Protesta, protesta, protesta!

Nov 19, 2022 | 9:30
SHPËRNDAJE

rudina-hajdari2

RUDINA HAJDARI

Kurrë më parë situata në Shqipëri nuk ka qenë kaq dëshpëruese për njerëzit e thjeshtë sesa sot. Shumica dërrmuese e familjeve shqiptarë janë përgjysmuar, të rinjtë ose kanë ikur ose po mendojnë të ikin duke mos e konsideruar aspak investimin në Shqipëri për të ardhmen e tyre dhe duke i lënë prindërit të vetmuar e me sytë nga ekrani i kompjuterit apo telefonit. Ata që janë të punësuar janë duke u përpëlitur të mbijetojnë si pasojë e çmimeve të rritura, të cilat tejkalojnë logjikën e pagave në Shqipëri.

Nëse u hedh një sy çmimeve të produkteve bazë dhe bën një krahasim me vende të zhvilluara ekonomikisht, si Gjermania p.sh., do vësh re se nuk ka ndonjë ndryshim mes çmimeve. Por ndryshimi qëndron te paga dhe kjo po i zhyt në dëshpërim kryefamiljarët, të cilët nuk po dinë se si t’ia dalin në këtë situatë. Akoma më keq janë punët me ata që kanë probleme shëndetësore apo pensionistët e vetmuar, të cilët nuk e kanë një krah që ti ndihmojë në ditët e tyre të vështira. Pensioni sot nuk del as për të paguar ujë dhe drita, për ilaçe as që bëhet fjalë sepse ndërkohë të duhet edhe të mbijetosh duke blerë ato pak ushqime. Të sëmurët nëse nuk kanë të ardhura të bollshme e kanë të vështirë të marrin shërbim në spitalet publike ku dollapët e magazinat e barnave dhe pajisjeve mjekësore janë pothuajse bosh dhe fjala që dëgjon më shpesh nga mjekët është fakti se duhet t’i gjesh vetë, ose të shkosh te privati, i cili ka çmime të papërballueshme. Një student mezi ia del të mbyllë muajin mes qirasë, ushqimit, librave dhe ndonjë kafeje me miqtë. Jeta sociale e tyre është bërë shumë e vështirë pikërisht për shkak të gjendjes ekonomike.

Vetëm dy janë modelet shoqërore, të cilat sot po shkëlqejnë në Shqipëri dhe po e shijojnë jetën në maksimum. Politikanët në pushtet dhe ata që ju shërbejnë atyre në administratë (kujdes jo e gjithë administrate sepse ka plot që janë njerëz të ndershëm dhe mezi e mbyllin muajin) si edhe elementët e krimit të organizuar. Rreth këtyre personave rrotullohet i gjithë tregu në Shqipëri. Çmimet e hoteleve janë marramendëse jo sepse shqiptarët janë të pasur, por sepse kjo kategori është e pasur. Çmimet e apartamenteve janë të shtrenjta jo sepse i tillë është tregu normal në Shqipëri, por sepse kategoritë e mësipërme i kanë mundësitë të paguajnë cash shuma të mëdha për të blerë prona. E kështu me radhë i gjithë tregu në Shqipëri i është përshtatur jo shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por një pakice që ose vjedh nëpërmjet politikës ose kryen aktivitet kriminal me lejen e saj.

Sa më sipër është edhe tabloja e qeverisjes së Edi Ramës. Një qeverisje e pakicës për pakicën në kurriz të shumicës. Situata ku Rama e ka futur vendin është shumë e rrezikshme. Rrezikojmë që për disa vite të mos kemi më të rinj dhe të shndërrohemi në një komb të plakur. Skemat e pensioneve do të falimentojnë dhe bashkë me to edhe shumica e qyteteve, të cilat tashmë po boshatisen. Krimi i organizuar do të kthehet në mënyrë jetese edhe më shumë sesa tani dhe Shqipëria do të bëhet një vend i pabanueshëm nga njerëz normalë. Ka vetëm një zgjidhje për të dalë nga kjo humnerë ku po na shtyn qeveria dhe ajo gjendet tek opozita dhe aksioni i saj opozitar.

Së pari unë besoj se protestat e opozitës duhet të bëhen të shpeshta dhe jam e bindur se do të ketë gjithnjë e më shumë njerëz në to. Në protestën e fundit, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme, vura re shpresë dhe entuziazëm në sytë e njerëzve dhe gjithë këto ditë mbas protestës fjalia që kam dëgjuar më shpesh është “kur do mblidhemi sërish?”. Njerëzit kanë nevojë të bashkohen dhe të shohin se janë shumë që kanë të njëjtin hall dhe të njëjtin mendim. Po ashtu bashkimi në shesh sjell një lloj komforti dhe e vret frikën e zakonshme për të folur më shumë e me zë më të lartë në përditshmëri kundër asaj, me të cilën nuk je dakord.

Protesta gjithashtu sjell edhe frymë pozitive për opozitën, e cila patjetër do të shërbejë si katalizator votash në zgjedhjet e ardhshme lokale. Prandaj duhet të mblidhemi më shpesh e do të jemi gjithnjë e më shumë në shesh, sepse shqiptarët nuk kanë më nevojë tu shpjegosh se në çfarë realiteti jetojnë. Të gjithë e dinë fare mirë tashmë se kush është Rama dhe dëmin e qeverisjes së tij qytetarët po e provojnë në lëkurë. Ajo që duan të dinë njerëzit është forca dhe vendosmëria e opozitës. Forcë dhe vendosmëri që i ka munguar për një kohë të gjatë dhe të cilën tashmë jam e bindur që e ka gjetur. Sa më shumë protesta, aq më shumë frymë dhe frymëzim për shqiptarët, aq më e madhe fitorja në zgjedhjet lokale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura