Publikohen pas vdekjes poezitë e panjohura të lirikut Koçi Petriti

Apr 21, 2015 | 19:41
SHPËRNDAJE

“Shpesh rri e kruaj plagë thellë vetes,/vërsnikët shpesh ndërmend më vinë…”. Kështu shkruante më 8 prill të vitit 1963 poeti Koçi Petriti në poezinë “Fëmini”. Ishte viti me fat, kur do të botonte “Lirikat e majit”. Thuajse të njëjtin mall duket se ndjeu poeti edhe kur kuptoi se fundi ishte afër. Nisi të mbledhë dorëshkrimet, fletoret e vjetra me poezi të pabotuara, shënime miqsh e kujtime nga e shkuara. I kërkonte me ngut “Quaderno-t”, që prej 15 vitesh ishin “zhdukur” s’di se ku.

Nisi t’i sistemojë. Pse të mos i botonte?! Me këtë dëshirë u nda nga jeta një vit më parë poeti lirik, Koçi Petriti. Përkeqësimi i shëndetit ia la projektin në mes, çka e çuan përpara familjarët e tij në njëvjetorin e vdekjes. E kanë titulluar “Quaderni”- prozë e poezi, ashtu si quheshin fletoret e tij të shënimeve. Një botim i shtëpisë botuese “Maluka”, i cili përfshin poezi e prozë, krijime të pabotuara të poetit, por edhe shënime të shkrimtarëve e kritikëve për krijimtarinë e Petritit.

Koçi Petriti me bashkëshorten

 Ashtu si do të linte ai vetë në shënimet e tij, “tekstet e këtij libri janë marrë nga dy radhonj me kapakë të zinj, që quhen ‘Quaderno’, njëri 75 faqe dhe tjetri me 200 faqe. Ka tekste dhe nga një radhua i tretë…”. Tekstet nga fletorja e parë datojnë deri më 31 maj 1962, ndërsa nga e dyta mbajnë datat e gushtit dhe tetorit 1962, të prillit, qershorit e veçanërisht të gushtit 1963. Sipas vetë autorit, janë poezi që nuk janë përfshirë në vëllimin “Lirikat e majit”, edhe pse janë shkruar në të njëjtën kohë…

Kështu që “Quaderni” është një libër binjak i atij të botuar në pranverën e ’63-shit. Ka dhe nga ato “me zarar”, siç i quan Petriti, të cilat ai vetë nuk i kishte çuar për botim, por “nën dorë”, gjithë miqtë e tij i kishin lexuar. Libri paraprihet nga një hyrje e shkruar nga vetë Koçi Petriti, titulluar “Viti i Bardhë dhe Viti i Zi”, në të cilin ai njeh lexuesin me rrugëtimin e tij të vështirë letrar, pengesat për arsye biografie, puna nëpër fshatrat e Korçës dhe shpresat për të botuar…

 KOÇI PETRITI

Viti i Bardhë dhe Viti i Zi

Në jetën e njeriut ka vite të bardhë dhe vite të zinj. Viti i Bardhë për mua ka qenë viti 1962. Viti i Zi ka qenë viti 1967. Në vitin 1962, në vjeshtë m’u pranua për botim libri “Lirikat e majit” që doli në pranverë 1963. Në vitin 1967 u dërgua në Librazhd në zyrë kuadri shkresa sekrete e dekanatit të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë: “Në radhë të parë për origjinën e tij … të mos punojë arsimtar”. Emërohem në një vatër kulture fshati, komandohem të punoj në Shtëpinë e Kulturës dhe të jap orë mësimi në gjimnaz. Përjashtohem nga zbori pasuniversitar që po e bënin edhe djem bejlerësh e tregtarësh korçarë të deklasuar të një kursi me mua. Merrem dhunshëm ushtar në Ndërmarrjen Bujqësore Ushtarake të Zall- Herrit që ishte repart pune me “të deklasuar”.

Ndërkohë më hiqet e drejta e botimit të cilën ma riktheu pas ushtrie ndërhyrja e T. Lubonjës, që ishte dërguar sekretar partie në Korçë. I rikthyer në Librazhd, punova atje gati një çerekshekulli. Në vitin 1990, u emërova përgjegjës i talenteve të reja në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Përpjekjet i bënte Dritëroi. “Prit”, thoshte, “të lirohet vendi, të dalë Natasha Lako në profesion të lirë”. Në shtypin e Lidhjes nuk lejohesha të punoja, siç duket duhej leja nga Ministria e Brendshme.

“Pastaj, prit”, thoshte, “se ka një mendim që ke dashur të arratisesh kur ke qenë mësues në Podgorie”, që s’më ka shkuar kurrë ndërmend! Pastaj thoshte, “u sqarua ajo punë nga L. Shkurti”, që ka qenë në Korçë në ato vite sekretar partie për propagandën. Pastaj e thërriste F. Çami, se kishte marrë “të deklasuarin”. Ishin dërguar letra në Komitetin Qendror, nga Lidhja dhe nga Librazhdi. Ankoheshin edhe se Dritëroi e kishte mbushur Lidhjen me korçarë. Në vitin 1992 u zgjodha sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (të reformuar). Pastaj në këtë vit u emërova dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës.

Kisha punuar katër vjet mësues në fshatra të Korçës: një vit në Pirg dhe tre vjet në Podgorie. Ndërkohë zbrisja çdo mbrëmje në fermën e Nizhavecit, që tani quhet Vreshtas, të jepja mësim në shkollën e mbrëmjes. Dhashë edhe Gjuhë-Lexim, edhe Kimi, dhe pothuaj të gjitha lëndët që jepeshin në një klasë të shtatëvjeçares. Gjatë verës, bëja punë bujqësore në kooperativën e Korçës. Edhe prashisja, edhe korrja, edhe grazhdoja lopët.

Pastaj nxitoja në mbasditet e vallëzimit, që ahere në Korçë ishin të shumta. Vija në Tiranë në kurset e kualifikimit të arsimtarëve, që bëheshin në muajt e verës. Ndërkohë (këtë e kam thënë shpesh), një ditë vija redaksive (në “Zërin e Rinisë”, apo te revista “Ylli” e “Nëntori”) për të çuar vjersha. Ditën tjetër shkoja në burgun e Tiranës të takoja tim atë e të nesërmen të ngjatjetoja tim vëlla në kantierin e Sanatoriumit, apo të Kombinatit të Autotraktorëve, apo në Rinas, apo në Laç, që ndërtoheshin prej të burgosurve.

Në Korçë kisha sjellë fëmininë, që braktisi shtëpinë e madhe dhe të bardhë të ish-zotniut, me kalë të bardhë e me prona, që ia gllabëroi “Reforma agrare” e vitit ’46 dhe tani ligji nr. 7501 i pasviteve ’90. Braktisa çudirat e gjolit me shpezërinë dhe legjendën e “kaut të kënetës”. Lashë pas këngën që qesëndiste “gjermankën”: “Te kishka e Sovjanit / ma kishe meqanë, ikë, moj gjermankë / se do gjesh belanë!”.

Me këto imazhe e këtë ritëm vargu gjashtërrokësh që hyri më vonë në strukturën ritmike të poemës “Ura e Bushtricës”, e kisha mbushur kujtesën fëminore. Kështu erdha te libri “Lirikat e majit”, jo i zymtë e pesimist. I fundosa thellë shpirtit hallet dhe dramat familjare dhe u dhashë udhë ngazëllimeve djaloshare. Në vargje të këtij libri nuk më pikoi brenga dhe vreri, po vargu “tërfili sjell aromë edhe të deh”. Mbetën në radhonjtë e “Quadernos” vargjet: Sikush më sheh që qesh nga vreri, Askush s’beson kur them: Po vdes! Eh, kur do gjej mes këtij ferri, Kërcu ku kokën ta mbështes? Dhe një ditë u nisa për në Ndërmarrjen e Botimit “Naim Frashëri”.

Drejtor ishte Drago Siliqi. E mori dorëshkrimin tim modest, shfletoi vjershën e parë, të dytën, gjer tek e pesta, buzëqeshi dhe tha: “Ky libër do të botohet!”. Përgjegjës i redaksisë së poezisë ishte kritiku Razi Brahimi, redaktore e librit Donika Omari, recensente Adelina Mamaqi dhe piktore Dolli Gjinali. “Ky libër do të botohet” më shoqëroi në udhët me shi e baltë, me dëborë e lehje qensh fushës së Korçës. “Ky libër do të botohet”, thoshte telegrami i mbërritur në Korçë, me listën e vjershave që qenë zgjedhur për botim nga redaksia. (Ah, që s’munda ta ruaja atë telegram!). Çuditërisht ishin hequr nga libri dy-tri vjersha “tematike dhe të partishme”, që u kërkoheshin të tjerëve. Libri kishte mbetur thjesht me lirika dashurie, peizazhe e meditime rinore.

Nëse do ta krahasonim poetin me një femër, gjë që mua më pëlqen ta bëj, unë do të theksoja se kjo është periudha e virgjërisë sime poetike. Kjo ishte periudha kur në shpirtin tim zotëronte erotika, aromat, ngjyrat e peizazhit. Tani këto vjersha unë, jo vetëm kam dëshirë t’i ribotoj, por edhe t’i vë në radhë me krijimet më të mira të mëvonshme. Nuk duhet harruar niveli i kulturës që kisha ahere, niveli i shkollimit prej njëzetvjeçari. Sapo kisha shtënë në dorë “Yllin e Zemrës” të Lasgushit dhe një përmbledhje me poezi të Eseninit. “Qerbelanë” e Naimit e trashëgoja nga im atë, bektashi. Në “Lirikat e majit”, apo në radhonjtë me dorëshkrime, që i kam gjetur pas një humbjeje enigmatike pesëmbëdhjetëvjeçare, unë kam motive që lidhen edhe drejtpërsëdrejt me aventurat djaloshare të asaj kohe, që nganjëherë tërhiqnin vëmendjen e rrugicave të Korçës.

Ndërkohë jehona, që nisi me fjalët “ky libër do të botohet” vazhdoi të rrathëzohet e të zgjerohet pas botimit, jo vetëm midis lexuesve, por edhe në vështrimet kritike të personaliteteve letrare të kohës, të kritikës, të katedrës universitare, të poetëve dhe studiuesve më të shquar, që edhe sot janë autoritete me emër në këto fusha. D. Agolli në “Zëri i Popullit” shprehej: Kam një ndjenjë të dyfishtë: “E para dhe që të gëzon është se te ky libër ekziston ajo e fshehtë, ajo diçka specifike që i duhet artit. Ajo që është më afër shpirtit të tij shprehet deri diku drejt.

E dyta dhe që të hidhëron, të bën të frikësohesh për të ardhmen, është se në mjaft vjersha mungojnë krahët, mungon horizonti… Poetin… duhet ta shqetësojnë problemet e mëdha…”. Ai që e mirëpriti librin (pas Mark Gurakuqit, i cili shkroi gjatë në “Zëri i Rinisë”) ishte kritiku Razi Brahimi. Tani unë shkrimin e tij, botuar në “Nëntori”, nr. 8, 1963, e ribotoj pa i hequr as presjen. Përmes kësaj jehone unë u nisa të trokas në dyert e atyre që kishin në dorë hyrjen time në universitet. Korça përsëri seç kishte ngatërruar, megjithëse shef arsimi ishte Kristaq Cepa, me të cilin isha në një rreth letrar të Pallatit të Kulturës (Kapa – vjershëtari satirik, që e mbanin ndër të shquarit e “Brezit të Ri të viteve ’30”).

Më ndihmoi Llazar Siliqi. Ngarkoi Baki Kongolin, që ishte sekretar për Muzikën në Lidhje, të bisedonte me ministrin Thoma Deliana. Më mundësuan të takohem me të. Ai, si më dëgjoi, më tha: “Ti do të shkosh në universitet!”. I zgjata, duke u dridhur, librin “Lirikat e majit”, siç më kishte mësuar Siliqi. Më kërkoi autograf. Nuk mbaj mend se ç’i kam shkruar. Kur u kthye nga internimi, nga Tepelena, ku ministri i ndëshkuar ruante delet, i dhashë një libër tjetër me lirika, ku i shkrova: “Ministrit të përhershëm të arsimit”. Për një moment m’u afruan dy fytyrat e dy burrave të pashëm dhe më kumbuan dy zëra: zëri i Drago Siliqit: “Ky libër do të botohet!” dhe zëri i ministrit Deliana: “Ti do të shkosh në universitet!”.

Në Korçë, në dyqanin e shitjes me valutë, kisha blerë këmishë dhe këpucë çeke, dhe një pardesy italiane ngjyrë ulliri. Dhe shkova në universitet. Në auditor gjeta ata, një pjesë e të cilëve do të bëheshin ndër emrat e njohur të letrave shqipe: Faik Ballancën, Xhevahir Spahiun, Nasi Lerën, Adem Istrefin, Sulejman Krasniqin, Hiqmet Meçen, Spiro Deden, Seit Mansakun (gjuhëtar), Niko Dakon, Ilia Lëngun, Gaqo Bushakën, Pandeli Koçin, Aristidh Ristanin (përkthyes), Shaban Muratin, Halil Lazen, Kozeta Mamaqin (Olldashin), Tatiana Budën, Vera Lohjen (Ibrahimin), Thoma Qendron, Foto Qiriazatin, Kristaq Nanushin, Ymer Lugalliun, etj. Më vonë erdhi Ndoc Papleka. Pastaj Koço Kosta. Janë mbi tridhjetë veta që kanë botuar libra. Midis tyre “krekosesha” unë se isha i vetmi që kisha botuar librin e parë me lirika…

Kishte ardhur Viti i Zi 1967. Kur bëja përpjekje për të zgjidhur enigmën e marrjes ushtar i kërkova ndihmë Resul Bedos, shkrimtar dhe funksionar në Ushtri. “Aha, nuk shpëton dot, ty të ka kapur boa e Nankinit” – më tha mbas ca ditësh, mbasi e “zhbiroi” problemin, ai e di se ku. Dhe më tregoi se kur kish qenë atashé ushtarak në Kinë, kish parë një boa në një kopsht zoologjik, që gëlltiste një qengj. E kishte përlarë përgjysmë dhe qengji i mjerë lëvizte akoma bishtin. Më shpëtoi një deklaratë e Llambi Premtit, me vulë të Komitetit Qendror të Partisë, ku ai punonte. Ai vërtetonte se kishte qenë shok lufte me tim vëlla, Nevruzin e Elegjisë. Ishte edhe një shkresë tjetër sekrete, që Librazhdi ia kërkonte urgjentisht Korçës dhe ajo i përgjigjej:

“Gjegje shkresës suaj…”. Ndërkohë unë shkruaja intensivisht. Po botoja poema. Po orientohesha drejt kërkesave të kohës, drejt “temave të mëdha”. Shkruaja edhe balada. Në konkursin letrar kombëtar të 30-vjetorit të Çlirimit çova dy poema, një vëllim me vjersha dhe një novelë. Mora çmim edhe në poezi, edhe në novelë. Çmimin e poezisë ma zbritën më poshtë. Çmimin e novelës, ku ishte kryetar Jakov Xoxa, ma hoqën “ata lart”. Është meritë e shkrimtarit Vath Koreshi, ahere redaktor letrar në “Drita”, që shpëtoi poema “Firma e popullit tim” nga mosbotimi më 1974.

Ai ma ktheu, gjoja për ta ripunuar dhe më këshilloi të theksoja frymën socialiste. Tregonte se u befasua kur ia çova krejt të ripunuar. Kishte në sirtar edhe emrin tim në një listë me krijues, të cilët për shkaqe biografie nuk duhej të botonin në atmosferën e përvjetorëve të Partisë, të Republikës, të Çlirimit.

Atëherë ishte 30-vjetori i Çlirimit dhe unë guxova të konkurroja me “Nënën Shqipëri” dhe poemat e Siliqit, Arapit etj. Koreshi e botoi me kokën e vet dhe priste të binin telefonat nga lart. Për fatin tim të mirë, poema rrufeshëm u inskenua dhe u recitua në radio-televizion nga shumë aktorë. Edhe nga aktori Naim Frashëri. Ajo m’u bë mbështetje politike edhe në çaste të rënda.

Sprapsi propozimin që i kishte shkuar nga Korça Manush Myftiut, për një internim të familjes. Siç duket, ai kishte dijeni që dy xhaxhallarë të mi në Australi kishin marrë dy mbesat e tij, dy vajzat e së motrës në mërgim. Por kjo poemë më kish nxjerrë edhe telashe. Kur më kërkuan një libret për grupin artistik të minierës, futa pasazhe prej vargjeve të saj. Por “kisha rënë në pacifizëm, se doja t’i ktheja shpatat në parmenda”. Në libret, Gjergji ngrihej nga Sofra e Pishkashit dhe thërriste: “Merreni vëllezër këtë shpatë, gjysmën ta bëni plug e gjysmën bajonetë!”.

Edhe kjo ishte dërguar në “Degë”. Ishte gërmuar gjer te botimi i parë i poemës “Firma”, që mbyllej me “pacifizëm hrushovian”:

Ditën shpata plug,
natën dhe plugu bajonetë…

Këtë pasazh e hoqa nga botimet e mëvonshme të poemës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura