PS: KQZ, përgjegjësi penale për verifikimin e kartave nëse sabotohet në Tiranë

Jun 13, 2013 | 12:01
SHPËRNDAJE

Lefterije Lleshi
Partia Socialiste ngriti dje hije dyshimi se projekti i verifikimit të kartave të identitet në Tiranë po tentohet të sabotohet qëllimisht. Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj, tha se KQZ është organi përgjegjës për realizimin e këtij projekti dhe do të mbajë përgjegjësi ligjore dhe penale në rast se ai nuk realizohet apo do të sabotohet. Edhe pse kanë shprehur një sërë kritikash lidhur me projektin SEV, socialistët kërkojnë që më 23 qershor në Tiranë të aplikohet teknologjia. “Duke qenë se sot jemi vetëm 10 ditë nga dita e zgjedhjeve, unë kërkoj të dëgjoj disponibilitetin e KQZ-së për të realizuar projektin SEV, si dhe të di se kur KQZ do t’i paraqesë aktet që do të bëjnë të mundur miratimin e këtij projekti. Duhet të kuptojmë që KQZ është organi që është i ngarkuar ligjërisht për realizimin e këtij projekti dhe, për rrjedhojë, ka dhe përgjegjësinë në këtë rast të mosrealizimit apo sabotimin të qëllimshëm të tij, përgjegjësi që është ligjore, penale dhe materiale”, tha dje Gjonçaj. Nga ana tjetër, kryetarja e KQZ-së theksoi se kompanisë “INDRA” i janë paraqitur dy raportet e auditeve të PD dhe PS, dhe se brenda 24 orëve do të kthejë përgjigje. “Disponibiliteti i KQZ-së në të dyja projektet pilot ka qenë maksimal dhe brenda afateve kohore që parashikohen ligjërisht. Në lidhje me SEV-in ju keni paraqitur një raport, po kështu raport ka paraqitur PD-ja, dhe të dyja bashkë i kanë kaluar kompanisë “INDRA”. Të presim raportimin e tyre dhe më pas KQZ do të kalojë me vendime”, theksoi Lleshi. Në raportin e PS-së, të dorëzuar në KQZ, kërkohen nga kompania spanjolle disa ndryshime teknike që kanë të bëjnë me masat e sigurisë për projektin SEV dhe se asnjë nga sugjerimet e PS nuk është korrigjuar nga kompania.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura