Projekti i Teatrit/ Neritan Liçaj: Ta ndërtojë shteti. Kryeministër që shantazhon, arrogant, që “pret koka”

Mar 14, 2018 | 11:36
SHPËRNDAJE

ALMA MILE/ Aktori Neritan Liçaj është kundër tre P-ve të famshme apo partneritetit Publik-Privat. Sipas tij, në institucionet kombëtare duhet të lërë vulën e vet shteti.

Vendimin e shprehur nga Kryeministri Rama për shembjen e godinës së TK-së, ai e konsideroi një sjellje arrogante dhe kërcënimin e tij të radhës, por shprehu pëlqimin e tij për projektin e prezantuar nga Bjarke Ingels. Ashtu si edhe kolegë të tij, Liçaj shprehu shqetësimin për infrastrukturën e brendshme të teatrit, pasi në prezantim u fol më shumë për elementë të jashtëm, se sa për atë që përbën thelbin e një teatri, apo “kuzhinën” ku prodhohet një shfaqje, siç e quan Liçaj.

kulture-3-640x360

Ç’mendoni për projektin e godinës së Teatrit Kombëtar?

E pashë nga televizori. Do kishte qenë më mirë ta kisha parë atje, por nuk pata mundësi. Kolegët e mi e panë dhe bën shumë mirë që e panë. Nuk kam asnjë lloj kundërshtie në lidhje me këtë, pasi jemi lënë disi në mjegull në lidhje me deklarata të mëparshme. Por nuk doja të ndalesha te projekti më shumë, se sa te filozofia e tre P-ve, partneriteti Publik-Privat, që është kthyer në gogol në Shqipëri. Nuk e kuptoj se përse kudo duhet të përdoret kjo mënyrë qeverisjeje. Jo se jam kundër, por përse në çdo rast?! Pse duhen futur qoftet në Butrint, pse teatrin duhet ta ngrejë privati dhe t’i marrë ca metra. Dreqi e mori, nëse je shtet i fortë, të paktën te kombëtarët duhet të jesh ti si shtet, te stadiumi kombëtar, opera kombëtare, teatri kombëtar, galeria kombëtare, biblioteka kombëtare. Sepse çuditërisht komoditetet për veten këta qeveritarët tanë i kanë shumë të mira, për udhëtime në klas të parë, etj. dhe mirë bëjnë se u takon me meritë se janë qeveritarët e vendit të tyre, por përse kur vjen puna tek arti dhe kultura, gjithnjë nuk ka lekë. Mua kjo më shqetëson.

A humbet në hapësira Teatri Kombëtar?

Po, sipas projektit, po, humbet. Unë nuk jam arkitekt dhe s’mund të them, por ajo u pa dhe është evidente. Është e njëjta logjikë si te stadiumi. Unë i bëj “dhuratë” ndërtuesit ca metra dhe ai më ndërton këtë. Përse të mos i mbajmë të gjitha metrat dhe e bën shteti vetë. Maqedonia, një vend me probleme integrimi, kombësish, arriti që të bënte një teatër kombëtar. Vetë shteti me shpenzimet e veta, për të treguar që ne kemi një identitet kombëtar. Ndërsa ne vazhdojmë me këtë logjikë absurde. Qeverisja jonë është e majtë. Kryeministri ynë është përfaqësues i maxhorancës së majtë dhe në logjikën e së majtës duhet të jetë më pranë qytetarit, por Kryeministri po qëndron shumë pranë biznesit. Mirë bën, çdo Kryeministër duhet të mendojë edhe për biznesin, por jo vetëm për biznesin. Duhet të mendojë edhe se çfarë duan njerëzit.

A do të ketë një reagim nga ana e komunitetit artistik?

Patjetër që do ketë. Kryeministri bëri kërcënimin e radhës. U mësuam me një Kryeministër që shantazhon, arrogant, që “pret koka”, jep ultimatume dhe fakti është që për njerëzit, kjo arrogancë u bë pak e tepërt. Nëse do isha pranë Kryeministrit Rama, do i thosha që të ndryshonte pak stil. Njerëzit duhen parë në sy e duhen dëgjuar. Duhen dëgjuar për atë që ata duan vërtet dhe të vendosësh ti për gjithçka pa pyetur njeri, kjo nuk është e drejtë.

Do ndërmerrni hapa konkrete?

Nuk mund të flas për hapa proteste, për këtë po bisedojmë si komunitet.

Le të kthehemi te projekti, a është i përshtatshëm për Teatër Kombëtar?

Projekti në vetvete është shumë i bukur. Unë nuk e fsheh, më pëlqeu. Por sa i përshtatshëm do të jetë brenda, kjo është punë tjetër sepse edhe aty u fol pak si për “Turbinën”. Edhe për atë nuk u fol për xhepat skenikë, dekoret. Lartësi skene, pra, infrastrukturën e nevojshme skenike. Dhe te projekti i djeshëm, që në pamje të parë dhe si koncept ishte shumë i bukur, nuk pashë detaje si tek opera, ku gjithçka ishte e detajuar në mënyrë profesionale. Flitej për salla provash, dhoma solistësh, etj., kurse këtu për restorante, xhama, dhe nuk u fol shumë për infrastrukturën e brendshme. Për këtë nuk jam shumë i qartë. Por nga jashtë ishte shumë i bukur, por nuk u fol për “kuzhinën” e prodhimit të teatrit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura