“Prishja e Piramidës, si t’i heqësh Romës simbolet e fashizmit”

Jul 31, 2014 | 12:49
SHPËRNDAJE

Kuratori italian Roberto Lacarbonara
E shkuara nuk mund të fshihet duke shkatërruar gjurmët e saj. E përçudnuar në mënyrën më të keqe të mundshme, si të donin ta “turpëronin”, sepse dikur ka shërbyer si muze i ish-diktatorit, Piramida, për vite me radhë qendër kulture, po e rimerr dalëngadalë jetën.
Ka filluar të flitet për të, jo më për plane prishjeje, por si vend aktivitetesh me karakter kulturor dhe historik. Pas një seminari mbi arkitekturën, një koncerti të Elina Dunit e të tjera aktiviteteve që janë realizuar brenda një kohe të shkurtër, nesër Piramida do të kthehet në një vend ekspozimi. “ART IN PORT – Coexistence: for a new Adriatic koinè”, është projekti i mbështetur nga Bashkimi Europian, që nis në Tiranë, për të vijuar në të tjera vende që qarkojnë Adriatikun. Në Tiranë është përzgjedhur si vendi për ngritjen e ekspozitës, pikërisht Piramida, një ndërtese që mbart një histori të veçantë, që nga krijimi i saj dhe ka njohur disa shndërrime në jetën e vet. Ekspozita i është besuar kritikut dhe kuratorit artistik Roberto Lacarbonara, i cili për aktivitetin e Tiranës po bashkëpunon me artistët Ardian Isufi, Vladimir Myrtezai Grosha dhe Pjetër Guralumi. Kuratori italian shpjegon se ç’është kjo ekspozitë, arsyen e zgjedhjes së Piramidës si vend ekspozimi dhe si e sheh të ardhmen e saj.

Ç’do të thotë “coexistence”?
Është një ekspozitë ndërkombëtare, ku marrin pjesë 25 artistë, 5 nga çdo partner i këtij projekti, që do të thotë Italia, që përfaqësohet nga dy rajone, Shqipëria, Kroacia dhe Mali i Zi. Janë artistë që përdorin gjuhë krejt të ndryshme. Kemi videoinstalacione, pikturë, skulpturë, fotografi. Kjo ekspozitë do të hapet në vende të ndryshme. Do të nisem nga Tirana, ku qëllimi ynë është dhe rikrijimi, rishkrimi i historisë së këtij vendi, i Piramidës.
Çfarë nënkuptoni me rishkrimin e historisë së Piramidës?

Pamja e jashtme dhe e brendshme e Piramidës
Sigurisht është një strukturë shumë e veçantë, me një arkitekturë eklektike dhe të veçantë sa i takon konceptit. Ka një histori që lidhet me një moment të rëndësishëm, me historinë politike dhe shoqërore të këtij kombi. Por gjithsesi, personalisht e kam zgjedhur këtë vend, sepse kam parë se si qyteti ka vendosur ta rimarrë atë. Është e jashtëzakonshme të shohësh çdo ditë fëmijët që ngjiten, që rrëshqasin, që luajnë, të shohësh se si në vitet e fundit janë zhvilluar disa aktivitete artistike, edhe klandestine madje, pra është sikur qyteti të kërkojë që ky vend, që për shumë vjet ka qenë i ekspozuar kundrejt polemikave dhe debateve politike dhe qytetare, të mos prishet.  
Artistë të ndryshëm nga vende të ndryshme, çfarë i bashkon?
Qëllimi ynë është të krijojmë një bashkëjetesë, një përballje të bazuar mbi histori të ndryshme, por edhe të bashkimit që është ai përmes Adriatikut, i bashkëpunimit tregtar dhe kulturor. Flasim për popuj që rrethojnë të njëjtin pellg të Mesdheut, por edhe një histori që na jep mundësinë e përballjes mes Lindjes dhe Perëndimit. Pra, janë të gjithë përbërësit që duhen për të realizuar një përballje mes globales dhe lokales dhe historive të ndryshme që lindin nga kontekste të ndryshme kulturore.
Kishit alternativa të tjera për të ngritur ekspozitën?
Kishim alternativa, si për shembull Galeria Kombëtare e Arteve, por objektivi ynë është ai i përshkimit të historisë, i karakteristikave ambigue dhe vështirësive që lidhen me historinë, arkitekturën, kulturën. Arti kthehet në bashkëkohor kur vendos projektorët mbi çështje të bashkëkohësisë. Për ne, ky objekt është një simbol dhe, si të gjitha simbolet, mund të krijojë vështirësi, por edhe shumë mundësi për të diskutuar mbi identitetin e një vendi.
Siç e përmendët edhe ju, ky vend është përballur me shumë polemika, ashtu si vetë historia ka qenë në qendër të debatit. Si duhet të sillemi me trashëgiminë historike, sidomos kur flitet për diktaturat, ju kishit Musolinin ne Enver Hoxhën…
Historia e një vendi nuk zhduket duke shkatërruar dhe fshirë gjurmët kulturore apo urbanistike, por duke pasur një qëndrim kritik. Problemi i vërtetë nuk është se çfarë të bëjmë ne me të shkuarën tonë, por me të ardhmen. Për të qenë bashkëkohorë dhe kritikë mbi bashkëkohësinë, do të ndërtojmë të ardhmen, vetëm nëse jemi të ndërgjegjshëm mbi historinë tonë. Arti është instrumenti më imediat për të lexuar atë që ndodh, qoftë edhe brenda kontekstit historik, që mund të jetë i një vendi/objekti apo qyteti, që ka jetuar një histori të veçantë deri dje. Një kurator italian, një ekspozitë ndërkombëtare nuk mund të bëjë shumë sa u takon zgjedhjeve politike, por për ne ishte e rëndësishme të shihnim se si edhe nga ana e Ministrisë, kur kërkuam të përdornim këtë vend (të cilin e kisha parë si turist nga jashtë, më pëlqeu shumë e më pas i hyra historisë), u tregua një vullnet pozitiv, për të rimarrë këtë hapësirë dhe të punojmë, për t’i dhënë një fytyrë të re.
Në vizionin tuaj, cila do të ishte e ardhmja e këtij objekti?
Mund të ishte një qendër kulturore shumë interesante për qytetin, qoftë edhe për faktin që ka qenë e tillë më parë, por edhe sepse në nivel ndërkombëtar ka një histori dhe tashmë është shumë i njohur si ambient. Që ta shkatërrosh për të ngritur një parlament apo një ndërtesë rezidenciale, do të ishte sikur Romës t’i hiqje “Il Vittoriano”, që është një simbol fashist i njohur në të gjithë botën. Duhet të kemi një raport dialektik të ndërgjegjshëm me historinë dhe të kërkojmë të kuptojmë që trashëgimia jonë kulturore është pasuria e vetme dhe e vërtetë që duhet të ruajmë, sepse është e vetmja gjë që jeton më shumë se edhe vetë ne.
A gjeni situata të ngjashme në vendet e tjera ku do të ekspozoni?
Kjo është e vetmja situatë e këtij lloji, pasi në vendet e tjera ekspozitat do të ngrihen nëpër muze. Në Tiranë është një Galeri Kombëtare Artesh, por nuk ka hapësira për artin kontemporan, që lidhet me eksperimentimin. Nuk ka hapësira për kërkesat e artistëve në Tiranë dhe jo vetëm për të ekspozuar. Kur kemi ardhur këtu për herë të parë për të parë terrenin, kemi takuar shumë artistë të rinj, që studiojnë dhe ekspozojnë jashtë, sepse këtu nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë. Ndërsa ky është një vend që mund t’i përshtatet fare mirë gjuhës eklektike të artit bashkëkohor.

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura