Pse i the që të thashë? Dikush tjetër do ta bëjë!

Apr 30, 2012 | 14:34
SHPËRNDAJE
Ardian Klosi

Vetëvrasjet e njerëzve publikë, që kanë lënë gjurmë secili në fushën e vet, kanë gjithnjë më shumë efekt në njerëz se sa një grua e pazonja për t’i bërë ballë jetës, e keqtrajtuar nga I shoqi, e uritur, që sheh si zgjidhje të njëjtin fund. Mediat, për të tilla flasin përditë, por askush nuk ndalet siç bënë e derdhën lot për humbjen e Whitney Houston, anëtarëve të Clubit 27-të, e së fundi, dy ditë më parë, të publicistit, përkthyesit e analistit Ardian Klosi. “S’mund të vazhdoj më. Eja pa vajzën. Eshtë bekim të ikësh i qetë nga kjo botë”, ishin fjalët e fundit që Klosi ka përcjellë përmes një mesazhi telefonik për të shoqen, fotografen Jutta Benzenberg. Se ç’do të thotë të ikësh i qetë, në kushte jo të shëndetshme mendore, tashmë nuk mund ta zbulojë askush ama të gjithë, miq apo më pak të tillë të tij, e kanë përsëritur këtë refren, sikur vërtet kjo të kishte qenë zgjidhja më e mirë. Faqja në Facebook e së shoqes është e mbushur me ngushëllime. Njerëz të njohur e të panjohur shprehin dhimbjen e madhe për këtë humbje. Disa nga kolegët e tij, që pavarësisht lajmit duhet medoemos të vijonin punët që kishin nëpër duar, kanë qenë në ngërç. Të tjerë akoma nuk janë vonuar të ulen e të shkruajnë radhët e para të lamtumirës. Në këtë rast, ashtu si në vetëvrasjet e sipërpërmendura, pyetja është gjithnjë e njëjtë: ku ishin të gjithë këta njerëz që sot qajnë e kujtojnë?! A është e mundur që askush të mos kishte fuqinë për të bërë diçka?!  Sepse e gjithë kjo ishte e parashikuar, ishte e paralajmëruar, askush nuk mund të thotë të kundërtën. A është e mundur të parandalohet? Po, shumë herë është. Nëse të gjithë këta që sot qajnë, e që dje, në dy tentativat e tij të mëparshme për t’iu afruar të njëjtit fund, komentonin dhimbtazi gjendjen e tij, se si dhe pse kishte mbërritur deri këtu, t’i kishin qenë pranë (komentet, për arsyen e gjendjen, kanë vijuar edhe pas lajmit të vdekjes, por kjo natyrisht që nuk është për t’u marrë). Gjithë ritmi i shfrenuar i jetës nuk të lehtëson ta bësh një gjë të tillë, ama për të evituar fundin e një miku, të afërmi a të dashuri duhet bërë. Keni përreth plot situata të ngjashme. Shtretërit e spitaleve zihen përditë për shkak të abuzimeve me medikamente, shtuar edhe doza alkooli. Situata është po ajo, identike në të gjitha rastet. Mbidoza Xanaxi, mbidoza alkooli dhe një kujtim i mirë nga miqtë! Kujtim që, tek e fundit, askujt nuk i duhet. Duhen njerëzit që doni e keni pranë. Të gjithë ne kemi kontributin tonë në të tilla ngjarje. Me ato që bëjmë, që nuk bëjme, ato që themi e nuk themi, e shtyjmë edhe më këtë vendim. “Nuk do ta përballonte gjykimin”- është komenti klasik i situatave jo të zakonshme nga të tjerat. Nëse do të vazhdojmë kështu, që me siguri do të vazhdojmë, shifrat alarmante që paralajmërojnë rrezikun ndaj sëmundjeve mendore në 2020-tën, do të na marrin njerëzit e shtojnë lotët e krokodilit. Kur e di fundin, është e thjeshtë, mos e lejo të vijë!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura