PS: Prova për manipulime në Tiranë

Jun 30, 2011 | 9:47
SHPËRNDAJE

Sekretari Ligjor në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, tha dje se kërkesa për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Tiranë pritet të depozitohet sot në Kolegjin Zgjedhor.Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, sekretari socialist tha se në Kolegj do të paraqiten dhe shumë fakte që dëshmojnë parregullsitë në kutitë e votimit dhe tabelat e rezultateve. “Ne kemi ndërtuar një kërkesë-padi me një sërë elementesh, ku kërkojmë pavlefshmëri. I themi KQZ-së se edhe ti, kryesisht, nuk duhet ta kishe marrë këtë vendim. Ne nuk kundërshtojmë vendimin, rezultatin në vetvete, siç thoshin ata në mënyrë abuzive. Jo, ne e kemi kundërshtuar vendimin për të thënë që këtë vendim nuk duhej ta merrje, sepse ti me këtë veprim që ke bërë je në kushtet e pavlefshmërisë. Kemi argumentuar pse jemi në këto kushte. Pse tani pavlefshmëria? Cilat janë elementet e reja për pavlefshmëri? Unë po ju jap dy fakte nga padia e re. Në 40 qendra votimi, të cilat kanë qenë të balancuara më parë, para futjes së duarve nga Ristani me votat e pista të Lulit, numri i fletëve të votimit të gjetura në kuti është i barabartë me numrin e zgjedhësve. Këto janë transformuar në disa kuti të tjera që nuk hyjnë më te ky grupi që i kanë të barabarta, por janë shndërruar në ato kutitë që janë deformuar dhe në të cilat ka fletë votimi më shumë se zgjedhës. Pra, më 14 maj, në këto 40 qendra barazoheshin fletët e votimit të vlefshme dhe të pavlefshme bashkë me numrin e zgjedhësve. Mbas 14 majit, me futjen e duarve të pista në proces, janë shndërruar në disa kuti votimi që kanë më shumë fletë votimi sesa zgjedhës, në total janë 75 fletë votimi më shumë vetëm te këto të 40-ta që do t’i kemi si prova”, u shpreh Xhafaj.
Deputeti socialist deklaroi se vendimi i fundit i KQZ-së ishte i pritshëm dhe pjesë e skenarit të orkestruar nga ata që urdhërojnë këtë shumicë vendimmarrje. “KQZ, përmes Ristanit e shumicës kamikaze politike, kundërshtoi ankimin tonë jo për thelbin, por për procedurë, për afat dhe inkompetencë. “Kjo ishte pjesë e skenarit të orkestruar nga ata që urdhërojnë këtë shumicë vendimmarrje” u shpreh Xhafaj. Sipas tij, Lulzim Basha, falë procedurave “ekstraligjore”, ka arritur t’i shpëtojë Drejtësisë për akuzat e korrupsionit për rrugën Durrës-Kukës, 4 vrasjeve të 21 janarit dhe “përmes procedurave ekstraligjore kërkon të bëjë një tjetër vjedhje, atë të votës së qytetarëve”. Xhafaj tha se ka besim te Drejtësia, e cila pritet të shqyrtojë kërkesën e re të PS-së. “Unë besoj te ligji dhe te njerëzit e Drejtësisë. E kam thënë dhe do ta them: sikur edhe një njeri të mbetet i drejtë, unë përsëri do të besoj se ai njeri mund të bëhet dy”, u shpreh Xhafaj.

PD: Rama, presion mbi institucionet

Përfaqësuesja e PD-së, Jorida Tabaku, akuzoi dje kreun socialist se po bën presion mbi institucionet. “Edhe sot u njohëm me akuzat e radhës, false e kryekëput të pabazuara të z. Rama. Në një përpjekje të dëshpëruar dhe të papranueshme, z. Rama bëri presionin më të egër ndaj institucioneve të pavarura të vendit, për të grabitur fitoren e kundërshtarit dhe për të fiksuar rezultatin e zgjedhjeve vetëm në favorin e tij. Partia Demokratike vazhdon të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit, duke u distancuar nga taktikat shantazhuese dhe britmat e z. Rama”, tha Tabaku. Përfaqësuesja  e PD-së tha se qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për beteja politike, ndërsa i kërkoi edhe njëherë Ramës të mos e përbaltë më këtë proces transparent.

Rrëzohet kërkesa e pensionistëve

KQZ-ja ka rrëzuar dje një kërkesë të Partisë së Pensionistëve, të cilët kundërshtojnë vendimin për nxjerrjen e rezultatit të Bashkisë së Tiranës ku Lulzim Basha ka fituar me 93 vota më shumë. Në kërkesë kërkohej pavlefshmëria e zgjedhjeve në këtë zonë zgjedhore dhe mosnxjerrja e vendimit për rezultatin përfundimtar derisa të shprehet Gjykata Kushtetuese. KQZ-ja nuk e ka pranuar kërkesën, njësoj si në rastin e Partisë Socialiste, për shkak se ka kaluar afati kur mund të kërkohet pavlefshmëri e zgjedhjeve. Lidhur me rezultatin e Tiranës, vëmendja tani do të përqendrohet në Kolegjin Zgjedhor, ku do të dorëzohet padia e Partisë Socialiste.

 

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura