Pronarja e ACR: Firma paguan paratë e drekës së Bajramit

Aug 31, 2011 | 11:55
SHPËRNDAJE
Nga protesta e minatorëve të Bulqizës

As ditën e Fiter Bajramit ACR dhe minatorët nuk i kanë ndalur replikat mes tyre. Ka mjaftuar një urim i pronares së ACR-së, Depichc, nëpërmjet medias që të reagojnë sindikalistët.Presidentja e kompanisë, nëpërmjet një letre të hapur, u ka uruar dje Festën e Bajramit të gjithë punonjësve të minierës së kromit Bulqizë. Depichc deklaroi se kompania ACR do të jetë pranë familjeve të tyre gjatë festimeve për Bajramin, duke mbuluar shpenzimet e drekës. Presidentja e firmës së huaj, Skatche Depich, nënvizon se i vjen keq për situatën e krijuar nga disa persona jashtë kompanisë, për shkak të të cilëve kushtet e minatorëve dhe familjeve të tyre janë përkeqësuar. Ditën e kësaj feste të madhe për besimtarët myslimanë, pronarja austriake u bën thirrje minatorëve t’i kthehen punës në miniera. Ajo kujton se kompania e saj ka siguruar minatorët për rritjen e pagës me 20 për qind, përmirësimin e kushteve të punës dhe transparencë të investimeve. “ACR do të mbulojë shpenzimet e drekës së Bajramit”, tha dje presidentja e

Pronarja e ACR, Skatche Depich

Decometal, mirëpo ky premtim i saj është komentuar nga minatorët e qytetit të minatorëve, madje është konsideruar si mjaft qesharak. Baki Bajraktari, njëri nga anëtarët e komisionit të grevës së minatorëve, duke iu përgjigjur “letrës” mediatike të Depichc tha se “Ne minatorët do t’i jepnim disa dreka pronares, vetëm ajo të plotësojë kërkesat ekonomike të 700 minatorëve”. Ai hodhi poshtë pretendimet e Depichc se njerëz jashtë minierës kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes në minierë. Bajraktari sqaroi se janë vetë minatorët që kanë vendosur të protestojnë dhe se nuk janë jashtë shqetësimit të minatorëve drejtuesit e Konfederatës, pasi të gjithë minatorët aderojnë në këtë sindikatë me vullnetin e tyre. Në reagimin e tij Presidenti i KSSH-së, Kol Nikollaj, pohoi dje për “Panorama” se ai dhe minatorët do të kishin shumë dëshirë që dita e Festës së Bajramit të ishte një ditë e qetë, larg presioneve, kundërshtive e replikave mediatike. “Unë jam i detyruar të reagoj ndaj një deklarate qesharake. Minatorët e Bulqizës nuk kanë nevojë për një drekë. Ata kërkojnë rritje reale të pagës, kushte më të mira pune, largimin e administratorit të minierës, thellimin e pusit nga niveli 16 deri në nivelin 21, ndaljen e abuzimeve, largimin e subjekteve pa licencë nga territori i ACR-së”. Nikollaj deklaroi se do të mjaftonte urimi i pronares Depichc për minatorët e Bulqizës, por jo premtimi i një dreke. “Kam mendimin se Depich është mashtruar nga njerëzit që e rrethojnë. Minatorët nuk kanë kërkuar një vakt, as nuk e pranojnë atë si lëmoshë. Ata dje e festuan Fiter Bajramin me borxhe në dyqanet e qytetit. Pra, janë njerëz me sedër dhe shumë seriozë në atë që kërkojnë. Minatorët e konsiderojnë si absurd premtimin për t’u paguar shpenzimet e një dreke, kur dihet se prej dy muajsh listat në dyqane janë shtuar”, theksoi Nikollaj.

Protesta

Kreu i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, tha dje se sot që në orën 07.00 të mëngjesit, minatorët do të nisin protestat në Bulqizë, duke kërkuar zgjidhjen e kërkesave të tyre. Sipas tij, ACR duhet të nënshkruajë marrëveshje me Sindikatën e Minatorëve në mënyrë ligjore dhe nuk është e drejtë dhe as morale të merret kaq gjatë me lidershipin e sindikatës.

 

BULQIZE/ HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura