Propaganda që shitet si dije

Mar 13, 2020 | 16:33
SHPËRNDAJE

2017-08-06-08_47_14-Luciano-Boci-Windows-Photo-Viewer

 

LUÇIANO BOÇI/ Një nxënësi, i cili kërkonte të merrte mësuesen e tij në telefon, pas daljes online të Besës, i përgjigjej gjithmonë një zë që i thoshte se ishte Edi, i cili e përqafte në fund. 

Mësuesja ime nuk quhet Edi, thërriste ai fort me revoltë.
Kjo është pak a shumë fabula e komunikimit arbitrar të sotëm, të imponuar nga qeveria, me fëmijët e ngujuar prej virusit.

Në një krah del Besa që i kërkon nxënësve të ndjekin “leksionin”, term që shumica e nxënësve nuk e ka familjar e që shumica nuk ia dinë kuptimin dhe në krahun tjetër i fanepset Rama, i cili i çorienton akoma më shumë nxënësit në komunikimin online.
Në zërin e Besës dhe Ramës dallohet një krenari boshe dhe një imponim deri në bezdisje.
E gjitha për të mbuluar paaftësinë ulëritëse, të mos reagimit dhe mos marrjes së masave në kohën e duhur.

Mbyllja e shkollave duket një akt i pashmangshëm në një situatë të tillë, ndërsa budallallëku i Besës dhe i Ramës mund të ishte shmangur.
Orientimi kaotik, që vetë ministrja me  mënyrën si e parashtron e bën akoma më kaotik, nuk e zgjidh si duhet marrjen e dijes në kohë reale.

“Leksionet” në TV, siç i quan Besa, përpos cilësisë jo të përshtatshme të denoncuara nga vetë mësuesit, demaskuan propagandën e teksteve digjitale dhe klasave digjitale, për të cilat fondet janë disbursuar dhe kanë ikur, me gjasa siç e tregon gjendja, në drejtim të paditur.

Ndërkohë, mos harrojmë që ishte po Besa dhe Rama, të cilët i hoqën licencën shkollës “Udha e shkronjave”, e shkuan deri me kërcënime fizike, sepse kjo guxoi të merrte masat e duhura parandaluese dhe e kaloi mësimin online në formë të organizuar.
Vetëdemaskimi vazhdon, pasi kërkesën e gjykatës për ta zgjidhur me pajtim çështjen, Rama dhe Besa e kanë refuzuar.

Për më tepër, gjithçka e thënë dhe e propaganduar deri më sot me bujë e zhurmë, nuk mbulon dot të gjitha kategoritë e nxënësve, duke instaluar dashje pa dashje një diskriminim moshor të frikshëm.
Madje në mënyrë krejt absurde, lihen jashtë nga komunikimi pjesa e studentëve, ndërkohë që është shtresa e cila e përdor komunikimin online në mënyrën më shteruese të mundshme dhe më efektive.
Dhe po t’i shtosh gjithë kësaj panorame infrastrukturën e mjeruar të internetit në zona të caktuara, pamundësinë ekonomike të shumë familjeve dhe mostrajnimin e stafeve mësimdhënëse, pjesa dhe kategoria e nxënësve që mund të përfitojnë, zvogëlohet ndjeshëm, duke lënë aty vetëm propagandën.
Propagandë e shfrenuar që marketohet si dije me vetëpërdorimin e Besës.
Megjithatë kritika nuk mjafton.
Masat duhet të jenë efektive pasi as RTSH e as youtube i ministrisë nuk mjaftojnë. E as video-selfiet e mësuesve të traumatizuar.
Kërkesa ndaj mësuesve duhet të prekë informacionin e tyre për klasat dhe nxënësit.
Duhet një kategorizim i mësimnxënies së tyre dhe më pas përqendrim në rastet që kanë më shumë nevojë.

Në komunitet më të izoluara, sipas mundësisë, mësuesi mund të sigurojë pa rrezikuar me protokolle strikte, një komunikim ndoshta dhe të drejtpërdrejtë individual.
Ndërkohë iniciativa e disa mësuesve, për të krijuar klasën virtuale në faqen Edmondo, duhet përshëndetur dhe duhet të ndiqet nga të tjerë, si një mënyrë efektive komunikimi.
Diversiteti i teksteve nuk duhet të trajtohet si pengesë dhe mund të zbutet nëpërmjet shfrytëzimit të platformës ‪ëëë.albanianeducation.com‬, me ndërmjetësimin e vetë ministrisë.

Platforma ka kohë që është operative dhe funksionale dhe ajo nuk mund të zëvendësohet me “leksionet” e Besës të bëra shkel e shko në RTSH.
Mësuesit duhen motivuar dhe jo thjesht urdhëruar e frikësuar në këtë situatë.
Ndërsa Rama dhe Besa të respektojnë karantinën, duke mos u shfaqur më as në telefona, as në sms e as në TV.
Fëmijët duan dije, jo propagandë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura