Procesi apo rezultati?

Apr 12, 2021 | 9:37
SHPËRNDAJE

1200px-Genc_Pollo-700x465

GENC POLLO

Në fushatën zgjedhore të vitit 2005, një eksponent i lartë i opozitës deklaroi se në rast fitoreje të partisë së tij, Shqipëria do të anëtarësohej në Bashkimin Europian brenda pesë-gjashtë viteve. Qeveria e kohës, më e rezervuar në këtë çështje, e thoshte se do të duheshin pak vite më shumë; natyrisht duke shtuar se i kishte bërë detyrat përkatëse mirë e bukur dhe se me të shkohej sigurt në Europë.

Sot, gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, askush nuk merret më me parashikimin e vitit të anëtarësimit tonë në BE; qeveria, si dikur, tha se i ka bërë detyrat përkatëse mirë e bukur dhe se vetëm me të shkohet sigurt në Europë. Duke injoruar përmbushjen e 15 kushteve që në shumicë i kishte provokuar vetë; dhe duke injoruar, për herë të parë në këto tridhjetë vjet, Europën si temë fushate.

Opozita thotë se me rrotacionin e prillit do të bëhet e mundur thirrja e Konferencës Ndërqeveritare (pas së cilës vijojnë negociatat e anëtarësimit) brenda kësaj vjeshte. Ky premtim është i matur e me gjasa të përmbushet paçka se garanci nuk ka. Por vini re: për vitin e anëtarësimit nuk flet më kurrkush!

Pa dyshim që brenda BE-së skepticizmi ndaj anëtarëve të mundshëm nga Ballkani është rritur edhe për shkaqe të brendshme. Por shumë më shumë shkaku është gjendja problematike në rajonin tonë duke filluar me të drejtat e njeriut, shtetin ligjor, ndarjen e pushteteve, llogaridhënien qeveritare, pra, me një fjalë normat bazike ose, e thënë me gjuhën e traktateve të BE, me Kriteret e Kopenhagenit.

Në artikullin e tij të njohur “Efekti i Plantagenetëve”, studiuesi amerikan Robert Kaplan vëren se Anglisë iu deshën tetë shekuj për të zhvilluar traditën e kulturën e shtetit ligjor e të demokracisë. Me këtë shembull, Kaplan shpjegon dështimin e “pranverës arabe” të vitit 2010, në arritjen e demokracive funksionale: ishte mungesa e traditës fillestare.

Natyrisht, Ballkani nuk mund të krahasohet me situatën arabe ashtu siç edhe mund të thuhet se tradita institucionalodemokratike e rajonit ka deficite më të mëdha krahasuar me kontinentin. Por Ballkani ka dhe një shans që rajone të ngjashme në botë nuk e kanë: të qenit enklavë gjeografike brenda BE si dhe angazhimin e BE, me potencialin politiko-financiar të stërmadh të saj, për Kriteret e Kopenhagenit deri në ditën e anëtarësimit e mbase më tej. Veçse ky potencial lipset të mirëpërdoret. Mali i Zi e Serbia deri vonë konsideroheshin shtete “pararojë” në integrimin europian.

Mali i Zi hapte e mbyllte kapituj me Komisionin Europian, por, në fakt, shteti ishte i kapur nga partia në pushtet prej dy dekadash (edhe pse parti me merita historike). Rrotacioni përmes zgjedhjeve, megjithë shqetësimet gjeopolitike që shkaktoi, jep një shpresë për çkapjen e shtetit.

Serbia i ngjan Shqipërisë nga kriminalizimi i segmenteve të pushtetit e nga kapja e shtetit; edhe aty Parlamenti përfundoi monist mbas një vendimi të kuturisur të opozitës për të bojkotuar zgjedhjet. Bosnja-Hercegovina është federatë jofunksionale dhe njësitë përbërëse të saj janë feude etno-partiake pa kontroll e ndryshim pushteti.

Maqedonia e Veriut në vitin e pestë të qeverisë aktuale po shfaq në rritje sindromat problematike të qeverisë para saj. Kosova megjithë arritjet e problemet e ngjashme shpreson progres me qeverinë e re. Për hallet e Shqipërisë në këtë aspekt do të mjaftonin raportet ndërkombëtare si ai Transparency Int./IDM së fundmi; edhe po të mos i njihnim ato fakte nga të jetuarit këtu.

Ndreqja e situatës, vetëkuptohet, është përgjegjësi e detyrë e shoqërive tona. Por në rrethanat kur anëtarësimi në BE mund të dojë një dekadë e shumë vite, pyetja madhore është si duhet të jetë procesi i integrimit? Si duhet të jetë që t’i shërbejë edhe interesave të Bashkimit Europian si edhe atyre të gjashtë vendeve të Ballkani?

Dhe besoj se biem dakord që interesi parësor i të gjashtëve është progresi e konsolidimi i Kritereve të Kopenhagenit. Po ky është edhe interesi madhor i 27 vendeve europiane për të pasur një enklavë kontinentale ku sundon ligji europian e jo gjysëmbanditët me kostum&kravatë. Edhe pse nuk mungojnë avokatë të “stabilitetit me çdo kusht”, të cilët nuk duan të shohin se një stabilitet i moçaltë rrezikon që të çojë drejt destabilizimit të rrëmujshëm apo t’u çelë shtigje e rrugë fuqive jomiqësore. Pyetja shtrohet nëse është i duhur e i përshtatshëm procesi i derisotëm, i cili më së shumti fokusohet në përafrimin e ligjeve kombëtare me direktivat e BE-së.

Më së shumti në letër; jo dhe aq në zbatimin real. Këto ligje janë absolutisht esenciale për të qenë një ditë anëtarë, por a ka kuptim fokusimi kaq shumë te to kur njëkohësisht pushteti bëhet recidivist në shkeljen e Kushtetutës e plot ligjeve kyçe. Gjithashtu, BE financon me miliona euro strategji e procese ku jo përherë merret vesh zbatimi e rezultati: d.m.th. edhe dobia konkrete e tyre.

Përvoja e viteve të fundit në Shqipëri njeh arritje reale si ndihma europiane për arritjen e Marrëveshjes për Dekriminalizmin (2014) apo Reformën Zgjedhore (2020); po kështu mund të shënohen dështime si heshtja për Tahir-Kanabizmin (2016) apo deklarimet pro nismës abuzive të shkatërrimit të Teatrit Kombëtar (2019) nga zyrtarë të caktuar të Komisionit Europian. Pa folur më tej për gjeste të pamenduara si organizmi i “Vrapit kundër korrupsionit” (2020) ku diplomatë europianë fugonin të qeshur krahas ministrave problematikë përgjatë bregliqenit në Tiranë. Gjest që u shpotit me të drejtë nga opinioni publik. Shembujt pozitivë janë përgjithësisht raste të veprimit pro aktiv deri intervencionist.

Ndërsa shembujt negativë, me dashamirësi, mund të shpjegohen me kulturën burokratike, qasjen formaliste e operimin diskret që dominojnë në ekzekutivin e BE. Ky mentalitet i Brukselit mund të ketë qenë i përshtatshëm kur trajtoi p.sh. anëtarësimin e Suedisë apo Austrisë në vitet ‘90. Në latitudat e Ballkanit e në botën bashkëkohore, ai ka nevojë të rishikohet duke avancuar nga “diskrecioni” tek “intervencioni”.

Drejt një qasje më “amerikane” nëse mund ta themi kështu. Jo duke intervenuar në vend të aktorëve politiko-shoqërorë lokalë, pasi kështu frenojnë emancipimin e zhvillimin e tyre. Por lipset që BE-ja të mbajë një qëndrim të qartë e zëlartë sa herë që rrezikohen Kriteret e Kopenhagenit; kjo minimalisht largon kritikat për symbyllje bashkëfajtore. Por, më e rëndësishme, kjo inkurajon mbrojtësit vendorë të standardeve europiane. Qofshin ata politikanë zanati, aktivistë socialë apo gazetarë të pavarur. Përkrahja direkte e publike e këtyre të fundit nga BE do të ishte një ndihmë edhe më e fortë e efikase.

Ka edhe të tjera mënyra që lipset të shtjellohen veçan. Sipas një klisheje gjysmë të vërtetë, amerikanët orientohen drejt rezultatit, ndërsa europianët drejt procesit. Në rastin tonë lipset të përkufizohet rezultati. Në një kohë kur anëtarësimi duket e zhduket në një kalendar të mjegullt, rezultati i procesit të integrimit europian mund të ripërkufizohet si konsolidimi i Themeleve Bazike (i Kritereve të Kopenhagës).

Një debat i tillë duket se ka filluar në Bruksel. Por, muajin e shkuar kur Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, një eurodeputete socialiste deklaroi se ligji i medias ishte anuluar, duke përmbushur kushtin e fundit për thirrjen e Konferencë Ndërqeveritare. Natyrisht që kjo është e pavërtetë, pasi dekreti përkatës është ende i pavotuar në Kuvend dhe teorikisht ai mund të miratohet apo të refuzohet në çdo seancë plenare. Fakti që edhe ndonjë zyrtar tjetër e përsëriti këtë të pavërtetë, ndoshta dëshmon se debati mbi një qasje më efektive e realizimi i saj mund të zgjasë më shumë sesa shpresohet.
* Ish-ministër e deputet

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura