Pronat, Malaj: Të hetohen financimet nga donatorët

Feb 29, 2012 | 11:24
SHPËRNDAJE

Komisioni i Ekonomisë

Debati në Komisionin e Ekonomisë për ndryshimin në ligjin “Për hipotekat”

PD: Nuk mund të kontrollojmë paratë e ndërkombëtarëve.

Diskutimi i projektligjit “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” është kthyer në debat politik mes deputetëve të maxhorancës dhe opoz-itës në Komisionin e Ekonomisë.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë që ishin në këtë komision për të shpjeguar ndryshimet në ligj, janë lënë në hije nga debatet mes palëve. Gjithçka filloi nga kërkesa e deputetit të Partisë Socialiste, Arben Malaj, i cili u shpreh se Shqipëria ka dështuar në reformën që lidhet me pronat dhe se nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të fillohet një “hetim” se pse nuk kanë qenë efikase projektet që janë financuar nga donacione të huaja. “Ndoshta ne si Komision i Ekonomisë duhet t’i kërkojmë Kontrollit të Lartë të Shtetit të bëjë kontroll të profilizuar për donatorë. Problemi i asistencës ndërkombëtare për të vënë mbi baza ligjore gjithë elementët e pronësisë në Shqipëri, mund të ketë ngrënë miliona euro ose dollarë. Projektet që janë bërë, kanë ngecur dhe nuk kanë dhënë produktin”, tha Malaj. Por ky sugjerim ka hasur në kundërshtimin e maxhorancës, fillimisht të kryetarit Edmond Spaho dhe më pas të deputetit Flamur Noka, të cilët kanë theksuar se të huajve nuk mund t’u kontrollohen fondet dhe se e vetmja gjë që mund të bëhet është të kihet mirënjohje për asistencën. Nga kjo deklaratë maxhoranca kaloi në sulm ndaj opozitës, duke i kujtuar “pazare të vjetra me pronat”. “Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka kapur me disa mijëra tituj pronësie të falsifikuar të dhëna nga qeverisja juaj dhe janë të gjitha të faktuara dhe dokumentuara dhe të gjitha zgjidhen me proces gjyqësor”, u shpreh Noka.
Ligji
Projektligji i diskutuar dje në Komision dhe i miratuar vetëm me votat e maxhorancës sjell një sërë risish. Fillimisht është kalimi i ZRPP-së si një institucion që vetëfinancohet dhe i menaxhon vetë të ardhurat e tij. Nga ana tjetër është ulja e burokracive për qytetarët, të cilët tashmë shumë verifikime dhe shërbime do të mund t’i marrin online. “Së pari janë noterët që do të kenë akses të drejtpërdrejtë në këtë sistem online. Ashtu sikurse janë përmbaruesit privatë dhe shtetërorë që do të kenë të drejtë të vërtetojnë gjendjen juridike të pronës”, u shpreh zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi. Lidhur me interesin e opozitës se kush përcakton tarifat për shërbimet, Kasmi u shpreh se vlera e tarifave do të propozohet nga Bordi Drejtues i ZRPP-së, por do të miratohen nga Ministri i Financave dhe Ministri i Drejtësisë.

Debati në Komisionin e Ekonomisë
Arben Malaj:
Shqetësimi im ka të bëjë me faktin që e para dhe, mbi të gjitha, Shqipëria në gjithë indekset e së drejtës së pronës vazhdon të klasifikohet në nivelet më të ulëta. Kjo quhet liri e shtypur, që pengon zhvillimin ekonomik të vendit. E dyta, ndoshta ne si Komision i Ekonomisë duhet t’i kërkojmë Kontrollit të Lartë të Shtetit të bëjë kontroll të profilizuar për donatorë. Problemi i asistencës ndërkombëtare për të vënë mbi baza ligjore gjithë elementët e pronësisë në Shqipëri, mund të ketë ngrënë miliona euro ose dollarë. E treta, projektet që janë bërë, kanë ngecur dhe nuk kanë dhënë produktin.
Edmond Spaho: Insinuata që bëni ju ndaj donatorëve, nuk kuptohet. Ne si maxhorancë nuk ndajmë të njëjtën mendim me ju në lidhje me këtë pikë. Ne duhet t’ju jemi mirënjohës donatorëve për atë që kanë bërë. Nderi i Komisionit është të jetë mirënjohës për donacionet.
Arben Malaj: Mos lexo vetëm fjalën e Berishës, por shih se si janë shpërdoruar fondet.
Flamur Noka: Në rast se sot ky proces i regjistrimit të pronës nga BE konsiderohet në nivele të ulëta, duhet të kesh kurajë të thuash dhe atë që kur keni qenë në pushtet, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka kapur me disa mijëra tituj pronësie  të falsifikuar të dhëna nga qeverisja juaj dhe janë të gjitha të faktuara dhe dokumentuara dhe të gjitha zgjidhen me proces gjyqësor. E dyta, duhet të kuptoni një gjë. Keni kohë që thoni “të kontrollohet qeveria”, “vjedh qeveria”, tani nuk ju del vetëm qeveria, po doni të kontrolloni dhe donatorët. Jo mor zotëri, donatorëve të huaj duhet t’u themi faleminderit për asistencën.

NERTILA MAHO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura