Pse proteston opozita? Paloka: Kërkesa është e qartë, largim i Xhafajt. Reagimet e ambasadorëve skandaloze

May 18, 2018 | 17:16
SHPËRNDAJE

Nënkryetari i PD, Edi Paloka i ftuar në studion e lajmeve të Ora News hodhi akuza ndaj disa ambasadorëve të akredituar në vendin tonë për qëndrimet e tyre pas publikimit të çështjes së vëllait të Fatmir Xhafajt.

Paloka i konsideroi qëndrimet e disa ambasadorëve si skandaloze, ndërsa tha se kanë diskredituar veten e tyre.

paloka

Pjesë nga deklaratat

Protesta iniciohet nga skandali i fundit, dhe kërkesa kryesore është largimi i Fatmir Xhafajt. Por ne dhe të gjithë shqiptarët e dimë se Xhafaj është ministër i Brendshëm, sepse Edi Rama është Kryeministër. Sot ne bëmë një takim të gjatë me të gjithë frontin opozitar, diskutuam gjerësisht për mënyrën dhe kronologjinë e këtij skandali të fundit dhe arritëm në konkluzionin se duhet një protestë e fuqishme në Tiranë, e cila do të zhvillohet pranë Kryeministrisë.

Saimir Tahirin apo Fatmir Xhafajn nuk i vuri PD si ministra, as i tha Tahirit apo Xhafajt merru me Habilajt apo mbro vëllain trafikant droge. Këto i mori Rama, i vuri ministra. Të gjitha të zezat që bën ky Kryeministër dhe kjo qeveri opozita nuk mund të rrijë pa i denoncuar. Nëse Europa i vë kushte të reja Ramës, nuk do të thotë se ka ndryshuar Europa. Janë të njëjtët që na liberalizuan vizat, që na dhanë statusin e vendit kandidat, atëherë pse vendosin kushte të reja? Sepse kështu çdo ditë plas nga një skandal.

Që pas publikimit të përgjimit, përfshirjen e vëllait të Fatmir Xhafajt në trafik droge, nuk ka pasur një reagim të qartë nga ambasadat e huaja, nga ndërkombëtarët, madje Ministri i Brendshëm u shfaq sot në krah të ambasadores gjermane. Përse kjo heshtje e ndërkombëtarëve?

Unë nuk do doja t’i komentoja sepse ne kemi zgjedhur të merremi me institucione direkte për shumë arsye. Ka pasur dhe reagime për mua të nivelit skandaloz të ndonjë ambasadoreje,  por ne kemi zgjedhur të mos merremi me disa individë  që vërtet mbajnë tituj si përfaqësues të atij apo këtij vendi apo si përfaqësues të BE, por që për ne praktikisht e kanë diskredituar veten me qëndrimet e tyre. Ne i mbajmë lidhjet direkte me institucionet dhe janë institucionet ndërkombëtare qoftë ato që lidhen me integrimin e Shqipërisë, qoftë me qeveritë apo kancelaritë europiane i kanë bërë të qartë pozicionet e tyre. Edhe për drogën dhe Saimir Tahirin nuk e hapte askush gojën, më pas u vunë ata me shpatulla pas murit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura