PS: Basha do të mbahet mend si kryebashkiaku më i paaftë që ka pasur Tirana

Apr 25, 2015 | 18:35
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste përmes deputetit Ervin Bushati tha sot se Lulzim Basha do të mbahet mend si kryebashkiaku më i paaftë që ka pasur Tirana.

Deputeti Bushati

“Njeriu që për katër vjet me radhë zëre se nuk ishte kryetar bashkie i Tiranës, sot bredh lart e poshtë duke bërë premtime. Foli nga Roskoveci për ditën e gjykimit popullor, por ashtu siç nuk u përball me gjykimin për korrupsionin prej 230 milionë eurosh në rrugën e Kombit, ashtu i bëri bisht edhe gjykimit me votë nga populli i Tiranës më 21 qershor. U shmang sërish si ndonjë frikacak sepse e di fare mirë se cfarë fundi spektakolar e priste nga vota e popullit të Tiranës.

Lulzim Basha padyshim, nëse do të mbahet mend, do të mbahet mend si kryetari i bashkisë më i paaftë që ka pasur ndonjëherë kryeqyteti. Simbol i dembelizmit, paaftësisë, mashtrimit dhe mosmbajtjes së premtimeve”, tha Bushati në një deklaratë për mediat.

Sipas Bushatit sot edhe kandidati i tij “i lodhur për Tiranën e pranoi më në fund se në c’derexhe e ka lënë Luli kryeqytetin. “Duke parë si  po shkonte situata në kryeqytet i thirra dhe unë ndërgjegjes ashtu si ju që të gjithë së bashku duhet të bëjmë dicka për qytetin tonë,” tha sot Halimi. Dhe Halimi ka të drejtë, situata në kryeqytet po shkonte e po shkon si mos më keq.

Në 21 qershor nuk do të ketë një gjyq popullor për Lulin sepse Luli iku vetë sepse pati frikë të japë llogari për gjelbërimin, për bulevardin, për rrugët, për kartën e studentit, për tramvajin e për dhjetëra zotimet e tjera që nuk i mbajti kurrë. Në 21 qershor, me votën e qytetarëve, Tirana do ta lërë pas këtë dështim të quajtur Lulzim Basha për ta futur kryeqytetin në rrugën e duhur me Erion Veliajn”, tha Bushati.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura