Privatin nuk e kemi Armik! Bëjmë mirë të mos e shohim si të tillë

Oct 16, 2017 | 11:49
SHPËRNDAJE

ermal telhaERMAL TELHA

Sektorin privat nuk e kemi armik, përkundrazi, është motorri kryesor që ve në lëvizje ekonominë tonë. E si i tillë, duhet të marrë në këmbim të kundërtën e asaj që shpesh merr, stisur nga propaganda dashakeqe, cinike, baltëhedhëse, shkelmuese, nxirrëse. Shtetëzimi nuk i ka sjellë pothuajse asnjë të mirë këtij vendi, që për inerci një pjesë të mirë të sektorve të rëndësishëm i ka ende nën dominimin e shtetit.

Ky funksionim na privoi ne shqiptarëve më të shtrenjtën tonë, lirinë, e më pas na vuri pikatoren në ushqim, na planifikoi në bazë të biografisë të qënit të mirë apo të këqinj, na përcaktoi shkollën që do ndiqnim pa marrë kurrë në analizë prirjet tona, degdisi nëpër skutat më të thella ata që mund të ishin më të mirët, na morri ç’kishim, shtëpi e katandi, tokë e bagëti. Mund të vazhdoj parreshtur e prapë nuk do them mjaft, edhe pse unë kam qënë vetëm 4 vjeç kur ai sistem u shua, për t’i hapur rrugën tranzicionit.

Zhvillimi i kapitalizmit në Shqipëri ndoshta nuk është ai që duhet të merret për shembull, nuk është ndoshta siç shume prej nesh do ta donim, por është mjaftueshëm për të bërë krahasimet me të kaluaren dhe për të reflektuar mbi qasjen e re në përshtatjen e ekonomisë sonë mbi kërkesat dhe nevojat që dikton tregu. Të gjitha mungesat jetike të sistemit të kaluar kanë ardhur për shkak të mungesës se ekuilibrave të vendosura nga tregu, ku nevojat, por edhe plotësimin e tyre e vendoste humori i partisë e jo zëri qytetar.

Liria ka bërë që shumë qytetarë shqiptarë të ngjiten në majat e suksesit në fushat e tyre dhe të kthehen në ambasadotë të vendit tonë në arenën ndërkomëtare, mundësi që nuk do e kishin pasur kurrë nëse do mbizotëronte mendësia e kaluar. Liria dhe hapja e tregut për operatorë të rinj e ka bërë shumë herë më të larmishme jetën tonë, më mundësi zgjedhje më të mëdha, me hapësira zhvillimi të iniciativave private. Ne kemi treguar shpesh që ja dalim. Janë të shumta kompanitë shqiptare që kanë arritur të çajnë oqeanet për të çuar produktet “made in Albania” ne skajet më të largëta të botës. Janë të shumtë shqiptarët që kanë arritur majat e suksesit nëpër botë në art, shkencë apo sport, sikundër hapja ka bërë të munduar që bota të na njohë si vend. Të gjitha keto nuk janë pasojë e centralizimit dhe censurimit, por e të kundërtës së tyre, pra e hapjes së tregut të lirë dhe konkurrencës.

Që të mos e shohim privatin si armik, duhet të kujtojmë që peshën më të madhe të punësimit e mban pikërisht ky sektor të cilit shpesh ja kursejmë dashamirësinë dhe falenderimin. Furnitori kryesor i buxhetit të shtetit është pikërisht sektori privat, që shpesh paguan edhe dështimin e sektorit shtetëror, e ne prapë nuk ja kursejmë baltën. Skandalet më të mëdha nuk kanë plasur në sektorin privat, por në atë shtetëror ku aferat marramendëse kanë çuar për dreq taksat tona, e ne prapë nuk ja kursejmë baltën. Mundësinë që konsumatori të zgjedhë mes shumë alternativash të cilat konkurrojnë me njëra tjetrën për të ofruar më të mirën në produkte e shërbimë, na i ka servirur privati, e ne prapë nuk ja kursejmë baltën.

Motivimin në punë për shkak të meritës na i ka dhënë sektori privat, në të cilin flet rezultati e jo biografia, performanca e jo miqësia, por ne prapë nuk ja kursejmë baltën. Informimin më të saktë dhe në kohë reale, në një kohë kur taksën e televizionit ja paguajmë TVSH-së që nuk ecën dot me hapin e kohës, e marrim nëpërmjet gazetave, televizioneve e portaleve private, por ne prapë nuk ja kursejmë baltën.

Serumin nëpër korridoret e Spitalit, pamundësine e ilaçeve brenda institucionit, mikun apo rryshfetin për të mbaruar punë, pritjen disa mujore për të bërë një koronarografi (që është diagnostifikim urgjent), abuzimin e kthyer në sistem e të tjera fenomene të padëshiruara, nuk i hasim në privat, por ne prapë nuk ja kursejmë baltën.  Blerjen e provimeve, pedagogë të akuzuar e dënuar për shitje notash, mungesa laboratorësh e auditorësh dinjitoze, kërkim shkencor të harruar, barriera mes studentësh dhe pedagogësh apo blerje librash me detyrim, nuk i hasim në privat, por ne prapë nuk ja kursejmë baltën.

Paguajmë taksa që shkojnë për të financuar sistemin hekurudhor, edhe pse pothuajse askush nuk e përdor si shërbim sepse serish sektori privat ka mundësuar lëvizje më efiçente mallrash dhe udhëtarësh, por këtij të fundit ne prapë nuk ja kursejmë baltën.

Nga përvoja kombëtare dhe nderkombëtare është mëse e qartë që aty ku ekuilibrat i vendos tregu dhe shteti shërben si rregullaror, trajektorja e zhvillimit ecën në drejtimin e duhur.

Ç’rrënjosja e mentalitetit urryes për sipërmarësit dhe iniciativat, do na çojë më afër pretendimeve për të pasur atë jetë që meritojmë e duhet të kërkojmë parreshtur.

Tabloja është e qartë, të paqartët më duket se jemi Ne!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura