Pronat, skadon afati për aplikimet e reja, Qato: Nis verifikimi i dosjeve

May 24, 2016 | 18:00
SHPËRNDAJE

Nuk ka shtyrje afati për pronat. Dje ka qenë dita e fundit ku pronarët mund të paraqiteshin në ATP për të aplikuar për njohje pronësie. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi në mesin e muajit shkurt, përcaktonte çeljen e një afati të ri 90-ditor për t’i dhënë mundësinë çdo qytetari që të bëhej pjesë e procesit të kompensimit. Ata të cilët nuk përfituan, opsioni i vetëm që u mbetet është që t’u drejtohen gjykatave për të gjetur të drejtën mbi pronën e pretenduar.

Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato
Drejtoresha e AKKP, Sonila Qato

APLIKIMET

Kanë qenë të shumtë ata qytetarë, të cilët janë paraqitur në sportelet e agjencisë brenda këtij harku kohor. Edhe pse u tha se ky afat ishte vetëm për ata që nuk kanë dorëzuar asnjëherë dosje, sërish pati keqkuptime.

Pjesa dërrmuese e pronarëve ishin nga radhët e atyre që kanë vendime të formës së prerë apo që e kanë dosjen në shqyrtim. Këto dy kategori nuk ishte e nevojshme që të paraqiteshin pasi procesi për ta do të nisë tani. Do të jetë Agjencia e Pronave që do t’i njoftojë për dokumentet që duhet të depozitojnë nëse dosja e tyre rezulton me mangësi.

Nga të dhënat e ATP-së mësohet se nga rreth 6 mijë qytetarë që kanë trokitur në këtë institucion gjatë këtij 3-mujori, vetëm rreth 30 për qind kanë dorëzuar kërkesa të reja. Kaosi dhe fluksi i krijuar prej atyre që e kanë dosjen në Agjencinë e Pronave ka sjellë radhë të gjata pritjeje, veçanërisht në javën e fundit. Ndërkohë edhe dje fluksi i qytetarëve ka qënë i lartë. Për këtë është punuar edhe jashtë orarit zyrtar.

PROCESI

Pas përfundimit të afatit 90-ditor të çelur me ligjin e ri të pronave, fokusi do të jetë shqyrtimi i çdo kërkese. Qytetarët do të njoftohen nga ATP-ja nëse kanë mungesë dokumentacioni që duhet ta plotësojnë.

”Pas datës 23 maj fillon procesi i shqyrtimit, nga pikëpamja formale e plotësimit të dokumentave. Aplikuesit do të njoftohen zyrtarisht nga ana e Agjencisë së Trajtimit të Pronave në lidhje me pranimin e aplikimit të tyre drejt një rruge për shqyrtim administrativ në vendimarrje të mëtejshme apo jo”, ka thënë për mediat drejtoresha e ATPsë, Qato.

Por krahas kërkesave të reja, në Agjencinë e Pronave prej vitesh janë të arkivuara rreth 11 mijë dosje të tjera, të cilat nuk janë trajtuar asnjëherë më parë. Brenda tri viteve të ardhshme, pra, deri në 2019- n, agjencia ka detyrimin për të dalë me një vendim për secilin prej tyre.

Deri më tani, sipas Qatos ka përfunduar trajtimi i 510 dosjeve të para, për të cilat është bërë procesi i verifikimit, konfirmimit dhe hetimit administrativ. Edhe për këtë kategori tri janë skemat e kompensimit që do të aplikohen, përkatësisht kompensimi fizik brenda pronës së njohur, kompensimi nga fondi i tokës që ATP-ja zotëron dhe kompensim financiar.

KOMPENSIMI

Paralelisht me shqyrtimin e dosjeve me vendim do të punohet me pronarët, të cilët kanë vendime të formës së prerë. Janë 26 mijë familje me këtë status në pritje për t’u kompensuar.

Trajtimi i tyre do të bëhet duke ruajtur rendin kronologjik të vendimmarrjes. Kjo do të thotë që ata pronarë që kanë vendime më të hershme, do të kenë përparësi në raport me të tjerët. Sakaq aktualisht Agjencia e Pronave ka nisur rivlerësimin e çdo sipërfaqeje toke për të përcaktuar masën e përfitimit për çdo pronar të shpronësuar.

Pasi të jetë përmbyllur rivlerësimi financiar i pronës, i cili do të bëhet mbi bazë të zërit kadastral që ka pasur prona në momentin e konfiskimit, pronarët do të kenë të drejtë të zgjedhin një nga format e kompensimit, përkatësisht atë financiar, fizik apo të marrin pjesë në ankand.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura