Dëshmia e ish-të përndjekurit që tentoi të vetëvritej para Kuvendit: Të hapen dosjet, Albana Vokshi, komuniste. Jam kushëriri i saj (FOTO/ VIDEO)

Feb 20, 2015 | 13:30
SHPËRNDAJE

UPDATE-Përhapi panik ish-i përndjekuri politik, i cili dje preu damarët me thikë ndërsa po fliste për gazetarët para godinës së Kuvendit. 

Ish i perndjekuri duke prere damaret

Edmond Vokshi, 48 vjeç, tha se kërkonte të dëmshpërblehej për vitet e burgut dhe të hapeshin dosjet e Sigurimit të Shtetit.

Ai u mblodh bashkë me ish-të burgosur politikë përballë Parlamentit ku do të niste seanca e radhës plenare dhe në mënyrë të paparashikuar kreu tentativën e vetëvrasjes.

U desh ndërhyrja e shpejtë e shokëve të tij për ta ndalur që të vazhdonte aktin ekstrem. Me shpejtësi, Vokshi u transportua për në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Për mediat ai deklaroi para veprimit të rëndë se është dënuar bashkë me të shoqen për arratisje.

“Kam qenë personi i parë që kam thyer ambasadat. Sot vajza e xhaxhait tim, Albana Vokshi, del demokrate, kur xhaxhai dhe halla ishin komunistë. Edhe sot vazhdojnë e tallen me këtë vend”, ishin fjalët e fundit të Vokshit para se të nxirrte thikën e të priste damarët e dorës së majtë.

Më vonë, pas qetësimit të gjendjes në spital, 48-vjeçari tregoi se ai ka vuajtur për një kohë të gjatë në burgje, por edhe sot nuk ka marrë dëmshpërblim për këto vite. Sipas tij, e ka të pamundur që të mbajë veten dhe fëmijët në këto kushte.

  “Jam arrestuar në vitin 1988 kur kam tentuar të arratisem bashkë me gruan nga vendi. Më çuan në burgun e Spaçit. Tentova të var veten aty, por më shpëtuan shokët”.

Ai tregon se ka hyrë në ambasadë për herë të dytë në vitet ’90. Por thotë se deri më sot, megjithëse është një ndër vuajtësit e regjimit, nuk ka marrë asnjë këst parash siç është premtuar dhe u takon. Sikur të mos mjaftonte ky fakt, Edmond Vokshi kërkoi dhe hapjen e dosjeve të Sigurimit.

“Duhet të hapen sa më parë dhe të zbulohet se kush ishin spiunët e asaj kohe. Albana Vokshit duhet t’i hapen të parës”, theksoi 48-vjeçari.

Mendohet se ish-i përndjekuri ishte në gjendje të dehur në momentin e ngjarjes. Për rastin kanë nisur hetimet nga Policia e Tiranës, e cila ka marrë në pyetje dhe ish-të përndjekurin politik.

Pak muaj më parë ata hynë në grevë urie pasi akuzonin qeverinë se nuk u kishte dhënë këstet e plota të dëmshpërblimit. Gjatë seancës së djeshme parlamentare reaguan dhe deputetë të maxhorancës, të cilët treguan fotografitë e të lënduarit, duke e shfrytëzuar faktin e lidhjes së tij fisnore me deputeten demokrate.

 Vokshi:  Ngjarja, skenar i përgatitur

Deputetja e PD-së, Albana Vokshi, e pyetur nga gazeta për deklaratën e ish-të dënuarit politik u shpreh se nuk ka asnjë kundërshtim në hapjen e dosjeve.

Sipas saj, nëse kërkohet që të hapet dosja e saj e para, le të bëhet, ndërsa hodhi poshtë akuzat se nuk është demokrate. “Sa i përket të kaluarës sime, nuk e përcakton dot as ai (Edmond Vokshi) e askush tjetër. Kam shumë vite në PD, kam qenë shumë afër partisë dhe askush nuk më përcakton dot familjen, ka qenë komuniste apo jo”, u shpreh deputetja.

Ajo e cilësoi si skenar ngjarjen e djeshme. “Fakti që në Parlament kishin ardhur me foton tregon se kishin ardhur të përgatitur si skenar. Ndaj në Parlament thashë se “rëndësia e fjalëve përcaktohen nga goja që e nxjerr”, tha Vokshi.

Plaga e Edmond Vokshit pas prerjes se damareve
Shoket duke ndihmuar Edmond Vokshin

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura