Propagandovizori

Nov 12, 2020 | 9:19
SHPËRNDAJE

GENTI ÇELA

“Prej vitesh televizori im nuk punon dhe e di se nëse e ndreq, do të shoh e dëgjoj të njëjtat habere”.

Kështu tha xha Rizai, në një fshat të Pogradecit, moshatar me Presidentin e zgjedhur të Amerikës, të cilin me siguri nuk e njeh (as Joe xhanëm nuk e njeh xha Rizain).

Një Migjen që i ka kaluar shtatë tuberkulozë, pash më pash në të shtatë rrathët e ferrit, në burgje e internime dhe sot vetëm sa ka ndërruar ndonjërin prej rrathëve dhe persekutimin vazhdon.

Një arkeologji heshtjeje që duhet gërmuar.

“Televizioni ka bërë të shohim turli broçkullash, mjaft të mos shohim njeritjetrin”, citon.

Personazhi aspak fiksional, në fakt, jeton vetëm e nuk ka të shohë askënd tjetër. Një Zot di ç’bluan orëve të gjata vetëm.

Por ka refuzuar të jetë viktimë e mullarëve butaforikë e plot kurthe çshpirtëruese tërë dëshpërime molisëse ekraneve plot përsëritje e manipulim.

Një pirg faturash diku në tavolinë më bën të mendoj edhe për taksën mujore që ai paguan sipas ligjit edhe për televizorin.

Panalbanica e sotme mediatike, më shumë se kurdoherë qysh nga agu i krijimit, çon kandar kah një damnatio memoriae, te bjerrja e një kulture të respektueshme e të shëndetshme nëpërmjet heshtjes dhe propagandës.

Mania me ruralen, primitiven, inkompetencën, shkëlqen dritave vezulluese të studiove mbushur me noksanë gjithditurakë, asnjëherëmbërritur tek e vërteta dhe liria.

Mendje të robëruara, të pazë e të jargëta përkrah kryepersonazhit degutant të krahasuar mes turbo-spiropalizmash me Skënderbej (na fal o Gjergj!).

Debate të përnatshme milionakilometrike që humbin rolin parandalues të konfliktit. Ku debati shndërrohet në instrument përçarës për shkak të intencave të big brother-it orwellian që sundon prej dekadash skenën politike nën moton “Ignorance is Strength”, telekomandon debatet e kota ku flitet për gjithçka veç ekonomisë, plagëve të shëndetësisë, të arsimit apo ideve për dalje nga krizat e pasosje.

Debate që kanë humbur misionin e vet parësor në një shoqëri që i mungon elita kredibile nga aspekti intelektual e moral.

Debate e dilema që nuk mbyllen dhe që mbjellin një konfuzion rrënues si shpresa të fikura.

Deklaratat politike si shi gurësh kur zihen dy fshatra. Shoqëria sot ka humbur mundësinë për rrëfimin unik për veten duke rrezikuar një lloj asimilimi idesh, ikjen nga liria, dorëzimin, ikjen nga një aksh shpirtëror identitar.

Para se të jetë tepër vonë, lypet të shpëtohet identiteti nga anonimati.

Para se njerëzorja të pushkatohet ekraneve plot nguti dhe indiferencë përballë thelbit të problemeve reale.

Natyra retorike e konfrontimeve kokëboshe nuk do të zgjidhë asgjë për shkak të pamundësisë objektive të verifikimit dhe mungesës së pakahjes së lirisë politike të të arsyetuarit.

Koma shoqërore e mediatike, kjo perandori e madhe kotësish, kjo shkretëtirë e madhe klori me forma tragjikomike tribaliteti e telenovelash me nostalgji osmane, duhet ndaluar, për të ndaluar ndoshta kështu hemorragjinë e mendimit.

Shpotia dhe humori brenda shtëpisë karakatinë pa çati të xha Rizait, përbën çuditërisht shpresë qëndrese, humori.

Humori është ilaçi më i fortë kundër diktaturës. Inkuizitorët dhe diktatorët e kanë ditur se humori rrezikon seriozitetin e diktaturës së tyre, prandaj shpikën censurën.

Edhe në këto kushte gjenden mekanizma të tjera: ironia, aluzioni, metafora, për të shprehur mospajtim.

Humori konteston autoritetin, është arma e fundit mbase më e forta për t’u mbrojtur nga autoriteti dhe gënjeshtrat. Të nënshtruarit, të persekutuarit, të harruarit, shpesh me humor kanë mbajtur gjallë lirinë e tyre.

Edhe në kushtet e një skamjeje trishtuese, do të triumfojë përballë pangopjes dhe babëzisë që duhet ndalur, sa nuk është vonë. Për të qenë të sinqertë, edhe pse është shumë vonë!

Mos e ndreq televizorin, xha Riza, ne duhet të ndezim guximin për të shpresuar, ëndërruar, protestuar duke parë e dëgjuar me sytë dhe veshët e zemrës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura