Propozimi i PD: Të shfuqizohet drafti i qeverisë që shpronëson tokën e pronarit kur s’ka pakt me investitorin

May 27, 2015 | 12:34
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike ka dorëzuar një amendament në Kuvend për një ndryshim në projektligjin për Investimet Strategjike. Bëhet fjalë për nenin 26 të këtij projektligji, i cili sipas PD-së është antikushtetues dhe bie ndesh edhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Faksimile e amendamentit

Neni 26 i këtij projektligji, parashikon që në rast se një investitor privat nuk bie dakord me pronarin e tokës për shumën e blerjes së saj, atëherë qeveria futet si palë e tretë, duke e shpronësuar pronarin me vlerën e një shpronësimi për Interes Publik.


Vlerën e shpronësimit e paguan investitori. Por kjo ndërhyrje e qeverisë për shpronësime të tilla, që nuk janë në interes publik, krijon vend për abuzime.

Sipas PD-së, në këtë mënyrë, shteti si një ndërmjetës i jep mundësi një investitori privat që të blejë një pronë private, jo përmes një tregu të lirë, por përmes shpronësimit për Interes Publik.

Kështu, PD-ja argumenton se kjo bie në kundërshtim edhe me Ligjin për Shpronësimin Publik, edhe me Kushtetutën, po aq sa edhe me Konventën Euripiane për të Drejtat e Njeriut.

Shpronësimi i një prone për Interes Publik mund të kryhet vetëm për interesa publike dhe jo për interesa private dhe përfitime private, argumenton PD-ja. Amendamenti është depozituar nga deputetja e PD-së, Jorida Tabaku. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura