Pse Maks Velo i mohon kontributin Arshi Pipës në letërsinë e burgut

Sep 25, 2018 | 13:18
SHPËRNDAJE

maks-velo-696x399

Lisandri Kola

Në librin e tij, “Maks Velo: jetë paralele” (“UET press”, Tiranë, korrik 2018), z. M. Velo, në intervistën e dhanë për Alda Bardhylin, ff. 239-50, flet për dy figura: për Kasëm Trebeshinën dhe Arshi Pipën. Separat ose sekuencë teksti që ka dalë dhe në “Mapo”, datë 19 shtator 2018. Ndër të tjera, gjatë kësaj interviste, ai jep mendime rreth letërsisë së burgut. Ajo që të bjen në sy asht kriteri përjashtues sa i takon të ashtuquejtunës letërsia shqipe e burgut. Ai shprehet: “Letërsia jonë e burgut është shkruar pas ’90″ (f. 247). Ky përcaktim mbi të gjitha shërben për me përjashtue Arshi Pipën dhe veprën e tij “Libri i burgut”, e cila asht shkrue mbrenda disa burgjeve — 7 ma saktë — të Shqipnisë [gjatë harkut dhetëvjeçar: 1946- 56]: Tiranë, Durrës, Burrel, Gjinokastër e me radhë. Fakti që figura e Pipës përballet me këso “konstatimesh e përjashtimesh” nuk asht gja e re, por e çuditshme asht se ky lloj artikulimi vjen nga nji ish-i burgosun politik.

Arshi Pipa

Z. Velo pretendon se Pipa nuk ka shkrue për burgjet e tij dhe se poezia nuk mund të konsiderohet dokument. Ndërkohë që asht krejt e kundërta, sepse Pipa ka shkrue për burgun/gjet e tij si dhe në krye të herës letërsia dokumentative, dëshmuese e burgjeve të Shqipnisë, në fakt zên fill vetëm me këtë autor. E për ma tepër, akti i këtij, sikurse edhe i ndonji tjetri, asht pak ma vetëflijues e heroik sesa i dikujt tjetër, i cili me gjasë kur ka shkrue Pipa poezitë e tij ndër biruca kanë qenë me shallin e kuq të varun në qafë, tue shetitë rrugëve të bllokut. Që z. Velo nuk asht figurë heroi, këtë e kemi mësue prej tij, disa herë radhazi. Po këtë gja e pranon në fakt kur thotë: “Në birucë nuk kishe mundësi të shkruaje. […] Çdo gjë e shkrova pas 1989-s” (f. 245). Veprim që në fakt e kanë ba dhe autorë të tjerë, si: Át Z. Pllumi, F. Lubonja, Dom S. Jubani etj. Në fakt, gjykimi i z. Velo për poezinë e Pipës asht tangjencial, por edhe jo i plotë. Ky shprehet: “…poezia nuk jep të vërtetën, është një aludim, një perde filtrimi, jo një dokument. Vetëm proza është dokument. Mbi poezinë nuk betohesh, mbi prozën duhet të betohesh” (f. 250). Si fillim, na duhet me thanë se o asht betue Pipa mbi poezinë e tij aq sa ka arritë dhe me i nxjerrë nga burgu nëpër letra duhani ose nuk asht betue kush mbi këtë faqe dheu shqiptarësh. Së dyti, Pipa jo vetëm që ka perceptue e folë për burgjet e tij në poezi, por ka dhanë me detaje (“Libri i burgut”, Shënime, Romë, 1959, ff. 197-214) skena dhe dëshmi nga burgjet enveriste. Pra, në prozë, z. Velo, aq e reduktueme dhe e filtrueme sa mund të jetë ajo. Veç kësaj, Pipa shprehet në parathënie (L. B., Paraqitje) në mënyrë postulative: Spiritualizimi i faktit asht punë e poezìs (f. 10). Don me thanë ky asht kundërargumenti ndaj z. Velo, e detyrimisht Pipa këto punë i dá hollë e jo si ia merr mendja ndokujt. E treta, çka nuk i ka hije nji intelektuali, — e që me sa vrehet asht reminishencë komuniste, — asht me ngritë pikëpyetje pa fakte. Pikëpyetje që mund t’i kishte ngritë nga periudha 1991 deri në gjallje të Arshi Pipës (1997): kohë kur puna dhe veprimtaria e tij u njoh nga afër dhe gjanësisht. Autori në fjalë shton: “Po Arshi Pipa iku, ish në Amerikë, ish i lirë… përse nuk shkroi. Mos ishte një nga pikat e paktit që pati me Sigurimin që e nxori jashtë…?” Nëse ky zotni, ka ndonji fakt mbi këtë çka pohon do të ishte e mira me e dokumentue, sepse me nji deklaratë të tillë ai ka implikue të gjithë autorët, brezin e ekzilit enverian. Po, me sa duket faktet nuk po i vijnë fort për doresh! Dhe këtë e lidhim me botimin e “Jetës paralele”, ku në 106 dokumente të radhitun nuk kanë asnji prodhim fotografik të njisisë origjinale. A mundet lexuesi, tash, prej kësaj pikëpamjeje me dyshue në vërtetësinë e dosjeve të tij? Përderisa ka edhe mungesa emnash të shefave operativë, si te dokumenti 56, fjala vjen, ose emna të tjerë qytetarësh lêhen me tri pika, si dokumenti 33 p. sh. Pra, për ne, as kjo vepër nuk mundet me u quejtë dokumentuese, përderisa nuk ka faksimile të fletëve origjinale. Po hamendsojmë se aty mund të jenë shtue ose heqë sipas interesit frazat, gjykimet, procedimet etj. Le të marrim veç nji rast të thjeshtë që nuk del i kthjelltë e që i mungon sqarimi i duhun. Bardhyli në parathanie thotë: “Maks Velo u arrestua në vitin 1978 kur ishte vetëm 43 vjeç” (f. 5); pra, me aritmetikë, i bjen që datëlindja me qenë viti 1935, ndërkohë te dokumenti 5, operativi shprehet: “Maks Velo […] lindur në Paris më 1939-n” (f. 13). Kjo mospërputhje ose mungesë sqarimi nga ana e kuratores apo e autorit, na ban me kuptue se nëpër tekst mund të ketë dhe lëshime të tjera.

Z. Velo, vijon: “Jam nga të parët që fillova të shkruaj letërsi burgu që më 1991-shin, nuk kisha as një shembull”. Në fakt, këtu, ka të drejtë se nuk ka pasë shembull por kryeshembull: Arshi Pipën. Dhe z. Velo e ka shkrue veprën e tij, në kushte lirie, kur ka pasë mundësi letre, makine etj., pra, aksesi normal për veprën e tij, e jo si Pipa, i cili pohon: “Ta kishte shkruejtë auktori kët libër ndër kushte të ndryshme prej atyne, ndër të cilat jetoi, ai do të kishte pëlqye prozën. Por, ndër kushtet e dhana ai nuk mund të bante ndryshe. Ka ndodhë, dhe jo vetëm nji herë, që atij i ka mungue dhe karta” (Paraqitje, f. 9). Pra, poezia për Pipën ka qenë kompromis fizik (i detyruem): bazë materiale dhe kohë. Jo pa qëllim, Pipa thotë se poezia: “zen vend mâ pak dhe ruhet mâ mirë” (f. 10). Dhe aludimet që pretendon z. Velo, të cilat mund të ndodhin në poezi, janë aq periferike te “Libri i burgut” sepse përmbajtja poetike e këtij libri asht kaq realiste: nji skanim i burgut të vetes dhe të tjetrit. Cili ka qenë objeksioni i Pipës për burgun? Kjo shpjegohet me pohimin e tij: “Ishte puna me ngulë ndër syntheza nji realitet psyhik qi mund të venitej ose të birrej me kalimin e kohës; me kapë përvojën dhe me i dhanë trajtë atëherë kur t’ishte ende e ngrohtë, n’afshin e pasjonit të çasit; me ruejtë çasin, çasin vështrimplotë, herë mbas here, në mënyrë qi ndija e kohës, e asaj kohe, të mbetej e gjallë” (f. 10). Pra kemi të bajmë me dy tipologji shkrimi: e para që ekzekutohet në burg dhe e dyta që ekzekutohet pas daljes nga burgu. Pra, don me thanë se disa kanë guxue me shkrue mbrenda birucave, me idenë që mos me u ikë imazhet dhe përjetimet dhe disa të tjerë kanë ndier, përjetuar e menduar, por kanë shkrue pas lirimit të tyne.

