Prishtina është gati të hapë zyrën në Beograd

Nov 2, 2012 | 18:55
SHPËRNDAJE
Hajredin Kuçi

Qeveria e Kosovës shprehet e gatshme të hapë zyrën e saj ndërlidhëse në Beograd, si dhe t’i mundësojë Serbisë që edhe ajo të hapë zyrën e saj në Prishtinë. Ky zotim i Qeverisë së Kosovës, është shprehur të premten publikisht nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Në kuadër të disa temave që Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Catherinë Ashton, i ka paraparë për agjendën e takimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, hapja e zyrave ndërlidhëse mendohet të jetë një nga hapat e parë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar se shumë shpejt, sipas paralajmërimeve të mërkurën më 7 nëntor, do të pasojë  edhe takimi tjetër me kreun e Qeverisë së Serbisë dhe për këtë qëllim, ai tha se tashmë ka konsensus të brendshëm politik dhe mbështetje ndërkombëtare.

“Kosova ka ndërtuar një konsensus të gjerë politik dhe qytetarë për këtë proces, duke kuptuar apo duke u përpjekur për t’i kuptuar drejt edhe refuzuesit e këtij procesi”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, duke elaboruar temat e takimeve, por edhe parimet bazë që Prishtina mendon t’i ndjek në procesin e bisedimeve me Serbinë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, mes tjerash, ka bërë publike edhe gatishmërinë e Kosovës për hapjen e zyrave ndërlidhëse me Serbinë.

Ndonëse jo në nivel të ambasadave dhe pa simbole shtetërore, këto zyra shihen si hapi i parë drejt një procesi të gjatë të relaksimit të raporteve ndërmjet dy vendeve.(rel)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura