SHPËRNDAJE

Aristir Lumezi/ Këshilltaret e aleancave të grave kanë si prioritet rritjen e kapaciteteve në drejtim të pjesëmarrjes në politikë dhe në vendimmarrje.

25371010_10155987891321692_1202598999_o

Programi i OKB-së, UN Women, që me mbështetjen financiare të qeverisë suedeze ka ndihmuar në ngritjen e Aleancave të Grave Këshilltare, organizoi një pyetësor me këshilltaret për të mësuar pritshmëritë e tyre që do t’i ndihmonin më mirë në vendimmarrje.

Fiorela Shalsi, Drejtuesja Kombëtare e Programit “Lidership dhe Pjesëmarrje Politike”, UN Women tregoi dhe qëllimin e zhvillimit të këtij pyetësori.

“Ne hartuam një pyetësor për të kuptuar se cilat ishin prioritetet dhe interesat e grave këshilltare. Një nga gjetjet interesante të pyetësorit ishte dhe kërkesa për informim dhe rrugët e përparimit të grave në vendimmarrje dhe në politikë. Në bazë të këtyre nevojave, synohet të hartohet një plan për rritjen e kapaciteteve të grave këshilltare. Një nga përfitimet e AKG-ve është edhe fakti se po tregohet interes në rritje nga organizata vendase dhe ndërkombëtare që të punojnë tani me këshilltaret të organizuara në aleanca”, tha zonja Shalsi.

Këshilltaret kanë listuar shtatë prioritete mes të cilave, më kritiku është ai i rritjes të kapaciteteve në drejtim të “pjesëmarrjes në politikë dhe vendim/marrje”. Ky prioritet është konsideruar si më i rëndësishmi nga të gjitha aleancat e grave.

Drejtim të dytë, që këshilltaret e aleancave të grave kanë përcaktuar në pyetësor, është rritja e kapaciteve për “ngritjen e fondeve”. “Buxhetimi gjinor” është konsideruar si prioriteti i tretë, ndërsa “Menaxhimi dhe drejtim” është prioriteti i katërt. Prioritet i fundit ndër shtatë që kanë përcaktuar gratë këshilltare në pyetësor është  “marrëdhëniet e punës, shërbimet sociale dhe punësim e sipërmarrje”.

Gjithashtu këshilltaret kanë përcaktuar dhe instrumentet përmes të cilave ato do të forcojnë këto kapacitete. Ato mendojnë se rritja e kapaciteteve për pjesëmarrje në politikë dhe vendimmarrje mund të vijë përmes kualifikimit profesional të grave këshilltarë dhe i të gjithë këshilltarëve. Gjithashtu ajo mund të realizohet edhe pëmes promovimit të pjesëmarrjes së grave në politikë.

Këshilltaret mendojnë se do t’i shërbenin qëllimit për pjesëmarrje në vendimmarrje edhe forcimi i aleancave midis këshillave, midis komuniteteve dhe shoqërisë civile. Veçanërisht cilësojnë ato, është i domosdoshëm dhe inkurajimi i rolit të grave brenda partive politike.

Rrjeti Kombëtar i Aleancave përmes këtij pyetësori del në konkluzionin se është i nevojshëm shkëmbimi i kontakteve dhe përvojës mes anëtareve të këtij rrjeti, ndërsa do të ishte e dobishme pjesëmarrja e tyre në projekte të përbashkëta.

Përfundimet e pyetësorit tregojnë se fokusi i programeve të vitit të ardhshëm duhet të jetë tek trajnimi i grave për pjesëmarrje në politikë, si një drejtim që është kërkuar në mënyrë plebishitare nga të gjitha këshilltaret e intervistuara.

Gjithashtu ky pyetësor është një burim shumë i mirë të dhënash për çdo kontributor në fushën e rritjes së kapaciteteve të grave në politikë që për programe rajonale apo lokale kualifikimi, të ofrojnë atë tematikë që është konsideruar më prioritarja në secilën bashki. Në bazë të këtyre nevojave, synohet të hartohet një plan për rritjen e kapaciteteve të grave këshilltare.

 

Këshilltaret kërkojnë rritje të kapaciteve në:

Pjesëmarrjen politike dhe vendimmarrjen

Ngritjen e fondeve

Buxhetimin gjinor

Menaxhimin dhe administrimin

Marrëdhëniet e punës

Shërbimet sociale

Punësimin dhe sipërmarrjen sociale

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura