PROFIL/ Kush është Eljon Hato, porositësi i vrasjes së mjekut nga qelia (VIDEO)

Jul 31, 2015 | 18:18
SHPËRNDAJE

Një ditë pas arrestimit të 21-vjeçarit, Osman Malja, banues në Shkodër, i cili tentoi të vriste një mjek në Spitalin Rajonal të Shkodrës, Policia ka dhënë detaje interesante lidhur me atentatin.

Eljon Hato, gjatë arrestimit më 3 maj 2015
Eljon Hato, gjatë arrestimit më 3 maj 2015

Kjo vrasje ishte porositur nga Eljon (Esmeraldo) Hato, i cili është në burg, i dënuar për vrasje me dashje. Por kush është Eljon Hato?

Eljon Hato, 26 vjeç, më 12 maj të vitit 2014 vrau në Shkodër pas një grindje banale 22-vjeçarin Indrit Hylli, si edhe plagosi shtetasin tjetër Jetmir Molla. Ai u kap, së bashku me të vëllanë më tre maj të këtij viti në Laç.

Vrasja në Shkodër

Viktima Indrit Hylli dhe i plagosuri Jetmir Molla, po qëndronin në një lokal në fshatin Zus, ndërsa autori Eljon Hato ndodhej po në të njëjtin lokal, por në një tjetër tavolinë.

Sipas policisë, brenda lokalit ka pasur dhe dy persona të tjerë, që kanë qenë të njohur me personat e përfshirë në konflikt, por kanë qenë në një tjetër tavolinë.

Nën efektin e alkoolit, kur ora shënonte 03:00 e mëngjesit, mes personave të përfshirë në konflikt ka filluar një debat, i cili në fillim ka nisur me shkëmbime fyerjesh banale dhe më pas 26-vjeçari ka qëlluar me armën e zjarrit pistoletë, në fillim në drejtim të shtetasit Indrit Hylli, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas ka qëlluar dhe në drejtim të shokut të viktimës, shtetasit Jetmir Molla, i cili për fat ka marrë vetëm një plagë në këmbë.

Menjëherë pas ngjarjes, autori është larguar pa rënë në “dorë” të policisë, ndërsa dy personat e qëlluar janë dërguar me shpejtësi në spital nga punonjësit e lokalit.

Por, për shkak të plagëve të rënda, 22-vjeçari Indrit Hylli nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes. Ndërsa i plagosuri Jetmir Molla, sipas mjekëve, është jashtë rrezikut për jetën, pasi plumbi i marrë nuk ka dëmtuar ndonjë arterie.

Arrestimi

Një vit më pas, më 3 maj të vitit 2015, Policia ndaloi një automjet tip “Benz” në hyrje të qytetit të Laçit. Në këtë automjet ndodhej Eljon Hato dhe i vëllai i tij Elkier Hato.

Gjykata e Shkodrës kishte caktuar masën e arrestit me burg për të dy këta persona. Eljon Lato akuzohej për vrasje dhe plagosje me dashje, ndërsa i vëllai akuzohej për armëmbajtje pa leje. Dy të arrestuarit nuk shfaqen rezistencë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura