Protesta e pedagogëve/ Akademiku Fuga i përgjigjet deputetit të PD-së: Tani ta marrim vesh…

Feb 13, 2018 | 18:04
SHPËRNDAJE

Akademiku Artan Fuga i përgjigjet me një deklaratë të fortë reagimit të deputetit të PD-së, Luçiano Boçi, lidhur me shqetësimin e pedagogëve për vonesën e pagave dhe jo vetëm.

ArtanFuga

Ndërkohë që demokrati akuzonte ministren e Arsimit, Nikolla dhe mbështeste pedagogun Hanxhari, që deklaroi se nuk i duan ato para që vijnë nga rritja e tarifave për studentët, akademiku i njohur ka një përgjigje, që kërkon jo vetëm shumë reflektim nga ana e opozitës, por edhe pozicionim të qartë të saj në këtë çështje kaq problematike.

“Pedagogët t’i marrin ato paga sepse janë djersa e tyre, kurse mosfunsionimi financiar i sektorit është tjetër gjë, sado i dënueshëm qoftë. Tani ta marrim vesh, jeni për atë që ligji të implementohet sa më shpejt, apo jeni kritikë kundër ligjit?”- thekson Fuga, duke nenvizuar se pedagoget nuk protestojne per pagat, por protestojne pasi “jane fyer nga mosrespektimi i kontratës, pra nga trajtimi si qen”.

Reagimi i Fugës

Kur do të heqi dorë opozita nga të bërit e rolit të gazetarit dhe komentatorit?

Në një shkrim të zotit Luçiano Boçi, duhet ta pranoni, një nga figurat më simpatike dhe të pranueshme të opozitës, te gazeta Panorama, ai kritikon ministren e arsimit me rastin e krizës së pagave se përse nuk kanë dalë aktet nënligjore në zbatim të ligjit për arsimin e lartë.

E lexova me kërshëri dhe respekt shkrimin e tij sikurse lexoj përditë në letër gazetën Panorama.

I kuptoj shqetësimet që ai ngre për çështjen e pagave tona.

Me këtë rast, i lutem të pranojë tre komente modeste:

Zoti Luçiano Boçi, koleg dhe mik i respektuar:

I pari: Lutem bëni ligjëvënësin dhe jo gjithmonë politikanin. Dua të them përse opozita nuk ka bërë një ligj alternativ dhe të shohim se çfarë propozon? Kur do të dilni nga pozita e thjesht kundërshtimit mbi atë që është, pa propozuar diçka alternative?

I dyti: Ju citoni nenin 109 e ku e di unë. Dhe kërkoni VKM për të. Unë kujtoj se opozita është kundër ligjit dhe jo që të bëjë kritika qeverisë se përse nuk zbaton ligjin. Pikërisht ai nen dhe ai ligj janë paradoksalë, inkoherentë, pa logjikë.

Ai nen që kërkoni të mbështetet me akte nënligjore është i poshtër dhe i pacipë.

Kur nxisni pedagogët të mos marrin pagat meqë vijnë nga regjistrimet etj., pra nga burime studentore, me këtë padashje i fryni populizmit. Mbani parasysh se tarifat sigurisht janë të larta. E gjithë politika ekonomike e arsimit të lartë është mizerabël. Por, sakohë ato lekë janë bërë pjesë e të ardhurave universitare, pagimi i honorareve, etj. të pedagogëve me to, nuk ka të bëjë me futjen e dorës në xhepin e ndokujt.

Pedagogët t’i marrin ato paga sepse janë djersa e tyre, kurse mosfunsionimi financiar i sektorit është tjetër gjë, sado i dënueshëm qoftë.

Tani ta marrim vesh, jeni për atë që ligji të implementohet sa më shpejt, apo jeni kritikë kundër ligjit? Nuk e kuptoni që VKM mbi atë ligj nuk bëhen dot sepse do ta hidhnin arsimin në gropë edhe më shumë sesa kaq.

I treti, lutem të kuptoni që ne nuk protestojmë se na janë vonuar pagat. Dihet se ato do t’i marrim. Ne protestojmë se me këtë që ndodhi ka rënë imazhi i shtetit dhe se jemi fyer nga mosrespektimi i kontratës, pra nga trajtimi si qen. Është çështje politike dhe e reputacionit jo thjesht punë lekësh. Ne nuk na mjafton të marrim pagat, por rasti tregoi se na kanë marrë dinjitetin. Këtë nuk e lejojmë kurrë.

Prandaj kuptojini drejt reagimet tona.

Ju lutem, ndjesë për opozitën ndaj opozitës, por e gjykoj të domosdoshme.

Me respekt për ju,

Artan Fuga

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura