Pse jam për Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike

Sep 20, 2021 | 9:40
SHPËRNDAJE

GENC POLLO

Genc_Pollo

1-Projekti i shpresës e i besimit ende në pritje

Partia Demokratike e mbas 25 prillit fatkeqsisht nuk ka ende një projekt të ri besimi e shprese me të cilin mund të motivojë anëtarësinë dhe elektoratin e saj si dhe të afrojë pranë saj segmente të tjera të shoqërisë e të opinionit publik. Në mënyrë që ajo të bëhet mazhoritare në zgjedhjet e ardhshme. Votimi i anëtarësisë për kryetarin e kongresi partiak që u mbajtën fill pas 25 prillit praktikisht e penguan formulimin e një projekti të ri. Parulla “Përpara me këta që kemi” ishte ekuivalenti partiak i kokës së strucit të futur në rërë. Jam i sigurt megjithatë që në Kuvend deputetët demokratë do të jenë denoncues të abuzimeve e të dështimeve të qeverisë e sa të munden edhe kontrollues të saj. Këtë funksion demokratik të rëndësishëm ata e kanë kryer më së miri gjatë dy legjislaturave të fundit deri në momentin fatal të “mandatdjegies”. Por veç kësaj deputetët dhe tërë Partia Demokratike  paraqitën edhe një vizion alternativ qeverisjeje, realizimin e të cilit shumëkush e konsideronte të mundshëm. Deri në 25 prill 2021! Pas tetë vjetësh në opozitë dhe në prag të një tjetër katërvjeçari opozitar PD aktuale në status quo nuk ka sesi të vazhdojë të bëjë këtë. Dmth të bindë njerëzit se është apo se me kalimin e kohës do të bëhet një alternativë reale ndaj pushtetit rilindist. Kjo situatë natyrshëm e bën pushtetin edhe më arrogant, më abuziv e më të dëmshëm për një Shqipëri demokratike e europiane. Prandaj status quo në PD duhet të jetë i papranueshëm për çdo demokrat me ndërgjegje politike.
2-Monopoli i së Vërtetës
Në 19 maj të këtij viti Sekretari i Shtetit i ShBA-së e përcaktoi Ish Kryetarin e PD-së si person që nuk mund të hyjë në ShBA (designated ineligible of entry into the US). Tre ditë më vonë në një intervistë kam thënë se “Ky lajm ka qenë i papritur e tronditës për shumëkënd; jo vetëm për fansat e Doktorit. Nuk i di detajet e faktet që mund të kenë shërbyer për bazë. Palët mund t’i sqarojnë. Por më bën përshtypje se ndryshe nga tre personat që së fundmi janë shpallur “non grata” Sali Berisha është prej tetë vjetësh larg nga çdo ofiq pushteti. Ai ka denoncuar rregullisht paudhësitë e qeverisë Rama; të cilat, me një gjuhë tjetër por me thelb të njëjtë, denoncohen edhe nga raportet ndërkombëtare. Dhe ndryshe nga këta tre persona e shumë të tjerë z. Berisha ka merita historike edhe në marrëdheniet tona me ShBA.”
Ofiqarë amerikanë ndërkohë kanë shpjeguar se procesi i verifikimit të personave për përcaktim të tillë zgjat shumë kohë sepse  involvon shumë agjenci dhe shqyrtim të imtë. Prandaj edhe koha e përcaktimit e njoftimit të tij nuk ka lidhje me kontekstin politik në shtetin e personit të përcaktuar. Mund të jetë fare mirë kështu. Edhe pse kush ndjek jetën publike në ShBA mund të jetë tronditur (tronditur them në rastin e një dashamirësi si unë) nga akuzat e ndërsjellta mes kampeve politike, sidomos gjatë pesë viteve të fundit, për politizimin dhe instrumentalizimin partiak të agjencive qeveritare përfshi ato shumë të rëndësishme. Edhe pse gabimi është njerëzor e njerëzimi përfshin Amerikën siç dëftejnë raportet e Inspektorit të Përgjithshëm e të Posaçëm për Afganistanin (SIGAR). Hamendësime e në këtë çështje janë të padobishme. Përderisa provat e dëshmitë e akuzës dhe të mbrojtjes nuk janë ballafaquar publikisht në sistemin juridik shqiptar ato mbeten spekulime. Kjo vlen në parim edhe për dy të përcaktuarit e tjerë në kampin rilindist. Edhe pse për ta mund të kemi informacione të shumta e opinion të ngulitur.

Por ka diçka tjetër që lipset të sqarohet. Ofiqarë amerikanë gjatë verës kanë trysnuar jo publikisht dhe publikisht (në rastin e fundit me metafora të papërshtatshme) Partinë Demokratike që ajo të përjashtojë sa më shpejt e jo me vonë se shtatori Ish Kryetarin nga grupi parlamentar. Rezultatin e trysnimit e pamë tek vendimi personal i Kryetarit të partisë në 9 shtator.
Ndërkohë që diçka e tillë nuk ka ndodhur me dy rastet e kampit rilindist. Me rastin e kryebashkiakut dhe të deputetit. Madje në të dyja rastet Kryeministri ka sfiduar hapur përcaktimin amerikan. Për kryebashkiakun deklaroi se e ka dhe do e ketë mik çfarëdo që të thotë Amerika për mikun. Edhe pas moskandidimit atij ja la të pacenuar pushtetin duke i emëruar njerëzit e tij në bashki. Nga anëtar i kryesisë qendrore të partisë e largoi butësisht e me terezi në kongresin e radhës pas dy vjetësh (2 shtator 2021; ironikisht një javë para përjashtimit të Ish Kryetarit).
Deputetin,  të cilin u detyrua t’a përjashtonte formalisht që herët, e kojti me tendera e drejtorë rajonalë të cilët mundësonin vjeljen e votës. Kur drejtuesi politik për qarkun (ironikisht ministër i jashtëm) u ankua në parti për këto favore të tepërta reagimi i Kryeministrit/Kryerilindistit ishte se deputeti përbënte një realitet politik në qark e kjo duhej respektuar dhe pikë. Rezultati ishin tre mandate shtesë për qeverinë mbas 25 prillit dhe influenca e vazhduar e deputetit tashmë të dorëhequr.
Ofiqarët nuk e kanë shpjeguar ende pse u përdorën dy kute. Edhe pse pëgjegjësia e pushtetit është gjithëmonë më e madhe sesa ajo e opozitës. Derisa kjo të ndodhë do të vijojnë hamendësimet e spekulimet se përcaktimet amerikane, koha e natyra e sidomos impakti në terren i tyre mund të mos jenë krejt burokratike, automatike e objektive. Dhe unë personalisht kam një arsye më pak për të rishikuar qendrimin tim mbi përcaktimin e 19 majit.
Por meqë po flitet për sovranitetin në partitë tona duhet të kujtojmë se kurrkush nuk mund t’i mohojë Amerikës sovranitetin e saj që t’i lejojë a ndalojë hyrjen në vend kujt të dojë. Po ashtu duhet të themi se përcaktimet amerikane, çfarëdo të mendojmë për to, duhen konsideruar realisht si elemente të botës reale dhe dhe të marrëdhënies me një mik e aleat të madh e të pazëvendësueshëm të Republikës tonë. Prandaj ato për hir të interesave më të mëdha se ato personale lipset të zgjidhen në rrugë vetjake. Mend për herë tjetër!

3-Jo çdo e keqe vjen për të bërë dëm

Ish Kryetari ka nisur një lëvizje brenda partisë e cila ka përkrahje të gjerë në anëtarësi. Motivet e përkrahjes në anëtarësi shtrihen nga pakënaqësia për humbjen zgjedhore, tek zemërimi për përjashtimin e mënyrën se si u krye ai dhe deri tek shpresa se partia do të mund të shndërrohet sërish në një alternativë reale pushteti. Potenciali i lëvizjes është pozitiv nëse orientohet nga e ardhmja. Prandaj shresoj se rrugës do të filtrohen objektivat ngushtësisht personale në favor të atyre që i shërbejnë të partisë e vendit. Propozime të çuditshme për amendamente statutore duhen lënë pas. PD nuk ka vuajtur nga cilësia e statutit por nga shkelja apo zbatimi arbitrar i tij para e mbas v. 2013. Konsolidimi i kulturës së ligjshmërisë brendapartiake është sfidë afatgjatë. Po ashtu edhe rishikimi i parakohshëm i 9 shtatorit do të ishte kundraproduktiv. Duam apo nuk duam ai do të hapte opozitës fronte lufte të panevojshëm ndërkohë që asaj i del e i tepron fronti me regjimin.
Gjithashtu duhet të jetë e qartë se orientimi nga ardhmëria nuk përmban restaurimin e realiteteve të para v. 2013 apo të vartësive të perceptuara të mbas v. 2013.
Këtu ka plot elemente që mund të shtohen apo të hiqen nga agjenda e lëvizjes dhe e kongresit partiak që ajo synon. Debati i demokratëve në javët e muajt në vijim do të konturojë këtë agjendë.
Vlera e lëvizjes dhe merita e Ish Kryetarit do të jenë në ndërtimin e një projekti të ri besimi e shprese për të ardhmen.
Prandaj si anëtar i Këshillit mbështes e apeloj për thirrjen e Kongresit (Kuvendit)  Kombëtar të Jashtëzakonshëm të Partisë Demokratike.

*Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike

© Panorama.al

Te lidhura


Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/