Të tilla aludime gjithashtu mund të parashihen në tregimet dhe veprat letrare të Maks Velos. Përderisa z. Velo pohon se merret me letërsi, duhet me e pranue se edhe proza pikëpjeket me fiksionin. Don me thanë se shmangia nga e vërteta ose sita e kësaj të fundit mund të parakuptohet në një proces letrar.

Mbrenda narrativës dhe pohimeve të z. Velo për A. Pipën, mund të dallohet thjesht mungesa e thellësisë për kompleksitetin letrar të “Librit të burgut”; zhvendosja e sinorëve kohorë (d.m.th. që letërsia shqipe e burgut fillon pas 1991: kohë, e cila po kuptohet se i volitë drejtpërdrejt atij); dallohet se ai po flet pa baza dokumentative; po projekton anmikun dhe sigurimsin te shumëkush; po flet në nji çast historik që dy autorët si Pipa si Trebeshina nuk i kthejnë dot përgjigje; doemos po hyn në fushën e teorisë së letërsisë edhe pse pa sukses: kësodore po vetëpozicionohet si i vetmi dhe ma i sakti rrëfyes i burgjeve të Hoxhës. Sidoqoftë, çdo produkt letrar, memuaristik a i përafërt me zhanrin letrar, asht variant perceptimi, ndjesie, transmetimi të realitetit. Secili që ka deshmue, duhet respektue! Pra, në variantin e tij: mbështetë në ekzistencën dhe përvojën personale. Ajo çka lên vend për diskutim janë pohimet e pambështetuna (qoftë edhe në rastin e nji pikëpyetjeje kinse naive) për Pipën a ndokênd tjetër. Sikurse dihet, jo çdokush që i ka shpëtue ferrit enverist, ka qenë i lidhun me sigurimin. E këtë e flas prej dëshmive dhe eksperiencës së nji qyteti si Shkodra, qytet prej të cilit kanë ikë malit e ujit sikurse kanë mbetë shumë si malit si ujit. Dhe nëse Arshi Pipa do të kishte ba pakt me sigurimin, nuk kishte me qenë nevoja që me e ngjeshë armën brezit atë natë që çanë kah Muriqani, së bashku me të motrën Fehimen. Kjo don me thanë se, nëse rojet do t’i kishin diktue, nuk i dihet si do të kishte përfundue fati i tyne. Ndoshta si fati i personit të besës Muho Seitit, i cili mbas disa kohësh vdiq në shkëmbim armësh me rojet e kufinit!?

Po e mbyllim tue ritheksue faktin se Arshi Pipa misionin e tij për burgjet e veta dhe ato të komunizmit shqiptar sikurse për krejt sistemin monist, e ka përmbushë qoftë me veprën e tij letrare “Libri i burgut”, qoftë me veprat fundamentale “Stalinizmi shqiptar” apo “Politika e gjuhës në Shqipninë Socialiste”; mos me thanë dhe me qinda artikuj të ndryshëm. Kështu që, z. Velo, përveç paraleles, duhet konsiderue dhe pingulja!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura