Pse i the që të thashë? Buzka si ato të tuat!

Oct 1, 2012 | 15:16
SHPËRNDAJE

Seç më kishte ngel TV te lajmet kot më kot.  Kush po i shihte po aty kishte ndalur gishti! Sa të shohësh i iku mendja e vrau djalin, gruan , e gjithë farefisin kudo që ndodhej, më mirë hiç. Mirë po aty drejt fundit, mu duk se diçka e pazakontë po ngjiste përtej ekranit dhe hapa sytë. Mu duk se drejtuesja e lajmeve në “ABC”, tek fliste, ja bënte vazhdimisht me shenjë dikujt nga regjia. Ngjante si biçim shkelje syri e vazhdueshme! Keni parasysh kur ia bën me sy dikujt e të lëviz e gjithë pjesa e fytyrës nga ana e syrit që po shkel? E ja ashtu. Thash po kjo s ‘duroka sa të përfundojnë lajmet, bën shenja live!? Kujt i bën njëherë?!
Nejse u kuriozova aq sa vendosa të pyes se pse iu paska ik situata fare nga duart atyre andej, as kontroll, asgjë!
“Lëre lëre se nuk ia bën me shenjë njeriu moj jooo, i ikën buza ashtu, nuk e kontrollon dot dhe duket sikur lëviz e tëra. Pastaj varet dhe në ça momenti e ke parë, sapofryrje apo nisurvarje…po sidoqoftë lëvizjet natyrale të fytyrës nuk i ka më dhe aq në dorë!”
Uaa, smë vajti fare ndër mend. Jo atë punën e fryrjes e dija prej kohësh po të kish arrit puna deri këtu! Më bën çudi si nuk kanë 2-3 njerëz t’iu dojë pak të mirën e t’iu thotë ç’bëni moj gra, apo s’ka kthim mbrapsh?! Eee s’duhet të ketë në fakt?!
Po mirë, po këto të tjerat që e shohin se ç ‘ndodh me përvojat e mëparshme, si s’vënë mend!? Tmerr! Kjo puna buzëve njëherë ka marrë për kot, është bërë gjithë dynjaja topa topa. Po ndiejnë gjë me atë buzën-llastik apo mjafton vitrina? Duhet të jetë gjithë kohës sikur sa ke ik nga dentisti, ajo gjendja dy orëshe që s’je për gjë. Po këto si janë? Se di, se di, e as e përfytyroj dot vetëm çuditem se kush iua mbush mendjen që duken kaq mirë. A kanë pasqyra apo kanë varur postera nëpër muret e shtëpisë?! E fundit që pash e më la pa gojë ishte Diana çuli. Kishte dalë në një kopertinë reviste, por për ta njohur duhet t’i lexoje emrin. Apo është ndërhyrje me fotoshop? Kështu duhet të jetë! Dakort, nuk po themi që të mos ndërhyjnë fare. Po të ikën ca vite (ose shumë) mund t’a bësh ndonjë tërheqje. Po këto janë bërë o buzët o s’ka. Tani, s’duket ngaqë ju dalin shumë përpjet, u kanë hyrë dhe mollëzave. Nuk dallon njeri a po të buzqesh, a po të shkel syrin, a po të flet e ça po të thotë! Të krijohet dhe një si gjendje po t’i shohësh gjatë se të duket sikur po të flasin gjithë siklet. Mbase hall e kanë të shkretat po s’jua la njeri në derë me zor. Ore se mu kujtua nga hallet, ky Harasani ç’të ketë patur që hoqi dorë nga mandati?! S’dini gjë as ju ëëë…U mërzita shumë. Megjithëse, po ta mendoj, s’duhet të tregohem kaq egoiste. Ka të tjera që janë mërzitur më shumë!

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura