Pse Babalja dhe jo Methomyli?

Oct 17, 2018 | 13:24
SHPËRNDAJE

ÇAPAJEV GJOKUTAJ/Çapajev-GjokutajKur u hap çështja “Tahiri”, nisi të qarkullonte edhe një pandehmë: ndërkombëtarët kishin planifikuar të zbatonin në Shqipëri skenarin maqedonas. Me një fjalë, përgjimet e Habilajve, ku përmendej edhe Tahiri, ishin vetëm një nga përgjimet e shumta që agjencitë perëndimore kishin nëpër dosje. Parathuhej se, gradualisht dhe njeri pas tjetrit, do të hidheshin në qarkullim përgjime të tjera që nxirrnin zbuluar ofiqarë të lartë të pushtetit dhe të shtetit. Përgjimet që prisnin radhën, thoshte pandehma, ishin edhe më skandaloze dhe do të zbuloheshin sipas parimit të asaj përrallës: ‘sa më thellë, aq më dërdënge’.

Sot, një vit e kusur më pas, duket se e gjithë kjo s’qe veçse një sendërgji. Ndërkohë, për të mbushur boshin e pritjes, ligjërimi ynë politik dhe ai mediatik kanë përcjellë disa skandale e kuaziskandale, gatuar alla shqiptarçe. Mes tyre, për nga kohëzgjatja, marrja dhe rimarrja, rifreskimet e zhurmimet, kryeson çështja “Babale”. Një telenovelë e gjatë që po zhvillohet në seri, ndaj nuk kanë munguar as përpjekjet për numërim: Babale 1,2,3 etj.

Sa më shumë kohë kalon, aq më shumë çështja “Babale” ngjan se s’është veçse ‘meseleja Babale’. Në vend të përgjimeve serioze, si ato të rastit maqedonas, kemi një tymnajë thellësisht provinciale, që anon shumë më tepër nga thashethemet, në dobi herë të këtij e herë të atij krahu politik, sesa nga ligjërimi serioz që zbulon e godet skandale për t’i shërbyer interesit publik.

Pamja është sa qesharake, aq dhe e dhimbshme. Më njërën anë shfaqen dy persona groteskë, dalë nga nëndheu shoqëror, tipa që janë gati të ndërrojnë skenar, sa herë që njeri apo tjetri usta ofron diçka në shkëmbim. Më anë tjetër, kemi dy krahët politikë, të etur për zhvillimin e telenovelës; jo për të zbuluar të vërtetën, por për të diskretituar palën tjetër dhe për të venë kapital politik. Akoma më tej janë mediat, që zhurmërojnë e hedhin në efir turlilloj trillimesh, pa marrë mundimin të luajnë nga zyrat a studiot e të verifikojnë a, larg qoftë, investigojnë.

Dhe përfundimi shfaqet dramatik. Me dashje apo pa dashje, të gjithë aktorët e përfshirë në këtë mesele zhurmojnë e turbullojnë. Krijohet një shtjellë llafesh e thashethemesh që, në fund të ditës, deligjitimon institucionet dhe vret shpresën se ky vend mund të bëhet.

2.

Në maj-qershor të këtij viti, “Top Channel” publikoi në vazhdimësi lajme për një insekticid të quajtur methomyl. Dikur ka qenë përdorur për të luftuar parazitët e fruta-perimeve, por, që prej 25 vjetësh, vendet e BE-së e kanë venë në listën e preparateve të ndaluara.

Edhe te ne, me ligj e letra, është i ndaluar, por investigimet e “Top Channel” dëshmonin se mund ta gjeje lehtë në farmacitë bujqësore të Shkodrës, Lezhës, Lushnjës, Beratit, madje edhe në Tiranë e Kamzë, nën hundën e AKU-së.

Ky pesticid i ndaluar hyn kontrabandë dhe, sipas gjasash, përdoret gjerësisht nga fermerët. Specialistët thonë se është mjaft i efektshëm për të luftuar parazitët e bimëve, por njëkohësisht merr kohë të gjatë të shpërbëhet. Qëndron rreth tri javë në sipërfaqe të frutave e perimeve, ndaj mund të depërtojë në organizmin e konsumatorëve. Kjo, me gjasë bëhet edhe më reale ngaqë kanalet e depërtimit janë të shumta: lëkura, aparati tretës, madje edhe rrugët e frymëmarrjes

Kur depërton te njeriu, shkakton një varg çrregullimesh të sistemit respirator, atij kardiovaskular, madje edhe të sistemit nervor. Kemi të bëjmë me një preparat që vret parazitët, por rrezikon rëndë njerëzit. Thënë shkoqur, jo një e dy, por shumica e konsumatorëve janë të rrezikuar

“Top Channel” u kujdes që ‘çështjen methomyl’ ta menaxhonte si një dosier që ‘shfletohej’ para shikuesve thuajse përditë, duke zbuluar gradualisht informacion të ri, duke sjellë fakte dhe dëshmi të reja e duke strukturuar kështu një narrativë publicistike, që tërheq vëmendje dhe krijon ndjeshmëri.

Përkundër gjithë këtyre cilësive, ‘çështja methomyl’ nuk e kapërceu dot hapësirën e “Top Channel”. Madje, edhe te ky i fundit mbeti e ngujuar thuajse vetëm në hapësirën informative, pa u marrë e rimarrë nga emisione të tjera, veçanërisht nga ato që diskutojnë dhe analizojnë çështje të rëndësishme nga kënde të ndryshme vështrimi.

3.

Në jo pak rrafshe, methomyli premtonte për vëmendje mediatike shumë më masive sesa Babalja. Mbështetej në fakte konkrete, të zbuluara pas investigimesh bërë në shumë rrethe të vendit. Shtjellohej e sqarohej nga specialistë të fushave të ndryshme si: agronomë, toksikologë, merceologë, fermerë etj.

Me një fjalë, një diskutim i gjerë për methomylin dhe, sidomos, për sigurinë ushqimore do të ngrihej mbi fakte reale e të provuara. Rrjedhimisht, do t’i zinte thuajse gjithë shtigjet që gazetarët dhe mediat të bëheshin shkak për të gjeneruar zhurmë e dezinformime. Nga ana tjetër, dhe kjo është më e rëndësishmja, një diskutim i gjerë do të ishte konstruktiv e i dobishëm, sepse do të shtonte trysninë të zgjidhej si çështje, fjalët të mos mbeteshin llafe, por të jepnin rezultate. ‘Çështja Babale’ erdhi që në fillim si dëshmi e kontestueshme, vështir ta përcaktoje prerë nëse flitej për ngjarje reale a për sendërgji. Reputacioni i burimeve ishte i ulët. Mundësitë për dezinformim dhe përdorim politik ishin të konsiderueshme.

Të gjitha këto do të duhej t’i shtynin gazetarët e, sidomos shefat e tyre, të dyshonin, dhe këtë dyshim t’ua përcillnin edhe shikuesve, qoftë me vendin relativisht modest që do t’i rezervonin kësaj fabule, qoftë me investigime plus.

Natyrisht, lidhjet e pretenduara ‘mafie – pushtetarë’, që pretendon çështja “Babale”, janë të një rëndësie të madhe shoqërore, por helmet si methomyli, që mund të hyjnë në organizmin e qytetarëve dhe të venë në rrezik shëndetin publik, janë shumë më sensitive, madje edhe më të rëndësishme. Shëndeti, doemos që vjen para politikës.

Edhe diçka tjetër. Qytetarët që rrezikohen nga methomyli dhe mëkate të tjera të sigurisë ushqimore, janë të pagojë. Çështja “Babale”, sot e kësaj dite, ka mbetur kryesisht armë lufte politike, sipas kthesave që merr, shpie ujë herë në mullirin e opozitës e herë në atë të maxhorancës. Si e tillë, është e mbështetur nga dy partitë që bëjnë dhe shiun dhe diellin në ligjërimin politik dhe kanë burime të shumta amplifikimi. Kur është fjala për të zgjedhur kujt do t’i japin përparësi, interesit qytetar apo interesit të partive, mediat me integritet zgjedhin pa hezitim qytetarin dhe qytetarinë.

4.

Vetëm në një rrafsh, ‘çështja Babale’ duket se merr përparësi mbi methomylin: ka më shumë intrigë e të panjohura, siç ka dhe personazhe të çuditshme, kthesa e të papritura, mbushur me thënie e kundërthënie. Si e tillë, jep dorë për shtjellim me teknika telenovelash.

Në fakt, edhe ‘çështja methomyl’, si rrezik shëndeti në shkallë të gjerë, është goxha sensitive. Veç kësaj, e shtjelluar në trajtë dosjeri, siç e bëri “Top Channel”, me informacion dhe personazhe të reja, që shfaqeshin në rrjedhën e ditëve, ngjall interes të gjerë. Si e tillë, po të ishte marrë edhe nga media të tjera, mund të ishte bërë kauzë e rëndësishme. Jo për zhurmë, as për interesa palësh politike, por për të ndihmuar sa qytetarët, aq edhe reformime në institucione si doganat, AKU-në, drejtoritë e barnave, farmacitë etj.

Arsyeja përse Babalja u bë kauzë e vitit, kurse methomyli mbeti në hije, duket se lidhet edhe me faktin që i pari u hodh në qarkullim nga një parti politike; kurse i dyti nga një televizion. Babalja, prezantuar fillimisht nga PD-ja, ishte produkt që mund të merrej nga gjithë mediat, pa kurrfarë mundi, thjesht duke e përsëritur motamo. Methomyli, si zbulim i një medieje, nuk mund të merrej i gatshëm, kërkonte hulumtime plus, ndryshe do të konsiderohej plagjiaturë e vjedhje.

Problemi duket teknik, por është thembër Akili për ligjërimin tonë publik. Mediat, që nga halli apo nga malli, nga interesi a nga dembelia, bëhen megafona të partive, indirekt militojnë për rritjen e skepticizmit dhe apatisë që pas gjasash rrezikojnë të bëhen asfiksuese.

Duket se disa kanale televizive punojnë sipas praktikës: hidh në qarkullim gjithçka vjen nga selitë e partive dhe pastaj organizo debate në studio për të gjetur si qëndron e vërteta. Në parim, ky lloj procedimi s’ka gjë për të qortuar. Që nga koha e Sokratit e këndej, njerëzimi i ka shfrytëzuar si instrument për t’iu afruar të vërtetave, ligjërimet e mbështetura mbi pyetje përgjigje dhe ndeshje opinionesh të kundërta.

Ky parim universal duket se nuk funksionon në një pjesë të mirë të diskutimeve televizive që prodhohen te ne. Arsyeja është banale: në këto lloj diskutimesh, sidomos kur është fjala për tema politike, marrin pjesë thuajse të njëjtët persona. Në çdo rast e kurdoherë, rropaten të mbrojnë pikëpamjen e partisë që kanë për zemër, pavarësisht nga çështja që diskutohet e pavarësisht nga anon e vërteta. Parë kështu, shumicën e herëve debatet televizive për politikën ngjajnë si zgjatim i luftës për pushtet që bëjnë partitë. Kësaj i thonë t’i bësh petullat e së vërtetës sipas parimit ‘shto miell e shto ujë’.

5.

Televizionet kanë harxhuar dhjetëra orë me lajme dhe emisione për ‘çështjen Babale’. Gazetat kanë nxirë shumë faqe me raportime dhe opinione gjithëfarëllojesh. Përkundër gjithë këtyre, sot e kësaj dite kjo çështje ka mbetur gurrë thashethemesh e shpifjesh, larg një zgjidhjeje që do të zbulonte të vërtetën.

Opinioni duket i ndarë më tresh, militantët e të dyja palëve që besojnë thuajse verbërisht ‘të vërtetën’ e partisë dhe një masë e konsiderueshme qytetarësh që përditë e më shumë bëhen dyshues. Edhe vendimi i pritshëm i gjykatës vështirë se do ndryshojë këtë reshtim forcash. Propaganda partiake e amplifikuar nga mediat prej vitesh ia ka dalë që korrupsionin e një mase gjyqtarësh e prokurorësh ta paraqesë si korrupsion të gjithë sistemit të drejtësisë.

Babale’ do groposet në varrezën e tejpopulluar të çështjeve ‘shumë zhurmë për pak gjë’, të diskutimeve publike që u shërbejnë sidokudo partive politike, por në rrafsh qytetar prishin shumë më tepër sesa ndreqin. Dhe për ta kompletuar gjithë pamjen, në sfond të zhurmnajave me skandale të njëpasnjëshme, reale e të shpikura, të përfolura, por pothuajse kurrë të sqaruara e të gjykuara besueshëm, shfaqet vargani i gjatë i të rinjve që, shpresëvrarë marrin këmbët në sup dhe kërkojnë të realizohen dherave të huaja. ‘Zhurmnajë dhe hemorragji’ do të ishte një nga paradigmat më përfaqësuese dhe më të dhimbshme të këtij tranzicioni që zgjatet e zgjatet si bisht lugati.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura