Problematika nga ligji 7501/ Lame në Ardenicë: Do përmirësohet nga themelet hartografia. Regjistrimi i tokës bujqësore në fshat, sfida e radhës e Kadastrës

Dec 5, 2021 | 13:06
SHPËRNDAJE

Agjensia Shtetërore e Kadastrës ka përmbyllur procesin legalizimit të banesave për zonën e Ardenicës në Lushnje.

ardenice

Në këtë takim ishte i pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës Artan Lame së bashku me drejtorin vendor Arben Qalliu dhe administratorin e njësisë administrative, Arbër Abdurramani. Procesi i legalizimeve në këtë zonë përfshiu rreth 188 objekte ndër të cilat bëjnë pjesë edhe disa banesa, zotëruesit e të cilave gjenden në emigracion.

Procesi i legalizimit ka qenë i komplikuar ndër vite edhe për shkak të problematikave të mbartura hartografike. Por, përmbyllja e legalizimeve shërbeu si moment për mbarimin e një procesi dhe hapjen e një procesi edhe më të ndërlikuar që është ai i regjistrimit të tokës bujqësore.

Ardenica është një zonë bujqësore e zhvilluar, që shtrihet si në zonë fushore ashtu edhe kodrinore, në kodrat e mbuluara me ullishta që rrethojnë Manastirin historik të Ardenicës. Por deri më sot toka bujqësore që zotërojnë fermerët e kësaj zone ka qenë e pamundur të regjistrohet për shkak të problematikave të ndeshura në procesin e ndarjes së tokës me ligjin 7501. Në veçanti në këtë zonë është ndeshur një fenomen problematik që është ai i ndarjes së të njëjtës tokë nga dy komisione të ndryshme në dy periudha të ndryshme në vitet 1991 dhe 2001. Kjo gjë ka bërë që të krijohen shumë konflikte pronësie midis fermerëve për shkak të mbivendosjeve të pronave.

Kryetari i njësisë adiministrative tha se një tjetër problem i trashëguar mbetet edhe tjetërsimi i pronës me anë të shitblerjes në mënyrë informale me para në dorë, pa dokumentacion të rregullt noterial që e vështirëson regjistrimin e saj. Vetë fermerët denoncuan faktin që regjistrimi fillestar i bërë në vitin 1998, ka qenë shumë i përciptë dhe më shumë ka krijuar konflikte sesa ka zgjidhur.

Në këto kushte u vendos që për këtë zonë të fillojë nga themelet procesi i përmirësimit hartografik dhe më pas ai i regjistrimit të pronave, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur situatën e krijuar.

Gjatë dorëzimit të certifikatave të legalizimeve, Lame informoi banorët për këtë vendim, si e vetmja mundësi për të mbyllur edhe procesin e regjistrimit të tokës bujqësore. Regjistrimi i tokës bujqësore në fshat mbetet sfida e radhës për Kadastrën Shqiptare, për shkak të prapambetjes së këtij procesi ndër vite. Vitin e kaluar në rang republike u dhanë rreth 18.700 certifikata të tokës bujqësore, shifër që parashikohet të tejkalohet në fund të këtij viti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura