Pse rezultoi i pabesueshëm operacioni “Lazarati”

Jul 28, 2015 | 12:27
SHPËRNDAJE

Preç-ZogajjPREÇ ZOGAJ

Operacionet e përditshme policore kundër kana-bisit flasin qartë për një hartë të re të kultivimit të kësaj bime narkotike, hartë e cila duket sikur ka lënë “pushim” apo në hije zona të konsumuara, por ka shënuar ndërkohë një zgjerim rekord në zona  deri më sot të virgjëra. Kultivuesit janë shumëfishuar në numër dhe kanë qenë në ekspansion të paparë gjatë këtij viti. Nga Jugu në Veri të vendit. Policia po asgjëson shumë sepse ka shumë. Çdo ditë me mijëra e mijëra bimë në flakë. Shifrat duhet t’i besojmë si Biblën. Si të na i servirë kupola e rendit.

Nuk ka verifikim apo konfirmim në terren nga një palë tjetër, që në këtë rast mund të ishte media. Në kohën tonë, as bilancet e luftës nuk raportohen  më kështu.
Sidoqoftë, bashkë me mbështetjen e këtyre operacioneve, vetvetiu të vjen të pohosh me habi: sa shumë qenka mbjellë këtë vit! Fjala nxjerr fjalën, mendimi mendimin dhe ja ku merr formë pyetja kyçe: Si është e mundur që operacioni i famshëm policor i vitit të kaluar kundër “bastionit” të kanabisit në fshatin Lazarat të Gjirokastrës, sprova më e madhe e forcës dhe medalja më madhe e trimërisë që ka varur në gjoksin e saj qeveria “Rama”, ka  prodhuar në shkallë vendi efektin e kundërt me efektin që prodhojnë betejat e suksesshme të kësaj natyre?
Nuk i ka trembur, por i ka trimëruar kultivuesit e drogës në Shqipëri; nuk e ka ulur, por e ka rritur e stërrritur numrin e tyre; nuk e ka ngushtuar, por e ka zgjeruar e stërzgjeruar hartën e bimës së ndaluar.
* * *
Policia, organet e tjera të ligjzbatimit në vend, strukturat e analizës pranë Qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme, nëse bëhet më analizë profesionale për këto dukuri në piramidën e ekzekutivit shqiptar, kanë detyrimin të dalin në përfundime të argumentuara: Pse ka shpërthyer kaq furishëm një gjë që na u tha se u godit në rrënjë? Pse ka dështuar kaq keq operacioni i  Lazaratit, si operacion që do të hapte kapitullin e ri të Shqipërisë që i largohet gjithnjë e më shumë kultivimit të lëndëve narkotike dhe i afrohet gjithnjë e më shumë punës së ndershme? Pse nuk e besuan operacionin e Lazaratit as narkokultivuesit dhe narkotrafikantët ekzistues, por as të tjerë e të tjerë, që nuk ishin marrë më parë me këtë aktivitet  kriminal, por shihet qartë se e kanë filluan këtë vit? Ç’ishte  vallë ajo luftë e madhe fitimtare, që nuk i pakësoi, por i shumoi si mizat e lisit “humbësit”?

Unë nuk mund ta them me siguri a ka vullnet qeveria e Edi Ramës  të thellohet në një analizë të tillë kaq të rëndësishme për fatin e pushtetit të drogës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri. Por e pohoj me plot gojën se është detyra e saj ta bëjë këtë. Nëse nuk e bën, nëse nuk arrin ta ftillojë e shpjegojë me vërtetësi këtë që po ndodh dhe të përcaktojë mbi këtë bazë paketën e re të masave antidrogë, narkotrafiku do të njohë një valë të re të përhapjes së tij. Ky është rregulli. Malavita i lexon saktë  mesazhet që qarkullon heshtja apo shtirja e qeverisë.

Në pritje të qeverisë, po them disa mendime të miat për këtë çështje. Në parantezë, dua të kujtoj se duke mbështetur pa rezerva operacionin policor kundër drogës në Lazarat, unë kam  kritikuar me shqetësim dhe me përçmim shkëmbimin e medaljeve të trimërisë dhe krenarisë në rrethin e ngushtë të Kryeministrit  dhe sidomos maninë e këtyre fitimtarëve për të kafërdisur pa pushim triumfin e tyre me dhjamin e një të arrestuari me emrin Gate, që paraqitej si të ishte Pablo Eskobar. Më bënte përshtypje të keqe kjo gjë, duke qenë se zmadhimi përtej asaj që është i kundërshtarit dhe suksesit ka gjithnjë një hile brenda. Në parim, rëndësia e një ngjarjeje përcaktohet nga efektet që ajo prodhon nesër-pasnesër.

Rëndësia e operacionit të Lazaratit do të përcaktohet nga fati i drogës në vend, kam shkruar atëherë. Ja ku jemi tani, pas një viti. U mbyll një Lazarat dhe mirë u bë, por buisën dhe u hapën me dhjetëra e qindra të tjerë në mbarë vendin, si në një shpërthim metastazash.
Kjo sipas meje ka ndodhur dhe po ndodh për këtë arsye:
E para, në Lazarat u goditën disa kultivues dhe magazinues të lëndës narkotike, por operacioni i bujshëm nuk identifikoi dhe nuk preku bosët e narkotrafikut në vend. Me gjasë, kur po sulmohej Lazarati, këta, bosët, e konsideronin të mbyllur ciklin e fshatit të njohur dhe kishin filluar që atëherë të planifikonin “shumëfishimin” dhe spostimin e lazaratëve në pjesë të tjera të  territorit të vendit. Dështimi i qeverisë për kapjen e tyre apo, më keq akoma, lënia e tyre me dashje në liri me lloj-lloj alibish e pretekstesh, ka qenë parashkrimi i lulëzimit të hovshëm të kanabisit anembanë vendit një vit më vonë.  
* * *
E dyta, operacionin e Lazaratit duket qartë se nuk e kanë besuar as të rinjtë që sot figurojnë si rishtarë të fidanishtes së  malavitës dhe kjo lidhet me ngjyrat politike të operacionit. Dashje pa dashje, por më shumë me dashje dhe budallallëk, qeveria u investua sikur po rrafshonte një bastion të PD-së në opozitë, duke bërë lidhje të shkurtra midis votës gjithnjë djathtas të lazaratasve dhe arëzave me kanabis në fshatin e tyre. Teprimi  dhe nënvizimi i këtij mesazhi bëri që operacioni i qeverisë të  perceptohet gjerësisht, jo pa të drejtë, si një shou, si një ndëshkim për kundërshtarët dhe kaq. Bosët dhe rishtarët përftuan  në këtë perceptim lejen për të mbjellë lëndë narkotike  gjithandej. Nuk është rastësi që, sipas raportimeve që jepen, arat dhe arëzat ku është mbjellë më shumë kanabis gjatë këtij viti ndodhen rëndom në territore ku pushtetin vendor e kanë përfaqësuesit e së majtës në pushtet.

E treta, që të ketë sukses lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike në një vend të varfër dhe të mësuar me to nuk duhet të  bëhët me fushata, nuk mund të mos jetë e jashtëzakonshme. Përndryshe, është në natyrën e fenomenit që ai të shpërthejë sapo të shohë të çarën me të hollë, mundësinë më të vogël. Askush, besoj, nuk ka pritur që një vit pas operacionit të Lazaratit në  Shqipëri të mos mbillej më asnjë rrënjë kanabis. Kjo do të ishte utopike. Por që të mbillej shumë më shumë, kjo nuk përligjet thjesht me dobësimin e luftës. Kultivimi në këto përmasa që po shohim sot kërkon më shumë se rënien e përkohshme të vigjilencës. Kërkon një shkelje syri, një prapavijë politike, një lejim të heshtur në kufijtë fluidë të tolerancës dhe kapjes së disa sasive. Narkotrafiku llogarit gjithnjë se do të humbë një pjesë të drogës në mbjellje, në transport, në shitje. Kjo është e njohur. Ndaj zakonisht, nga sasitë që kapen ne mësojmë më shumë  për sasitë që nuk kapen. Nga sasitë që asgjësohen, mësojmë për përmasat afërsisht reale të vetë fenomenit.
* * *
Një faktor i katërt, që besoj se ka ndikuar dukshëm në përhapjen si epidemi të marijuanës në malet, luginat, pyjet dhe bokat e Shqipërisë ka lidhje me ekuivokët që shkakton në vend “debati” brenda shumicës për lejimin apo moslejimin e kultivimit të kanabisit në Shqipëri. Deputeti Koço Kokëdhima mund të ketë të drejtë në listimin e disa efekteve kurative që ka bima e kanabisit. Nuk kam njohuri ta kundërshtoj në këtë pikë. Ai mund të lobojë në rrafshin europian për legalizimin e kanabisit, duke e institucionalizuar lobingun pranë organizatave të specializuara dhe vendimmarrëse. Por ai është sot një deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një mik i afërt i Kryeministrit Edi Rama.

Nuk mund të jetë kanabisi një çështje e diversitetit të mendimeve brendapërbrenda partisë në pushtet apo mes dy miqve që kanë imazhin e një dysheje me peshë në çështjet e qeverisjes. Kultivimi dhe trafikimi i kanabisit është ligjërisht veprimtari kriminale në Shqipëri dhe në Europë. Legalizimi i tij nuk mund të ndërmerret në mënyrë të njëanshme nga Shqipëria. Ku do ta shesësh, kur vendi fqinj dhe vendet e tjera të Europës e konsiderojnë një drogë të ndaluar? Nuk mund të kultivosh legalisht një gjë që duhet ta shesësh ilegalisht. Nuk të lejon njeri. Mbajtja gjallë e debatit për legalizimin e kanabisit në këto rrethana dhe në kushtet e statusit të veçantë që ka deputeti socialist në raport me Kryeministrin krijon keqkuptime dhe iluzione të mëdha për një gjë që pritet të ndodhë, mund të ndodhë, por nuk ka për të ndodhur në fakt, siç është legalizimi i kanabisit. Por, ndërkohë, kultivuesit janë shtuar dhe kultivimi gjithashtu. E ndaluara merr hov kur gjen sadopak mbështetje.  

Lexuesit e këtij artikulli mund të shtojnë arsye të tjera pse  Shqipëria u shndërrua gjatë këtij viti në kantierin më të madh të kanabisit që ka ekzistuar ndonjëherë në këto anë. Dikush mund të përmendë varfërinë. Dikush, për të justifikuar njëfarësoj qeverinë, mund të thotë se ka qenë vit elektoral dhe se kur është vit elektoral qeveria i lë narkombjellësit të mbjellin me mendimin se do të shkojë t’ua prishë sapo të numërohen votat. Edhe kjo ndodh.
Por çfarëdo që të themi dhe ngado që ta shohim pyllin e madh të drogës, në harlisje apo në flakë, mbetet fakti se operacioni i bujshëm i Lazaratit nuk solli ndalim, por shumëfishim të kultivimit të lëndëve narkotike në Shqipëri. Gjithçka është një çështje besimi. Qeveria e pasinqertë është e pabesueshme.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura