DOSJA E PLOTE/ Ja dëshmitë se si drejtoresha e Arsimit në Lushnje merrte rryshfet deri 3 mijë euro për një vend pune

Apr 23, 2015 | 15:10
SHPËRNDAJE

UPDATE/ Ish-drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, Luiza Tabaku, dërgohet në gjyq nga Prokuroria me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit pasiv”. Ajo akuzohet se ka marrë ryshfet në disa raste për punësimin ose mbajtjen në punë të mësuesve të ndryshëm në zonën e Lushnjës. 

Drejtoresha e Arsimit në Lushnjë, Liza

I akuzuar në të njëjtën dosje të dërguar në Gjykatë edhe djali i ish-drejtoreshës, Xhonluko Tabaku, i hetuar në masën “arrest në shtëpi”, i cili akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm. Personi i tretë i vendosur nën akuzë është Rigert Zeneli, i akuzuar për ushtrim ndikimi të paligjshëm në rolin e ndërmjetësit, mes personave që jepnin ryshfet dhe ish-drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë. Në kërkesën për gjykimin e çështjes, Prokuroria ka zbardhur në detaje rastet e ndërhyrjes së djalit të drejtoreshës dhe ndërmjetësit, si dhe marrjen e shumave nga 3 deri në 5 mijë euro nga ana e Luiza Tabakut.

“KAFEJA” NGA TË PUNËSUARIT
Nga procesverbalet e transkriptimit të disa prej bisedave të zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë midis drejtoreshës dhe qytetarëve të ndryshëm të interesuar, rezulton se këta të fundit i premtojnë dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit. Edhe nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të zhvilluara midis të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezultojnë biseda me interes për hetimin. Në shumë raste, këta dy shtetas bisedojnë me njëritjetrin për mundësitë e emërimit, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të ndryshme parash, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro.

DJALI SEKSER PËR VENDE PUNE
Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezulton se ky i fundit zhvillon biseda me persona të ndryshëm, të cilët interesohen për veten ose për të afërm të tyre për të filluar ose qëndruar në punë në arsim. Madje, në një rast, Xhonluko gjatë komunikimit telefonik me një shtetas të quajtur “Hysa” (identiteti i saktë i të cilit nuk u arrit të saktësohej nga hetimi) nëpërmjet telefonit të babait të së fejuarës së tij ka zhvilluar një bisedë, nga përmbajtja e së cilës kuptohet qartë se Xhonluko ka marrë përsipër t’i “rregullojë” vajzës së bashkëfolësit regjistrimin në fakultet në degën Gjuhë-Letërsi”, kundrejt shumës prej 3500 euro, të cilat i ka marrë paraprakisht. Gjatë bisedës, bashkëfolësi “Hysa” i kërkon Xhonlukos t’i kthejë paratë, përndryshe e kërcënon duke i thënë se do ta bëjë publik rastin. Rezulton nga biseda se personi me emrin “Hysa” është i pakënaqur me degën Italisht, që Xhonluko i ka rregulluar vajzës së tij, pasi është rënë dakord më parë për degën Infermieri, më pas për Gjuhë-Letërsi dhe në përfundim për Italisht.

EMËRIMET PAS RYSHFETIT
Pas zhvillimit të këtyre bisedave, Xhonluko komunikon për secilin nga rastet e “interesuara” me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e informon mbi vendet vakante dhe mundësitë e lëvizjes apo të transferimit në komuna të ndryshme apo në shkollat e qytetit të Lushnjës.

Rezulton nga përgjimet se në të shumtën e rasteve Xhonluko takohet dhe personalisht me personat e interesuar, të cilëve u përcaktonte tarifat në para në varësi të vendit të ofruar, tarifa të cilat rezultojnë edhe nga përgjimet telefonike.

Në disa raste, gjatë takimeve janë dorëzuar dhe shumat e parave të kërkuara prej Xhonlukos (shtetasi S.H dhe Rigert Zeneli). Pas dorëzimit të parave nga këta persona, e pandehura Luiza Tabaku përgatiste urdhrin për emërimin apo komandimin në detyrë, të cilin ua dorëzonte personalisht ose në rrugë zyrtare personave në fjalë.

DËSHMITARËT
Referuar deklarimeve të shtetasve E.M. dhe I.M., rezulton se për t’u emëruar si mësues i edukimit fizik, ky i fundit i ka dhënë shtetasit Xhonluko Tabaku nëpërmjet një personi të tretë shumën prej 3000 eurosh. Menjëherë pas dhënies së parave, ky shtetas ka filluar punë në arsim.

Po kështu, në disa raste, për shkak të shumave të mëdha të parave të kërkuara nga Xhonluko, personat e interesuar nuk kanë vazhduar bisedimet me të, fakt i cili konfirmohet si nga përgjimet telefonike, ashtu edhe nga deklarimet e këtyre shtetasve.

Shtetasit B.SH. dhe E.K., të cilët kanë përfunduar studimet e larta për edukim fizik dhe kanë pasur biseda dhe takime me të pandehurin Xhonluko, të cilit i kanë kërkuar t’i ndihmonte për të filluar punë në arsim. Për çdo vend vakant që Xhonluko u ofron këtyre shtetasve, më parë konsultohet me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e sqaron për vendet më të përshtatshme.

NDARJA E PARAVE
Më datë 20.11.2014 është autorizuar kryerja e përgjimit të fshehtë audio dhe video në vende publike, si dhe komunikimeve në këto vende, midis shtetasve Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku. Gjithashtu, duke parë rëndësinë e komunikimeve të të pandehurit Rigert Zeneli me të pandehurin Xhonluko Tabaku, është lejuar me vendim prokurori përgjimi i komunikimeve telefonike të këtij shtetasi, i cili është vleftësuar dhe nga Gjykata e Lushnjës.

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave rezulton se Xhonluko Tabaku ka kryer një bisedë me të pandehurin Rigert Zeneli, mësues në shkollën e fshatit Allkaj, për të lejuar qëndrimin në punë të shtetasit G.SH., edhe ky mësues në të njëjtën shkollë. Më datë 19.11.2014, midis numrave të telefonit …888 që i përket të pandehurit Xhonluko Tabaku dhe numrit të telefonit ….293 që i përket të pandehurit Rigert Zeneli, janë dërguar këto SMS: “Merri 1300 euro. 50 euro mbaji vetë të tjerat merja nsr ti e po vi ti marr unë. T ngelet mes nesh ok?”((SMS i dërguar nga Xhonluko).  “O Xhon 130 apo një mijë e 300?” (SMS i dërguar nga Rigert Zeneli) “1 mijë e 3 qind se ky del i papunë mo vlla.dhe kaq t thot flm se ngelet jashtë sistemit fare” (SMS i dërguar nga Xhonluko).

Më pas, Xhonluko ka folur edhe me nënën e tij Luiza Tabaku, të cilën e ka pyetur për shumën e parave që do t’i kërkonte G.SH., duke rakorduar për 100 000 (njëqindmijë) lekë. Ndërkohë, Luiza i ka thënë Xhonlukos se këtë problem do t’ia mbyllte ajo, pasi është siguruar se ky i fundit kishte “mbaruar punë”. Gjithashtu, e pandehura Luiza Tabaku ka komunikuar edhe vetë në telefon me shtetasin G.SH., të cilin e ka siguruar se do ta ndihmonte, pa qenë nevoja të jepte provimin e shtetit.

Gjatë përgjimit të fshehtë fotografik dhe filmik, nga oficeri i Policisë Gjyqësore i ngarkuar me këtë detyrë, janë konstatuar më datë 22.11.2014, rreth orës 12:30, në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj, komuna Allkaj, të rrethit Lushnjë, të pandehurit Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku.

I pandehuri Xhonluko Tabaku ka ardhur me mjetin tip Mercedes Benz C-Class me targa AAxxxIY dhe ka ndaluar në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj dhe aty është takuar në këmbë me të pandehurin Rigert Zeneli. Pasi kanë biseduar për pak sekonda me njëri-tjetrin, i pandehuri Rigert Zeneli i ka dhënë të pandehurit Xhonluko Tabaku një shumë lekësh në formë mite sipas bisedës së rënë dakord më parë në telefon.

ARRESTIMI ME LEKË NË DORË

Në këto momente kanë ndërhyrë forcat e Policisë, të cilat kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Rigert Zeneli, me detyrë mësues në shkollën e fshatit Allkaj dhe shtetasit Xhonluko Tabaku, djalit të shtetases Luiza Tabaku, me detyrë drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K.Penal. Gjatë kontrollit personal që u është bërë të dyshuarve, menjëherë pas arrestimit i janë gjetur 160 000 lekë të pandehurit Xhonluko Tabaku dhe 40 000 lekë të pandehurit Rigert Zeneli. Këto shuma lekësh janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

RYSHFET PËR TË MOS I SHKARKUAR

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike për bisedat e zhvilluara midis shtetasve G.SH, Rigert Zeneli, Xhonluko Tabaku dhe Luiza Tabaku, provohet plotësisht fakti se marrja e shumës së lekëve (është rënë dakord me parë për 1300 euro) nga i pandehuri Xhonluko Tabaku, është për shkak të ndikimit të paligjshëm që ky i fundit ka ushtruar te nëna e tij Luiza Tabaku, me detyrë drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, me qëllim që ajo të lejonte qëndrimin në detyrën e mësuesit të shtetasit G.SH., edhe pse ky i fundit nuk kishte kualifikimin e duhur profesional.

ARRESTIMI I DREJTORESHËS

Në këto kushte, duke qenë se kishte të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se e pandehura Luiza Tabaku, me detyrë drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, kishte konsumuar të gjitha elementet e veprës penale “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, nga organi i Akuzës është urdhëruar ndalimi i kësaj shtetaseje. Në vijim të veprimeve të para hetimore, nga ana e oficerit të Policisë Gjyqësore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, në kushtet e flagrancës është ushtruar kontroll në banesën e të pandehurës Luiza Tabaku, gjatë të cilit janë gjetur shuma të konsiderueshme lekësh rreth 800 000 lekë dhe valutë euro (12 600 euro), ku një pjesë e tyre gjendej e shpërndarë në disa zarfe, të cilat kishin mbishkrime emrash të ndryshëm.

Gjithashtu, gjatë kontrollit është gjetur dhe një certifikatë për vërtetim pronësie për një apartament të regjistruar në emër të shtetasve Gëzim Tabaku dhe Luiza Tabaku, me vendndodhje në qytetin e Tiranës, në lagjen Yzberisht. Nga kontrolli personal i kryer ndaj të pandehurës Luiza Tabaku ka rezultuar se kishte me vete 126 250 lekë dhe 3370 euro (përfshirë te kjo shumë edhe sasia e parave të hedhura në tualet). Pasi është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, Luiza Tabaku ka hedhur në tualetin e Drejtorisë një shumë prej 2500 eurosh dhe 50 000 lekësh, të cilat janë fiksuar me procesverbal këqyrje vendesh dhe më pas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

DËSHMIA PËR RYSHFETIN

Për nevoja hetimi është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi G.SH., i cili, ndër të tjera, ka sqaruar se pasi ka mësuar nga drejtori i shkollës ku punon si mësues, se emri i tij figuronte në listën e personave “jashtë profilit”, ka takuar shtetasin Rigert Zeneli, pasi kishte dijeni që ky i fundit kishte njohje personale me shtetasin Xhonluko Tabaku, djalin e drejtoreshës së Arsimit në Lushnjë.

G.SH. i ka kërkuar Rigertit që ta ndihmonte të qëndronte në punë. Rigerti, pasi ka biseduar me djalin e drejtoreshës, Xhonluko Tabaku i ka thënë se do ta ndihmonte kundrejt një “kafeje”, të cilën ia kishte kërkuar Xhonluko.

G.SH. ka rënë dakord dhe më datë 21.11.2014 i ka dhënë Rigertit 210 000 lekë, sipas bisedës së rënë dakord më parë. Të njëjtat shpjegime në lidhje me faktin ka dhënë edhe shtetasi Rigert Zeneli, i pyetur në cilësinë e personit nën hetim. Ky shtetas në vijim të hetimeve ka shtuar se edhe vetë për të filluar punë si mësues i edukimit fizik i ka dhënë të pandehurit Xhonluko Tabaku shumën prej 500 000 Lekësh, nga të cilat 400 000 lekë i ka marrë kredi te institucioni jobankar “XXX”, ndërsa shumën prej 100 000 lekësh ia ka dërguar kunati i tij, emigrant në Greqi, përmes pikës së “Western Union” në Lushnjë.

Ky fakt konfirmohet nga kontrata e kredisë e lidhur midis këtij shtetasi dhe institucionit jobankar “XXX” më datë 11.09.2014, rreth një muaj para emërimit të këtij shtetasi si mësues, si dhe urdhri për emërimin në detyrën e mësuesit të edukimit fizik të këtij shtetasi në shkollën e mesme të fshatit Allkaj.

Kërkimi dhe dhënia e parave në këmbim të emërimit në detyrën e mësuesit konfirmohet edhe nga deklarimet e shtetasve M.B., I.H., T.K., E.H. dhe R.S.

Konkretisht, shtetaset M.B. dhe I.H. kanë deklaruar se për të filluar punë, respektivisht si mësuese e gjuhës angleze dhe edukatore, i kanë dhënë të pandehurës Luiza Tabaku, e para 300 000 lekë, ndërsa e dyta 1000 euro. Shtetësia T.K. dhe vëllai i saj, E.H., i kanë dhënë të pandehurës Luiza Tabaku në banesën e saj shumën prej 370 000 lekësh.

Ndërkohë, shtetasi R.S. i ka dorëzuar të pandehurës Luiza Tabaku një letër (e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale në çantën e kësaj të fundit), në të cilën shënohen vendet vakante dhe përbri vendeve shumat përkatëse në të holla, që ky shtetas ishte i gatshëm të paguante për të filluar punë, pas disa bisedave të zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë me ish-drejtoreshën Luiza Tabaku.

Kjo e fundit gjatë këtyre bisedave ka lënë të nënkuptuar pranimin e parave, duke i premtuar se do ta rregullonte së shpejti. Dhënia e mitës pranohet edhe nga shtetasja R.M., e cila për të filluar punë si mësuese Bio-Kimie, i ka dhënë shtetases Luiza Tabaku në ambientet e jashtme të banesës së kësaj të fundit shumën prej 3000 eurosh, të cilat i kishte futur brenda një zarfi, ku kishte shënuar emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit.

Ky zarf është sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë kontrollit të banesës së personit nën hetim, Luiza Tabaku. Deklarimet e personave që kanë dhënë para në këmbim të vendit të punës, konfirmohen edhe nga urdhrat për fillimin e punës së këtyre shtetasve, të cilat përputhen në kohë me periudhën kur janë dhënë paratë. Këta urdhra janë të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura