“Pse u pendua Nexhmije Hoxha”/ Si e vranë doktor Enver Zazanin, historia e mjekut-deputet, që u dënua në vitin ’46

Apr 25, 2020 | 12:44
SHPËRNDAJE

E veja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, u nda nga kjo jetë pa kërkuar falje për krimet e komunizmit, por, ama, duket se një peng e kishte. Ndër dy personat, për të cilët ajo ka shprehur keqardhje për fundin tragjik, ishte pikërisht doktor Enver Zazani: mjek humanist, intelektual, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe deputet i Kuvendit Popullor në vitin 1946. Enver Zazani ishte një nga mendjet brilante të kohës së vet.

Ai u shpreh kundër politikës antiperëndimore, që po ndiqte diktatura e sapovendosur në Shqipëri dhe për këtë u arrestua, dënua dhe pushkatua. Shumë vite më vonë, në një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, Nexhmije Hoxha do të shprehej: “Tjetri ishte Dr. Zazani dhe gruaja e tij franceze. Ata jo vetëm luftuan, por më kanë strehuar mua dhe shokë të tjerë në shtëpinë e tyre. Nuk mundëm t’i ndihmonim atëherë, ashtu ishte situata”. Edhe sot, grupi i deputetëve intelektualë, të pushkatuar nga regjimi komunist, janë pa varr dhe pa marrë shpagim për dënimin e tyre të padrejtë.

Enver Zazani
Enver Zazani

VEHIP BAKIRI*

Në lagjen “Dunavat” të Gjirokastrës jetojnë edhe sot trashëgimtarë të familjes Zazani. Njëri prej tyre, në fillim të shekullit të kaluar, pasi mbaroi studimet në Stamboll, u emërua gjykatës në Himarë. Këtu lindi më 10 shkurt Enver Zazani. Ishte djali i dytë ndër katër fëmijë.

Një sëmundje e papritur e ndau të atin e doktor Zazanit, Islamin, nga jeta duke lënë gruan me 4 fëmijë. U detyruan të kthehen në Gjirokastër. Një jetë e vështirë filloi për familjen.

Enveri shkëlqeu si nxënës që në fillore. Mësonte deri vonë nën dritën e llambës dhe rezultatet shumë të mira e ndoqën deri në gjimnaz e më vonë edhe në Liceun e Korçës, të cilin e mbaroi me rezultate të shkëlqyera.

Enver Zazani, në Konferencën e Pezës
Enver Zazani, në Konferencën e Pezës

Pas mbarimit të liceut iu akordua bursë për Mjekësi në Francë, në fillim në Monpelje dhe pastaj në Lion. Pas studimeve bëri edhe 2 vjet specializim. Me gjithë ofertat që i bënë për të qëndruar në Francë, ai u kthye në atdhe. E caktuan me punë në Qarkun e Durrësit. Mjeku i ri, në pak kohë, u bë i njohur dhe i dashur për durrsakët, kavajasit, shijakasit jo vetëm për aftësitë e tij, por edhe për humanizmin, mikpritjen në shtëpi, kurajën që u jepte të sëmurëve e familjarëve të tyre. Nuk përtonte as ditë e as natë. Fjala e tij, më shumë se ilaçet, shëronte dhe mbushte me shpresa të sëmurët. Për të varfrit, jo vetëm që nuk merrte honorarë, por në recetë vinte shënimin “për llogarinë time”, që për farmacistin do të thoshte se paratë do t’i paguante doktori.

Që durrsakët e deshën shumë, këtë e tregon edhe fakti që të paktën 3 familje në Durrës u kanë vënë emrin e doktorit fëmijëve të tyre (njëri prej tyre është Enver Plaku, aktor filmit dhe regjisor).

Si atdhetar, Enver Zazani u shqua në periudhën e Luftës dhe pas saj, aktivitet që ai e nisi që në bankat e shkollës. Në Liceun e Korçës, për kushte jo të mira, nxënësit vendosën të protestojnë dhe në komisionin e protestës ishte edhe Enveri.

Enver Zazani me bashkëshorten franceze
Enver Zazani me bashkëshorten franceze

Në Gjirokastër u zbulua dhe u arrestua një grup që kërkonte rrëzimin e A. Zogut. Enver Zazani, Selaudin Kokona, Selami Xhaxhiu dhe studentë të tjerë që kishin ardhur me pushime, në Shqipëri shkruan nëpër mure: “Në rast se ata pushkatohen, populli do ngrejë krye”. Meqë ishin të dyshuar, i arrestuan, u provuan shkrimet, i pyetën dhe kur ata refuzuan i liruan.

Në Durrës, krahas ushtrimit të profesionit të mjekut, ai u përfshi fort në veprimtarinë atdhetare e nacionaliste për të luftuar okupatorin fashist.

Sabri Beja, nipi i Shefqet Bejës, tregon: “Sapo isha kthyer nga Italia për pushime. Xhaxha Shefqeti më thotë se i duhej vetura ime se do shkonin në Kavajë bashkë Enverin për një vizitë. Pas ca ditësh mësova se ata kishin qenë në Pezë, ku u mbajt konferenca. Nga ajo konferencë Shefqeti ishte zgjedhur nënkryetar dhe Enveri anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Kur u formua Këshilli Nacionalçlirimtar në Durrës, Enveri u zgjodh anëtar i këtij Këshilli. Anëtarët e Këshillit mbanin fjalime në popull, mblidhnin ndihma, gjenin baza për ilegalët, teknikën. Shtëpia e Enverit u kthye në një bazë të sigurt. Shkrimtari A. Musta, duke sjellë kujtimet e prof. Foto Balës, shkruan: Në verë të vitit 1943, në zyrën e kuestorit Dh. Bala erdhën Enver Zazani dhe Shefqet Beja. Nga mënyra se si i priti, dukej që njiheshin. Biseduan për fitoret e Ushtrisë së Kuqe në Kurks, njoftimin e Radio Londrës që fliste për çetat partizane të Pezës dhe M. Ujanikut. Në fund, Enveri iu drejtuar Kuestorit: “Në emër të Këshillit Antifashist të Qarkut, ju kërkojmë të ndërhyni pranë Komandës të Karabinierisë që të lirojë shoferin e arrestuar Ali Kasoruho. Tek Ura e Dajlanit, atij iu gjetën 5 pistoleta dhe 500 fishekë, që do t’i dërgoheshin qarkorit të Gjirokastrës. Italianët mund ta torturojnë dhe ai mund të tregojë lidhjet që ka. Ju lutem ndërhyni duke i dhënë çështjes karakter ordiner, se gjoja armët do shiteshin për qëllime fitimi. Këtë detyrë duhet ta kryeni patjetër! Ky është një gur prove për devotshmërinë tuaj ndaj popullit dhe atdheut”.

Në kushtet e një terrori të egër, kur në Durrës u bënë shumë arrestime, meqë kishte rënë në sy, u hodh në ilegalitet. Luftoi me armë në dorë deri në çlirimin e Shqipërisë. Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Antifashist mori pjesë dhe në Konferencën e Beratit. U dekorua me medaljen e çlirimit dhe të kujtimit.

Paslufta e gjeti me gradën major. U emëruar si drejtor i Spitalit Ushtarak. Në zgjedhjet e vitit 1946 u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor. Duke parë se punët nuk po shkonin mirë, se aspiratat dhe ajo për të cilën ai luftoi nuk po realizohej, ai filloi të diskutonte për gjendjen. Ata nuk ishin dakord me reformat që po bëheshin, nuk ishin dakord me qëndrimin antiperëndimor të qeverisë. Këto mendime i shprehën edhe në mbledhjet në Kuvendin Popullor. Prandaj edhe i arrestuan në maj 1947.

Filloi kalvari i vuajtjeve dhe torturave. Mundi të dërgonte mesazhe nga burgu, por një e kapën dhe e torturuan aq sa i thyen edhe syzet, pa të cilat nuk shikonte. Njëri nga hetuesit i ka shuar cigaren ne kapakun e syrit. Pas 5 muajve tortura e pushkatuan bashkë më shokët në Bregun e Lumit.

Që Dr. Zazani ishte i pafajshëm e tregon edhe një intervistë e Nexhmije Hoxhës, dhënë në emisionin “SHQIP” të Rudina Xhungës. Pyetjes së gazetares se a ndjente ndonjë keqardhje apo pendesë për shokët e Enverit (Hoxhës) që u pushkatuan, ajo u përgjigj: “Po, për dy prej tyre. Njeri ishte Syrja Selfo, që ka ndihmuar shumë familjen e Enverit gjatë luftës. Tjetri ishte Dr. Zazani dhe gruaja e tij franceze. Ata jo vetëm luftuan, por më kanë strehuar mua dhe shokë të tjerë në shtëpinë e tyre. Nuk mundëm t’i ndihmonim atëherë, ashtu ishte situata”.

Pas përmbysjes së regjimit komunist, emri i Dr. Enver Zazanit u përmend me nderim. Presidenti i Republikës e dekoroi me medaljen “Martir i Demokracisë”, qyteti i Durrësit e bëri “Qytetar Nderi” dhe një rruge i vuri emrin e tij. Qyteti i Gjirokastrës e bëri “Qytetar Nderi”.

Por, edhe sot pas 73 vjetësh, deputetët e pushkatuar janë pa varr. Asnjë përkujdesje për veprimtarinë e tyre nga të gjitha qeveritë. Aq është e vërtetë sa që nuk dihen saktë cilët kanë qenë deputetët e Grupit të Deputetëve dhe cila ka qenë veprimtaria e tyre.

(* Nipi i Dr. Enver Zazanit)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura